Holokausti, Presidenti Begaj: Ditë përkujtimi me synim të dyfishtë, dënojmë me forcë antisemitizmin

95
Sigal

Presidenti Bajram Begaj ndau mesazhin e tij për kujtimin e viktimave të Holokaustit duke e nisur me fjalët e diplomatit Noach Flug. Në mesazhin e tij, Presidenti përsëriti se dënon me forcë antisemitizmin, duke thënë që s’duhet të harrojmë se nga vijmë, pavarësisht gjuhës që flasim apo besimit që ndjekim.”Lejomëni që të sjell në vëmendje fjalët e të ndjerit Noach Flug, diplomat dhe mbrojtës i shquar për të drejtat e të mbijetuarve të Holokaustit. “Kujtesa është si uji: është thelbësore për jetën dhe gjen rrugën e vet drejt hapësirave të reja dhe njerëzve të ndryshëm. Kujtesa është gjithmonë konkrete: ajo është e gjallë, me fytyra dhe vende, me hapësirë, aromë dhe tinguj.” – deklaroi Flug. Kujtesa i ndihmon qëniet njerëzore të ndajnë të mirën nga e keqja, të drejtën nga e gabuara dhe pa të, shoqëritë nuk mund të arrijnë kurrë drejt një të ardhmeje më të mirë. Kujtojmë sot viktimat e Holokaustit, krim kundër njerëzimit, kulmi i dështimit shoqëror falë presionit, frikës paragjykimeve dhe ekstremizmit që shoqëronin luftën. 27 janar, është një ditë përkujtimi me synim të dyfishtë. Nga njëra anë, si data e përkujtimit zyrtar të 6 milionë viktimave të Holokaustit dhe nga ana tjetër, si një moment për të reflektuar dhe për të ecur përpara, duke lënë pas çdo formë anti-semitizmi apo tentative për mohimin e këtij fakti historik.

Jam i nderuar t’ju drejtohem sot, si President i këtij vendi që u distancua nga një prej akteve më çnjerëzore të historisë. Shqipëria ka qenë në anën e duhur të historisë për shkak të zgjedhjeve që ka bërë. Zgjedhje jo vetëm zyrtare, në formën e vendimeve, por edhe vlerave njerëzore, përmes solidaritetit. Besa dhe mikpritja e shqiptarëve, është origjina e këtij solidariteti të pashoq e të pazakontë. Të gjithë e dimë se cilat ndër vlerat tona e frymëzuan këtë qasje, për ne të natyrshme, dhe që forcoi miqësinë me Izraelin: Mbështetja e dokumentuar e Shqipërisë ndaj komunitetit hebre, me legjitimimin e të drejtës së hebrenjve për të mos punuar gjatë Shabbatit.

Refuzimi i shtetit shqiptar për të dorëzuar tek nazistët listën e hebrenjve të strehuar në vendin tonë. Përpjekjet e shqiptarëve, muslimanë e të krishterë, për të fshehur dhe mbrojtur hebrenjtë, duke rrezikuar vetë jetët e tyre për t’i njësuar ata në komunitetin shqiptar. Kemi ndërmarrë nisma në përkujtim jo vetëm të viktimave të Holokaustit, për edhe të rolit të Shqipërisë në mbështetjen e tyre ashtu edhe të miqësisë mes shqiptarëve dhe hebrenjve. Memoriali i Hebrenjve në Tiranë dhe Muzeu Solomon në Berat”.