Nxënësit emigrantë dhe problemet me gjuhën shqipe

753
Sigal

Në Durrës këtë vit shkollor numërohen 430 nxënës. Prindërit: Mungojnë metodat integruese dhe orët suplementare!

Para disa ditësh një vajzë e vogël, nxënëse në një nga shkollat qendrore të Durrësit kishte dalë duke qarë nga mësimi dhe po u thoshte prindërve se nuk do të shkonte më në shkollë, pasi mësuesja i bërtiste se ajo nuk kuptonte shumë gjëra në librat e gjuhës shqipe. Prindërit ishin të shqetësuar pasi megjithëse ishin kthyer nga emigracioni, ata nuk kishin një ekonomi të konsoliduar dhe realisht ishin në kërkim të punës, ndërsa nuk kishin të ardhura për të paguar as qiranë e banesës së tyre. Mësuesit u kishin kërkuar që të bënin kurse private, por ata nuk i përballonin dot orët 500 lekëshe që u duheshin për kurset e ndryshme. Ky është një problem që kërkon zgjidhje nga shteti për të bërë adoptimin e nxënësve që vinë nga shkollat e huaja me mësimet e gjuhës shqipe, që është edhe vështirësia kryesore për mbarëvajtjen e fëmijëve në lëndët e tjera, pasi mos njohja në shkallen e duhur të shqipes shoqërohet me moskuptim të shpjegimeve të lëndëve të tjera.

Gjendja

Kjo vështirësi është tashmë për rreth 430 nxënës që mësojnë në shkollat e Qarkut të Durrësit dhe që janë kthyer nga Greqia. Prej tyre, sipas një të dhëne të fund vitit të kaluar nga Drejtoria e Arsimit Rajonal, rreth 360 nxënës janë në shkollat e ciklit 9-vjeçar. Prindi, 42-vjeçar, Astrit Bregu thotë se ka qenë me pune dhe banim për disa vite në qytetin Larisa të Greqisë dhe e bija, e cila tashmë është në klasën e IV-të , atje ka pasur një përparim të shkëlqyer në mësime, ndërsa këtu ajo përballet me vështirësi të shumta, për shkak të ndërrimit të gjuhës si dhe të metodologjive mësimore që janë të ndryshme. Sipas mësuesve që kanë në klasa kujdestarie nxënës të tillë, kjo kategori nxënësish të kthyer në atdhe përballet me një sërë vështirësish, siç janë mos njohja e mirë e shkrimit dhe e leximit të gjuhës shqipe, vështirësi në përshtatjen me kërkesat dhe rregullat e shkollave shqipe, integrimi i vështirë etj..

Specialistët

Sipas specialistëve të arsimit, këta fëmijë ndonëse ulen për herë të parë në bankat e shkollave, ku shkruhet dhe mësohet shqip, janë të detyruar që të punojnë me të njëjtën kurrikul si të gjithë nxënësit e tjerë, duke u përballur kështu me vështirësi të ndryshme deri në përvetësimin e mirë të shqipes. Sipas tyre një pjesë të fajit e kanë edhe prindërit, të cilët në jo pak raste në kushtet e emigracionit, kanë neglizhuar në mësimin e gjuhës amtare për fëmijët e tyre. Ndërkohë që janë edhe prindërit që kërkojnë më shumë vëmendje për fëmijët.

Drejtori i DAR, Filip Gjoncaj: “Duhet bashkëpunim prindër-mësues!”

Lidhur me këtë fenomen në Drejtorinë Arsimore kanë pohuar se ky është edhe viti që ka shënuar edhe numrin më të lartë të nxënësve të kthyer nga jashtë dhe se tashme po merren disa masa për të bërë koordinim të orëve suplementare për t’ju ardhur në ndihme këtyre familjeve. Për të realizuar këtë Drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale, Filip Gjoncaj ka pohuar se, ka qenë i vështirë hartimi i këtyre orëve deri tani, pasi ka pasur vështirësi në identifikimin e duhur të këtyre nxënësve dhe kjo ngase ka pasur edhe shumë regjistrime me vonesë. Për këtë sipas Gjoncajt është lëshuar një urdhër për të gjitha Drejtoritë e Shkollave të Qarkut, të cilat duhet të marrin parasysh kushtet e këtyre nxënësve dhe të tregojnë vëmendje të veçantë ndaj tyre. Megjithatë, sipas tij “pa ndihmën e prindërve s’ja dalim dot, pasi ata duhet tu mësojnë fëmijëve gjuhën e folur në mënyrë që ky mision të përmbushet me sukses nga të dy palët”.