Malli i nënës çame

675
Theodhori PROKO

Këtë mall e ndjen të pikojë me dhembshuri në çdo varg, në çdo strofë dhe poezi të vëllimit me të njëjtin titull, të mikut tim të hershëm të fëminisë në lagjen e skelës, në Vlorë, Kamber Cano. Ai mall i mbledhur ndër vite në zemrën e një nëne, që poeti e quan me përkëdheli në dialektin çam Nuh, nëpërmjet rrëfimeve kalon dhe në zemrën e të birit. Dhe ai jeton me hallet, me këngët, me vajet dhe dhimbjen për tokën e të parëve, nga e cila i dëbuan me dhunë. Ndaj edhe thotë:

Nuja ime rrallë më tregonte ndonjë përrallë
Nga ato me mbretër a kecat e dhisë
Po për ditë më tregonte me lot e mall
Për historinë dhe bukuritë e Çamërisë.

Për mua që kam lindur dhe rritur në skelën e vjetër, vargjet e Kamberit më sjellin ndërmend Nutë shamibardha të skelës, Elmanë, Shyqyranen, Zulën, Anifen, kur mblidheshin mbrëmjeve të verës në pragun e portave të avllive dhe kuvendonin për vendlindjen e tyre ku shkuan vitet e vajzërisë, për bukuritë e natyrës çame, për vatrat e shtëpive, gurët e sokakut,secila duke fol e duke mburrur fshatin e saj. Kjo e ka frymëzuar dhe poetin të shkruaj vargjet e mëposhtme:

Nuja ime lëvdonte Arpicën, kurorën e artë mbi det
Nanë Lejlaja fliste për trimëritë e grave suliote
Sadeti nga Janina i thurrte lavde Aliut, e quante mbret
Aisheja thoshte që Parga ishte mrekullia e kësaj bote.

Këto nëna lanë pas në zemrat e brezit të fëmijëve, pasurinë më çmuar, Çamërinë. Ato vet nuk patën fatin ta shikonin më me sy dhe malli për të i treti për së gjalli.

Për fat të mirë, poeti pati mundësinë, tani në vitet e demokracisë, ta vizitojë disa herë Arpicën, vendin nga rrjedh gjaku i familjes së tij dhe u bind në vërtetësinë e fjalëve të nënës, duke plotësuar edhe një amanet të saj, që në vitet e pleqërisë nuk mund të shkonte vet. Tashmë grekët i kanë ndërruar dhe emrin, e quajnë Perdhika, që në gjuhën e tyre do të thotë thëllëzë, për shkak të bukurisë natyrore si ballkon mbi det. E kur u kthye, zemra e nënës nuk mbante më, por vetëm qante si fëmijë dhe nuk ngopej së dëgjuari ato që ai i tregonte. I solli në mënyrë simbolike edhe një dhuratë, për emocionet e së cilës autori na flet me dhimbje në vargjet:

Nuk e hëngra copën e bukës që bleva në Çamëri
E ruajta t’ia çoja Nusë në Shqipëri.
Eh! Derisa mbërrita në Vlorë
Ajo copë buke u bë e fortë.
Mendoja se Nuja plakë nuk do ta përtypte dot.
Ajo e ledhatoi dhe e përsheshi me lotë.

Poezia e Kamberit rrjedh natyrshëm si burimet e Perdhikas nga rrjedh gjaku i tij çam. Figurat letrare nuk janë të stisura, të gjetura me mundim, por të thjeshta e të ngrohta siç kanë dalë nga shpirti që lëngon për atdheun e mohuar. Atë dhimbje e mbart me vete kudo që shkon, edhe në tokën e Apenineve ku dallgët e fatit e kanë përplasur në këtë kohë të vështirë tranzicioni shqiptar që po zgjat më shumë se një çerek shekulli. Siç e thotë edhe vet:

Unë jam hamalli më i çuditshëm në botë
Mbi supet e mia mbaj të ngarkuar Çamërinë
E mbaj ta kem pranë zemrës
Se ta dini, kam shumë mall.

E natyrshme kjo, derisa ka qenë amaneti i nënës çame, Nuse zemërbardhë, që edhe nga parajsa ku dimëron e pyet djalin me merak:

O bir
Më kanë thënë se shkruan poezi
Dhe tani të thënkan dhe poet
Po shkruan edhe për mua dhe Çamëri, dua ta di;
Në vargjet e tua a ka jetë…?

Po, në vargjet e Kamberit ka jetë. Çdo kush që do t’i lexojë vargjet e vëllimit poetik “Malli i nënës çame”, jam i bindur se do të më japë të drejtë.
Sigal