“Nuk është e vërtetë që jemi shpërblyer për vuajtjet tona”

678
Sigal

Flet ish i dënuari politik Fatos Zdrava, për trajtimin që i është bërë kësaj shtrese pas viteve 1990

Vëllezërit, Fatos, Asllan, Agron dhe motra e tyre Shpresa kishin zgjedhur 19 tetorin, ditën e Shenjtërimi i Nënë Terezës, për të festuar vlerësimin me  urdhrin  “Nënë Tereza”  për të atin e tyre Ramadan Zdrava, dhënë në korrik të këtij viti  nga Presidenti i Republikës. Edhe pse dhimbjen për të atin e vdekur në qelit e burgut dhe kalvarin e vuajtjeve të tyre  nuk mund ta kuroj titulli:  “Qytetar Nderi” i Beratit  (Janar 2010) dhe  urdhri “Nënë Tereza” (pas vdekjes), ata ndjehen të lumtur që më në fund  kontributi i babit të tyre Ramadanit në fushën e kulturës dhe ekonomisë po vlerësohet. Fatosi djali madh i familjes Zdrava, njeri me shumë kulturë  i cili për tu njohur më mirë me vuajtjet e babait ka punuar shumë na arkiva, tani është kthyer vet në arkiv dhe njeh në detaj edhe jetën e bashkëvuajtësve të tjerë të burgut komunist. Ai pasi  pasi flet për punën e të atit në fushën e kinemasë dhe zhvillimin e industrisë në vend, burgosjen dhe internimin e familjes, thotë se e djathta shqiptare  dhe ish të persekutuarit politik ende nuk e kanë gjetur vendin që meritojnë.

-Në muajin korrik të këtij viti  babai tuaj Ramadan Zdrava është vlerësuar me urdhrin: “Nënë Tereza” (pas vdekjes), dhënë nga Presidenti i Republikës. Kush është jeta dhe veprimtaria e babait tuaj?

-Në 1926-1927 disa pronarë vendas u përpoqën të krijonin një kinema në qytetin tonë, në vendin ku sot ndodhet Pallati i Kulturës, por për shkak të mungesës së energjisë elektrike, kjo kinema nuk mund të funksiononte. Pikërisht në këto momente vështirësie, nis veprimtarinë Ramadan Zdrava që sapo kish kryer studimet në një shkollë marine në Itali. Në vitin 1928 ai e vendosi kinemanë pranë Centralit elektrik në afërsi të Urës së Goricës. Kinema “Sesa”  nën drejtimin e Ramadan Zdravës filloi shfaqja e filmave të shumëpritur në Berat. Këto fakte i bën të njohur edhe një shkrim i datës 19 gusht 1928 në revistën “Shekulli i Ri”. Në kinemanë “Sesa” filluan të shfaqen rregullisht filmat amerikanë, rusë, francezë, turq, polakë etj.. Në qytetin tonë jetojnë disa prej atyre që kanë frekuentuar këtë kinema dhe mbajnë në kujtesë përshtypje nga filmat e parë si: “Dritat e qytetit”, “Korone di Fera”, “Pet Patosha Bogdani”, “Dy Jetimët”, “Gushti fundit”, “Jovan Mesekini”, “Lufta e Dardaneve”.

-Kur nis persekucioni i babait tuaj Ramadanit dhe familjes së tij?

-Mbas viteve 1945 për Ramadan Zdravën dhe familjen e tij nis odisea e përndjekjeve politike. Ai dënohet në vitin 1946 me 7 vjet burgim nga gjykata komuniste. Gjatë gjithë kohës së burgimit dhe mbas lirimit i nënshtrohet punëve të detyrueshme dhe të rënda në kënetat e Maliqit dhe të Tërbufit, në kanalet e Myzeqesë dhe nëpër gurore. Në vitin 1971 sigurimi i shtetit së bashku me Frontin e ashtu quajtur Demokratik organizojnë në lagje mbledhjen e popullit me qëllim për ta diskretituar si armik të partisë, në fund të kësaj mbledhje ai me trimëri dhe pa ju dridhur as syri dhe as zëri deklaroi: “Kot e mundoni popullin dhe dëshmitarët në këtë mbledhje, më mirë se çdo kush do jua them unë, ku dhe kur të dëshironi se jam armik i betuar i partisë dhe i komunizmit”.

-A jeni shpërblyer për burgun e babait dhe internimin tuaj?

-Për burgun e babait tonë ne jemi shpërblyer vetëm me një këst me 100 mijë lekë të reja, ndërkohë që, sipas ligjit duhet të kishim marrë këstin e katërt. Unë mendoj që të persekutuarit dhe e djathta shqiptare ende nuk janë të integruar në jetën politike e shoqërore. Ne kemi të drejtë të flasim, por e drejta e njeriut nuk është vetëm liria e fjalës por edhe respektimi i saj. Presidentët tanë kanë firmosur kartën e të drejtave të njeriut që u impononte qeveritarëve tanë të të dy forcave politike që çfarë u është  konfiskuar me procesverbal nga shteti, pronarëve duhet t’u kthehet, por deri tani një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.