Njohja e diplomave e certifikatave, firmosen kriteret e reja. Dokumentet për lëshimin e vërtetimit të njësimit

3018
Njohja e diplomave, firmosen kriteret e reja
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, përcakton mënyrën e veprimit për njësimin e certifikatave, gradave shkencore e titu0jve akademikë
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka përcaktuar disa ndryshime në procedurat dhe kriteret për njohjen dhe njësimin në Shqipëri të diplomave, certifikatave, gradave shkencore dhe titujve akademikë të lëshuar nga institucionet e huaja të arsimit të lartë dhe institucione të tjera të autorizuara, jashtë vendit. Sipas ndryshimeve në udhëzim, “në rast të mangësive në dokumentacion, aplikantit i kërkohet fillimisht plotësim dokumentacioni me anë të postës elektronike, brenda 15 ditëve nga momenti i depozitimit të aplikimit në Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA)”. “Në rast të mosdepozitimit të plotësimeve brenda katër javëve, aplikantit i kërkohen plotësime për herë të dytë me shkresë zyrtare, të cilat duhet të depozitohen brenda katër javëve në QSHA, në të kundërt praktika depozitohet në arkivin e QSHA-së dhe aplikanti duhet të bëjë aplikim nga fillimi”, thekson udhëzimi. Aty nënvizohet se “konfirmimi i autenticitetit kërkohet me e-mail tek IAL-ja përkatëse të paktën dy herë dhe, në rast mospërgjigjeje, konfirmimi kërkohet me shkresë zyrtare”. “Në rast se pas gjashtë muajve nga momenti i kërkesës së konfirmimit me shkresë zyrtare ende nuk ka një përgjigje nga institucioni i arsimit të lartë (IAL) praktika përkatëse depozitohet në arkivin e QSHA-së”, thuhet në udhëzim. Gjithashtu, “për njohjen dhe njësimin e certifikatave dhe diplomave, të lëshuara në përfundim të programeve të studimit që i përkasin nivelit 5 deri në 8 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve dhe Kornizës Evropiane të Kualifikimeve, përveç gradës shkencore “doktor”, ngrihet Komisioni i Njohjes së Diplomave”. Diplomat e fituara nga institucionet e huaja të arsimit të lartë, përpara aplikimit të sistemit të Bolonjës në Shqipëri, të lëshuara deri në vitin 2010, me kohëzgjatje normale minimale 4 vjet (8 semestra), me kohë të plotë, do të njësohen si ekuivalentët e tyre që ofroheshin në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri, në të njëjtën periudhë kohore. “Diplomat e lëshuara nga institucione të huaja të arsimit të lartë, për programet e studimit të cilat përmbajnë të paktën 300 ECTS, me kohëzgjatje normale minimale 5 vite akademike, të njësohen si ekuivalentët e tyre që ofrohen në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, nënvizon udhëzimi. Gjithashtu, aplikanti ka të drejtë të bëjë ankimim me shkrim drejtuar Komisionit të Njohjes së Diplomave, brenda 30 ditëve nga data e lëshimit (publikimit) të vërtetimit të njohjes dhe të njësimit, për njohjen e diplomave të niveleve 5 deri 8 të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve, me përjashtim të njohjes së gradës shkencore “doktor” dhe titujve akademikë për të cilët i drejtohet komisionit ad hoc përkatës. 

Vërtetimi i njohjes dhe i njësimit (me përjashtim të gradave shkencore dhe titujve akademikë): 
a) Lëshohet nga QSHA-ja (nënshkruhet nga titullari i QSHA-së dhe kryetari i Komisionit të Njohjes) në dy kopje origjinale (njëra kopje i bashkëngjitet procesverbalit përkatës dhe ruhet në dosjen e aplikimit përkatës); 
b) Përmban minimalisht elementet e mëposhtme: 
I. Emrin dhe mbiemrin e kandidatit;
II. Institucionin e huaj të arsimit të lartë që ka
III. lëshuar diplomën;
IV. Shtetin përkatës;
V. Numrin e krediteve ECTS (nëse mund të përcaktohet);
VI. Emërtimin e plotë të programit të studimit;
VII. Kohëzgjatja e programit të studimit;
VIII. Data e përfundimit të studimeve;
IX. Njësimin e diplomës/certifikatës në Republikën e Shqipërisë;
c) Formulimi grafik i vërtetimit të njohjes dhe të njësimit përcaktohet nga struktura përkatëse në QSHA.
Sigal