PRONAT SHTETËRORE, RREGULLAT E REJA TË SHITJES

1184
Ndryshojnë rregullat e kriteret për shitjen e pronës shtetërore
Ministri i Financave firmos kriteret e vlerësimit për pasuritë që transformohen apo privatizohen. Ja kërkesat e reja
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka përcaktuar kriteret e reja të vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe procedurën e shitjes. Me një udhëzim të posaçëm të ministrit Arben Ahmetaj janë përcaktuar të gjithë ndryshimet në kuadrin e mëparshëm, duke nënvizuar se për të përfshirë në procesin e privatizimit pronat, që i kanë kaluar në pronësi pushtetit vendor, duhet miratimi përkatës i këshillit bashkiak dhe konfirmimi nga institucioni i prefektit për ligjshmërinë e tij.
Ndryshimet
“Në zbatim të pikës 2, kreu I, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 926, datë 29.12.2014, institucionet qendrore dhe organet e qeverisjes vendore dërgojnë prononcimin e tyre për privatizimin e pasurive të ndërmarrjeve apo të institucioneve, në administrim apo në pronësi të tyre, në ministrinë përgjegjëse për ekonominë. Për të përfshirë në procesin e privatizimit pronat, të cilat i kanë kaluar në pronësi pushtetit vendor, duhet miratimi përkatës i këshillit bashkiak dhe konfirmimi nga institucioni i prefektit për ligjshmërinë e tij”.
“Për objektet ndërtimore, kontratat e shitjes të të cilave janë shpallur të pavlefshme nga gjykata, duke i kthyer palët në gjendjen e mëparshme, struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike kthen për rivlerësim, dokumentacionin e vlerësimit në strukturën përgjegjëse për privatizimin e pronës shtetërore, për të bërë vlerësimin sipas gjendjes faktike të tyre dhe legjislacionit në fuqi. Për vlerësimin e tyre, ministri përgjegjës për ekonominë urdhëron fillimin e procedurave të rivlerësimit dhe ngre komisionin për rivlerësim, i cili vlerëson objektet sipas përcaktimeve në kreun II, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 926, datë 29.12.2014 dhe udhëzimit në zbatim të tij. Një procedurë e njëjtë ndiqet edhe për objektet (kreu III, pika 18, paragrafi i dytë të këtij vendimi), dokumentacioni i vlerësimit të të cilave kthehet nga Agjencia e Trajtimit të Pronave”.
– Për rastet e privatizimit të objekteve (së bashku me linjat e shërbimit dhe të prodhimit, makineritë, pajisjet, mjetet e xhiros etj., që janë pjesë përbërëse të objektit), dokumentacioni i vlerësimit, pasi kontrollohet nga dega e shoqërive publike, dërgohet në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë (struktura përgjegjëse për privatizimin e pronës shtetërore), e cila pasi bën verifikimin sipas përcaktimeve në pikën 13 të këtij udhëzimi, ia përcjell këtë dokumentacion “Komisionit të shqyrtimit dhe transparencës”.
– Për rastet e privatizimit të makinerive, pajisjeve, mjeteve të transportit, inventarit ekonomik, mjeteve të xhiroj etj., dokumentacioni i vlerësimit, pasi kontrollohet nga dega e shoqërive publike, dërgohet në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë (struktura përgjegjëse për shitjen e pronave publike), për të vijuar procedurat e shitjes.
– Struktura përgjegjëse për privatizimin në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, pasi verifikon nëse dokumentacioni i privatizimit të objekteve shtetërore, i depozituar nga degët e shoqërive publike në rrethe është hartuar në zbatim të aktit normativ nr. 4, datë 9.7.2008, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr. 9967, datë 24.7.2008 dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 926, datë 29.12.2014, “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet, dhe procedurën e shitjes”, të ndryshuar, ia përcjell atë Komisionit të Shqyrtimit dhe Transparencës.
Komisioni i Shqyrtimit dhe Transparencës ngrihet me urdhër të ministrit përgjegjës për ekonominë. Komisioni i Shqyrtimit dhe Transparencës përbëhet gjithsej nga 5 anëtarë, kryesohet nga zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë dhe ka në përbërje të tij: 1 përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme Rregullatore dhe Përputhshmërisë, MFE; 2 përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme Ekonomike dhe Shërbimeve Mbështetëse, MFE; 1 përfaqësues të Drejtorisë së Auditimit, MFE. 
Komisioni i Shqyrtimit dhe Transparencës është një komision ad hoc që mblidhet me kërkesë të kryetarit, për verifikimin, konfirmimin dhe transparencën e procedurës së dokumentacionit të privatizimit të pronës shtetërore, që dërgohet për shitje, sa herë që struktura përgjegjëse për privatizimin e pronës shtetërore në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, i përcjell dokumentacionin e privatizimit. Mbledhja e Komisionit zhvillohet vetëm pasi të sigurohet pjesëmarrja e jo më pak se gjysmës së anëtarëve. Mospjesëmarrja në mbledhje pa arsye e anëtarëve të Komisionit përbën shkak për fillimin e procedimit disiplinor. Komisioni gjatë mbledhjeve asistohet nga Sekretariati i Komisionit, i cili përbëhet nga 1 anëtar që emërohet dhe shkarkohet me urdhër të ministrit përgjegjës për ekonominë. Me porosi të kryetarit të Komisionit, sekretariati ka detyrimin të njoftojë anëtarët e Komisionit për vendin, datën, orën dhe agjendën e mbledhjes. Vendimet e anëtarëve në Komision merren me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Si rregull, gjatë votimit kryetari voton i fundit dhe në rast barazie votash, vota e kryetarit prevalon në vendimmarrje.
Mbi bazën e votimit të secilit prej anëtarëve, Komisioni i Shqyrtimit dhe Transparencës merr vendimin për:
– Dokumentacionin e vlerësimit, i cili është përgatitur konform akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi për privatizimin; t’i rekomandojë ministrit përgjegjës për ekonominë dërgimin e tij në strukturën përgjegjëse për shitjen e pronës publike, për të vijuar me procedurat e shitjes;
– Dokumentacionin e vlerësimit, i cili nuk është përgatitur konform akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi për privatizimin, Komisioni i Shqyrtimit dhe Transparencës, kërkon kthimin e tij pranë degëve të shoqërive publike për plotësimin e tij, duke argumentuar arsyet e kthimit të dokumentacionit.
Komisioni i Shqyrtimit dhe Transparencës ka për detyrë:
– Të verifikojë, të kontrollojë dhe të gjykojë dokumentacionin e vlerësimit të objekteve (së bashku me linjat e shërbimit dhe të prodhimit, makineritë, pajisjet, mjetet e xhiros etj., që janë pjesë përbërëse të objektit), të cilat janë përcjellë nga struktura përgjegjëse për privatizimin e pronës shtetërore;
– Të konfirmojë përputhshmërinë e këtij dokumentacioni vlerësimi me aktet ligjore në fuqi për privatizimin;
– Të marrë vendim lidhur me dokumentacionin e vlerësimit, sipas pikës 3.7 të këtij udhëzimi.
– Të kthejë dokumentacionin për privatizim dhe të lërë detyra specifike për t’u zbatuar nga Komisioni i Vlerësimit të Pronës Shtetërore.
“Për përqindjen e uljes së VAM-it, për objektet në proces privatizimi do të veprohet si më poshtë:
– Drejtori i strukturës përgjegjëse për shitjen e pronës publike ngre komisionin prej 3 anëtarësh për uljen e VAM-it për objektet që nuk shiten me vlerë fillestare. Ulja e VAM-it do të bëhet duke u bazuar në kriteret si më poshtë:
– Gjendja e objektit sipas aktit të vlerësimit të përgatitur nga ekspertët;
– Vendndodhja e tij në zona urbane apo rurale;
– Largësia nga rrugët nacionale apo urbane;
– Largësia nga qendrat e banuara etj.
Propozimi me shkrim për përqindjen e uljes së VAM-it i paraqitet për miratim drejtorit të strukturës përgjegjëse për shitjen e pronës publike”.
Sigal