Një vrasje që mund të eliminohej

639
Sigal

Qyteti muze i Beratit u trondit sërish nga një vrasje banale, ku shkak ishte sherri në një bilardo

Ajo që ka ndodhur dje ne Berat, ku i riu Zotkaj humbi jetën në lule të rinisë është një ngjarje e rëndë kriminale që nuk mund të kalojë pa vëmendje të opinionit. Një vrasje tragjike, në mes të ditës, në një vend, ku çlodhen dhe pushojnë njerëz. Në lulishte. Në lulishten e dytë më të madhe të qytetit muze, që gjer dje në mëngjes kish menduar se ata 450 të vrarë, a më shumë, në tre muaj të vitit të zi 1997 ishin të fundit. Por, në mesditë, qetësia e kohëve të fundit në qytetin muze është prishur. Tre të rinj janë ndaluar dhe akuzohen si pjesëmarrës në vrasjen e 24-vjeçarit E. Zotkaj. Askush nuk ka mundur ta ndalojë atë vrasje me thikë pas një sherri banal. Nuk di nëse do të kisha mundur ta ndaloja edhe unë, autori i këtij shkrimi që vetëm 20 minuta më parë u ndodha pranë atij vendkrimi, ku 100 metër më në perëndim bleva gazetën “Telegraf” . Nuk di nëse atë krim do ta kish ndaluar shoku im i vjetër mekanik, Flamuri, njëkohësisht dhe vëlla i deputetit të PD, Mehmet Xheka që pothuaj një orë më parë krimit, më takoi, më përshëndeti duke më pyetur ç’kisha shkruar dhe sa do të rrija… Natyrisht, unë dhe Flamuri, po të ishim ndodhur atë moment fatal grindjeje, do të kishim eliminuar ndofta vrasjen. Por as unë as ai, nuk patëm mundësinë të kontribuonim si qytetarë të Beratit, në shuarjen e sherrit që solli vrasje, krim. Ne, të dy, atë orë a minutë të keqe, vdekjeprurëse për Zotkaj, kishim ikur nga afërsia e vendkrimit dhe ky moment ishte edhe fatal për Zotkajn. Të dy, mendoj se, diçka do kishim bërë, pa pretenduar absoluten. Flamur Xheka me siguri do kish sakrifikuar minuta të tij për të shuar sherrin vdekjeprurës. Natyrisht edhe unë…. Lajmin tragjik të krimit e mora vesh në një lokal peshku, ndërsa me kishte ftuar miku im më i mirë i fëmijërisë, Feridum Qereshniku. Ne sapo drekonim me peshk, sallatë e patate të skuqura nën një shishe verë, pesëqind metër më larg vendit të krimit. Pikërisht, këtu na erdhi lajmi. Pronari i lokalit,  ndërsa fliste me dikë, na tha se, “tani ka ndodhur një vrasje”. Një me mbiemrin tim, Eskiu po më thonë se ka vrarë një me mbiemrin Zotkaj.”

“Ku, ka ndodhur?”, pyet i pari miku im Feridum Qereshniku.

“Tani… Është djali i …Eskiut. Në lulishte, sapo kanë dalë nga bilardoja! Kështu më thonë!”

“Atje, sapo isha unë”, them hutueshëm duke menduar se të dy mbiemrat janë të njohur!

“Janë qëlluar me armë?”, pyet Feridumi ose Dumi, si njihet në lagje!

“Nuk di ç’të them… Ju, vazhdoni, ka shkuar policia dhe ka arrestuar shkaktarët”, thotë Lad Eskiu, zverdhur paksa dhe natyrisht shqetësuar.

Pas pak unë dhe Dumi ngrihemi dhe dalim me “sherrin” e vogël të pagesës, ku Dumi, nuk më lejon të paguaj. Vrasja pranë nesh, bile me mbiemër të njohuri, nuk ka shtyrë më tej drekën tonë që pati fund të keq nga lajmi. Mendova se unë dhe Flamur Xheka, po të kishim ndenjur dhe pak, së bashku, mund ta eliminonim në mos grindjen, vrasjen. As unë, as Flamur Xheka, atë moment nuk ishim gjetur aty. Thua, askush tjetër, si ne nuk do të ketë qenë pranë kësaj vdekje banale? Dumi, shoku im i vjetër nuk di ç’të thotë, ndërsa dalim dhe pak më poshtë lokalit takojmë Muhamet Terpanakun, ose Metën, si e thërrisnim në klasë, njeriun që mbante nën humor gjithë klasën tonë. Meta na pyet nëse e morëm vesh lajmin e vrasjes. Dumi i thotë se po. Meta i kujton të shkuarën, kur me një polic, kontrollohej lagjja. Ai shton se: “Dhe nëse kish zënka, mund të kishte ndonjë grusht në fytyre, por kurrsesi vrasje”. Unë e kuptoj mesazhin, por nuk mund të mohohet vdekja e djeshme, vrasja banale me sherr, në lulishte, pas lojës në bilardo. Kohët janë të ndryshme, por kurrsesi e tolerueshme, vrasja… Qyteti mbërthehet nga ankthi. Flitet. Komentohet. I vdekuri rëndon si peng, mbi hapësirën e qytetit muze. Të ndaluarit janë nën hetim dhe shkaku banal në bilardo nuk i justifikon dot nga krimi. Unë mendoj se po të kisha vonuar largimin nga aty, ndofta edhe me Flamur Xhekën do e kishim ndaluar këtë vrasje banale. Mundet, pse jo?… Por ne nuk e ndaluam dot edhe pse të tjerë aty, besoj se ishin!…