Nis më 16 dhjetor licencimi për profesionet e mjekësisë

597
Sigal

Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar kalendarin e provimit të shtetit për profesionet në fushën e mjekësisë. Për këtë vit sezoni i provimit për këto profesione nis më 16 dhjetor, por do të vijojë edhe vitin tjetër në janar 2017. Të parët që do të hyjnë në testim për të matur dijet janë mjekët, të cilët e kanë provimin këtë të premte, ndërkohë që sipas drejtuesve të AKP-së, në total në këtë sezon do të hyjnë në provim të shtetit gati 2600 kandidatë, ku rreth 50% e tyre janë infermierë. Në testim kandidatët do të kenë 50 pyetje me alternativa dhe në total vlerësohen me 100 pikë. Që të quhen kalues, duhet të marrin patjetër 50 pikë. Përgjigjen kandidatët e marrin menjëherë sapo përfundojnë testimin, pasi ky provim është i informatizuar.

DATAT
Sezoni i gjashtë për provimin e shtetit në fushën e mjekësisë do të nisë më datë 16 dhjetor 2016 dhe do të mbyllet në datë 11 janar 2017. Të parët që do të nisin në datë 16 dhjetor provimin janë mjekët, të ndarë në dy grupe, po në të njëjtën ditë me ta e kanë edhe logopedët. Ndërsa në datë 19 dhjetor do të testohen tri grupe me stomatologë, po ashtu grupi i parë i testimit i datës 20 dhjetor do të jenë sërish stomatologë, ndërsa dy grupet e tjera të datës 20 dhjetor janë kandidatë që kanë mbaruar studimet e larta për teknik laboratori. Në datë 21 janar provimi i shtetit do të vijojë me fizioterapistët dhe grupi i tretë testimit, që do të nisë në orën 14:00 janë teknikët e imazherisë. Ndërsa në 22 dhjetor do të hyjnë në provimin e shtetit për t’u pajisur me licencën e ushtrimit të profesionit kandidatët që kanë mbaruar arsimin e lartë për mami. Në datë 23 dhjetor është lënë të testohen vetëm një grup infermierësh. Testimi i tyre do të vijojë edhe në tri ditë të dhjetorit, në datat 27, 28 dhe 29 dhjetor. Për shkak të ndërrimit të viteve, provimi i shtetit do të rifillojë në datë 4 janar me farmacistët, po ashtu testimi për këtë profesion të rregulluar do të vijojë edhe në datë 5 janar. Ndërkohë që 5 ditët në vijim do u lihen në dispozicion infermierëve, pasi janë rreth 1500 kandidatë që pritet të hyjnë në provimin e shtetit në këtë sezon.

DOKUMENTET&TARIFA
Në ditën e provimit, në rast të ndryshimit të mbiemrit, kandidati duhet të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim si dhe mjetin e identifikimit dhe mandatpagesën e tarifës së regjistrimit për provim shtetit. Kalimi me sukses i këtij provimi u jep të drejtë aplikantëve që të marrin licencën e ushtrimit të profesionit të mjekësisë, në të kundërt nuk mund të punësohen në sektorin publik. Tarifa që i nënshtrohen kandidatët që hyjnë në provimin e shtetit vjen në rritje në mënyrë progresive në varësi të herëve që kandidati i është nënshtruar provimit të shtetit. Nga 10 mijë lekë që paguan kandidati që i nënshtrohet provimit për herë të parë, ata që do të testohen për herë të dytë e kanë 12.500 lekë, testimi për herë të tretë e ka tarifën 15 mijë lekë, për herë të katërt 17.500 lekë, ndërsa më të lartë e kanë ata që testohen për herë të pestë, pasi duhet të paguajnë 20 mijë lekë. Faturën e pagesës kandidatët mund ta gjejnë në faqen zyrtare të AKP. Nëpërmjet saj ata duhet të bëjnë pagesën në një bankë të nivelit të dytë ose në postë.