Në ditën 8 dhjetorit, Basha, Berisha e Rama folën për “bëmat antikomuniste”, studentët u kërkuan abone e “Karta studenti”

578
Sigal

Fasada e Festës të Lëvizjes studentore,  politikanët i kanë braktisur  premtimet ekonomike

Problemi që po trajtojmë është një çështje e njohur, mbështetur me bazë ligjore, por prej 7 vitesh pa u zbatuar, lënë në harresë të plotë prej pushtetit lokal e qendror në qarqet ku ka universitete. Është fjala për pajisjen me dokumentin ligjor “Karta e Studentit” dhe në mungesë të tij, për pajisjen me “Abone Studenti” me 50% ulje çmimi. Ky shetësim për mospajisjen me këto 2 dokumente ligjore lehtësuese financiare për shërbimin e transportit urban, vazhdon të bëhet prezent prej 7 vitesh nga studentët në çdo fillim e vazhdim viti akademik. Fakti është ky: Ligji detyron dhënien e kartës dhe abonesë së studentit të çdo universiteti publik e privat, për të udhëtuar në të gjithë linjat urbane pa pagesë, ose me pagesë 50% të biletës. Por as pushteti qendror e lokal, nuk ua japin realisht këtë të drejtë ligjore. Për të trajtuar konkretisht këtë problem që po cenon financiarisht studentët, fillimisht po përmendim 4 fakte:

1. Në pikën e shitjes së aboneve të studentëve në parkun “Rinia” në qendër të Tiranës, pasi panë sportelin mbyllur dhe njoftimin e vendosur prej bashkisë: “Abone studenti nuk shiten”, një grup studentësh shqyen dhunshëm veshjen ballore prej llamarine të kioskës, ku prej 3 vitesh bashkia e ka caktuar si pikë shitje për abonetë e studentëve.

2. Në autobusin e linjës “Tirana e re”, dikush i paraqiti fatorinos “Kartë Studenti” lëshuar nga Bashkia Tiranë, shoqëruar me vërtetimin si student. Fatorinoja nuk ia pranoi kartën dhe i zgjati biletën, duke i thënë: – “Atë karton shko jepja Lulit dhe Edit, se ne nuk e njohim fare, jepi hidh lekët, ose zbrit”.

3. Katër ditë më parë, 3 studentë në emër të Këshillit Studentor të UT Tiranë, kërkuan të takojnë drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, për shpjegime rreth mungesës së aboneve studentore në treg. Nga brenda zyrave, erdhi kjo përgjigje telefonike: “Nuk merremi ne me abonetë e studentëve”!

4. Në këtë 8 Dhjetor 2014, ndërsa Berisha, Basha e Rama komunikuan me studentët për vlerat historike të lëvizjes studentore, studentët u kujtuan atyre premtimet dhe detyrimin ligjor, për t’i pajisur me abone e “Kartë Studenti”.

Çfarë ndodh me këto detyrime ligjore, që shteti ka ndaj 80 mijë studentëve të universiteteve publike e private? Këto dokumente lehtësirash financiare për shërbime publike e private, nuk po jepen qysh pas miratimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi në vitin 2008. Studentët edhe pse ua njeh ligji të mos paguajnë detyrime në shërbimin urban brenda qendrave të banuara dhe 50% çmim bilete transporti me linja autobusi në çdo rreth, ata vazhdojnë të paguajnë pagesa të plota në transportin ndërqytetës dhe biletë të plotë 30 lekë në çdo lëvizje me autobusët urbanë, ose pajisen me abone “shengen” 1200 lekë në muaj. Aboneja dhe “Karta e studentit” janë përdorur prej politikës dhe pushteteve lokale e qendrore si “kartë elektorale”. U premtohet në prag zgjedhjesh vendore e parlamentare dhe nuk u jepet. Sipas ligjit në fuqi, detyrimin direkt për pajisjen me abone e kanë bashkitë e qyteteve ku ndodhen universitetet ku ata studiojnë, në bashkëveprim me shoqëritë e transportit, Ministrinë e Transporteve, të Financave dhe me universitetet që konfirmojnë identitetin e tyre studentor. Bashkitë duhet të nxjerrin në treg abonetë, mbasi shërbimi është me koncesion që varet, rimbursohet e kontrollohet direkt nga bashkitë edhe për studentët, siç veprohet me veteranët e luftës, invalidët, jetimët. Po kështu, veprohet edhe për “Kartën e Studentit”, e cila i njeh studentit të qytetit ku është student, të drejtën të udhëtojë falas në linjat urbane dhe me 50% të vlerës së biletës në autobusët e linjave ndërqytetëse. Për studentët e Tiranës, kjo u premtua në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011 nga kreu i bashkisë Lulzim Basha dhe nisi pajisja e studentëve me këto karta. Por ato përfunduan si “copa kartoni me ngjyra”, mbasi nuk i pranoi asnjë nga 32 institucionet zyrtare dhe shërbimet private e publike, madje nuk i njohën as vetë zyrat e bashkisë Tiranë, duke u marrë studentëve lekë për shërbimet e parashikuara në kartë, që të kryhen pa lekë! Historia e “Kartës së Studentit” ka nisur qysh në 8 Dhjetorin e vitit 1992, kur Sali Berisha ish-President Republike u premtoi studentëve, se në janar 1993 do t’i pajiste me “Kartë Studenti”, për të kryer 17 shërbime publike e private falas, por nuk i pajisi. Këtë premtim e bëri edhe në vitin 2005, por përsëri nuk i pajisi. Këtë premtim e bëri dhe në vitin 2009, por nuk i pajisi. Këtë premtim e ka bërë edhe Edi Rama në tetor të vitit 2000, por nuk e realizoi. Këtë premtim e bëri edhe në zgjedhjet e mandatit të dytë të vitit 2003 e të mandatit të tretë të vitit 2007, por nuk i pajisi studentët me “Kartë Studenti”. Faktikisht, këto karta nuk janë dhënë, ose janë dhënë në Tiranë e nuk përfillen nga asnjë lloj shërbimi që është caktuar të kryhet pa lekë ose me lehtësi financiare. Madje, janë hequr nga qarkullimi edhe abonetë e studentit, të cilat edhe kur ishin në qarkullim, nga 600 lekë të reja që kishin çmimin zyrtar, shiteshin nëpër kafene e fakulteteve në “tregun e zi” me 800 e 1000 lekë të reja! Në Bashkinë e Tiranës, mësuam se janë pajisur afro 6000 studentë me “Kartë Studenti”, por këto karta nuk pranohen as në bashki, për të bërë… 1 fotokopje falas!

 Ja ligji i Arsimit të Lartë, që detyron pajisjen me “Kartë  Studenti”

 Ja çfarë përcakton Ligji për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, Nr. 9832, datë 12. 11. 2007, hartuar në mbështetje të  neneve 78 dhe 83, pika 1 të Kushtetutës, në nenin 56 të të cilit. me 4 pika ligjore përcaktohet dhe sanksionohet e drejta e pajisjes së çdo studenti shqiptar me dokumentin “Kartë Studenti”

1. Studentët e institucioneve publike e private të Arsimit të Lartë në Shqipëri, pajisen me “Kartën e Studentit” e cila është dokument unik. Me anë të saj, studentët përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara.

2. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përcakton kriteret dhe procedurat për përgatitjen dhe lëshimin e “Kartës së Studentit”.

3. Përfitimet e studentëve nga përdorimi i “Kartës së Studentit”, përballohen nga fondet e parashikuara në Buxhetin e Shtetit të ministrisë përkatëse, që mbulon institucionin e arsimit të lartë shqiptar.

4. Kategoritë e shërbimeve që ofrojnë entet shtetërore sipas kësaj karte, bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me marrëveshje me organizma që kanë objekt të tyre interesat studentorë e me persona juridikë privatë që ofrojnë shërbime të ndryshme.

5. Ky ligj nis zbatimin, më 3 janar 2008.

Somario

Ja 15, nga shërbimet që njeh “Karta e Studentit”

1. Udhëtimi në shërbimin urban:                     Pa lekë

2. Udhëtimi në transportin ndërqytetës:        50% ulje

3. Gjithë shërbimet mjekësore shtetërore:       Pa lekë

4. Gjithë shërbimet mjekësore private:            40% ulje

5. Energjia elektrike në banesa studentore:     50% ulje

6. Gjithë shërbimet në TELECOM:                  40% ulje

7. Gjithë shërbimet në qendra interneti:             50% ulje

8. Shërbimet studentore në shtypshkronja:      45% ulje

9. Shërbimet studentore në biblioteka:            Pa lekë

10. Gjithë shërbimet studentore, POSTA:       40% ulje

11. Transporti në hekurudhë:                          Pa lekë

12. Ushqimi në mensat e “Q. Studenti”:           50% ulje

13. Pajisja me pasaportë e kartë identiteti:      40% ulje

14. Argëtimi në qendrat çlodhëse:                   50% ulje

15. Shërbimi në qendra stërvitore:                  50% ulje

Përparim HALILI