Ndotja në Elbasan, shkaku i vërtetë, që çiftet nuk bëjnë fëmijë

1574
Sigal

SPECIALE/ Flet prefekti Shefqet Deliallisi, drejtor i ARM, Adi Madhi dhe Kryetari i Komunës Bradashesh, Sabi Sollaku

Elbasani njihet si trevë me ndotje më të madhe të ajrit dhe të tokës në Shqipëri dhe pranë Metalurgjikut, ku kryen aktivitetin kompania turke “KURUM” jetojnë 15 mijë banorë. Gjatë analizave që kanë bërë institucionet e specializuara për matjen e ndotjes në vendin tonë është konstatuar se banorët e Elbasanit kanë përqindjen e plumbit në gjak nga 6 miligram që është e pranueshme në 8 miligram, ndërsa përqindja e fenolit në gjak nga 0-40 miligramë është rritur tej normave të pranueshme deri në 120 miligram. E gjithë kjo ka ndikuar në shëndetin e banorëve, por veç sëmundjeve të ndryshme kanë të bëjnë tani edhe me sterilizimin e banorëve, të cilëve u humbet aftësia e riprodhimit. Këtë fakt pak kush e di nga banorët që jetojnë në këtë zonë.

Situata

Sipas specialistëve të mjekësisë derdhja e mbeturinave industriale dhe shkarkimet e pluhurave nga ish-kombinati metalurgjik dhe tani nga “KURUM” dhe “ACR”(ferrokromi), dhe disa operatorë të tjerë në Elbasan kanë dëmtuar drejt për së drejti shëndetin e banorëve, duke ju hequr çifteve më të dobët mundësinë e lindjes së fëmijëve. Sot këto çifte paguajnë atë që specialistët e quajnë “Pasojë e largët e mjedisit”. Por jo vetëm kaq, sipas statistikave më të fundit numri i vdekjeve që vijnë nga sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes është më i madh në qytetin e Elbasanit. Me gjithë shqetësimet e ngritura, afatet e vëna nga Qeveria Shqiptare dhe nga Ministria e Mjedisit problemet vazhdojnë akoma. Institucionet përkatëse Prefektura, Qarku, OJF dhe media ngrenë herë pas here problemin, por përsëri Elbasani mbete gangrenë e ndotjes në Shqipëri. Sipas disa të dhënave në mënyrë konfidenciale është tepër e dhimbshme kur mëson se gjatë një viti, vetëm në qytetin e Elbasanit kanë vdekur nga sëmundjet e organeve të frymëmarrjes mbi 100 banorë që ndodhen përreth uzinave helmuese të KURUM, ferrokromit dhe furrave të gëlqeres dhe disa operatorëve të tjerë që janë në këtë zonë.

Rriten kërkesat për birësim nga çiftet e reja

Në qoftë se interesohesh në Komitetin e Birësimeve është për të ardhur keq që kërkesat për birësim në këtë institut bëjnë çifte në moshë të re. Çifte që kanë vite të martuara, por që nuk munden të lindin fëmijë. Sipas Komunitetit të Birësimeve krahasuar me 2 deri në 6 vjet më parë janë rritur shumë kërkesa për të adoptuar fëmijë. Nga burime të rezervuara sipas dokumenteve të shqyrtuar në këtë komitet, numri më i madh i kërkesave për birësim i takon banorëve që kanë punuar në metalurgji dhe në fabrikën e çimentos si dhe banorët e zonave përreth metalurgjikut. E megjithatë veç hartimit të statistikave, që mbeten po nëpër këto dosje, askush nuk kujtohet për të marrë masa, askush nuk mendon të jap alarmin mbi pasojat e një problemi që nuk po gjen zgjidhje. Në një prononcim për “Telegraf”, flasin për këtë problem, prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit (ARM), Adi Madhi dhe Kryetari i Komunës Bradashesh, Sabi Sollaku. Sipas drejtueseve të KURUM, janë bërë mbi 7 milionë lekë investime në linjën e përpunimit të skrapit dhe në të gjithë fabrikën. Drejtuesit thanë se, pluhur kapësi i vendosur arrin të eliminojë 1.5 milion m3 gazra, por si ka mundësi në këtë rast që ndotja vazhdon të jetë në shifra të larta?

DELIALLISI: “DO MARRIM MASA DRASTIKE!”

Prefekti i Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi, në një prononcim për “Telegraf” për çështjen e ndotjes u shpreh: “Operatorët industrialë janë një nga ndotësit më të mëdhenj në Elbasan. KURUM-i ACR (ferrokromi), por edhe operatorët e tjerë që operojnë në këtë zonë ndotni mjedisin. Masat do të jenë drastike. Operatorët do të ndëshkohen nëse do të vazhdohet me këto parametra. Duke ju drejtuar përfaqësuesve të firmave të huaja, unë ju bëj thirrje se qytetarët e Elbasanit nuk kanë dy jetë tu presin ju derisa të vendosni filtra. A do të punonit me të tilla kushte në vendet e BE-së? Unë mendoj se çdo kohë e ka një limit”, tha Deliallisi.

MADHI: “PROBLEM, PËRDORIMI I SOLARIT”

Drejtor i Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Elbasan, Adi Madhi u shpreh: “Jemi në dijeni të problematikave, pasi kryetari i komunës ka parashtruar shqetësimin, sepse kjo është një situatë që del herë pas here nga kontrolli për shkak të shkarkimeve industriale tej normave të lejuara. Mund të them se brenda territorit të zonës industriale ka një ulje të normave të shkarkimeve, sepse fabrika e çimentos ka dalë jashtë pune, nuk punojnë furrat, Uzina e Tullave refraktare nuk punon. Në këto raste kemi operatorë të tjerë që është KURUM dhe ACR (ferrokromi), Uzina Mekanike dhe disa operatore të tjerë që nuk kanë ndikim të madh në mjedis. Në uzinat e KURUM-it problematike është përdorimi i lëndës djegëse me solarë dhe benzinë. Solari i vendit është i ndaluar për përdorim. Nuk do të lejojmë solarin e Ballshit, sepse është shumë i keq. Matjet e muajit tetor na treguan që pluhurat janë mbi normat e lejuara”, tha Madhi.

SOLLAKU: “KURUM NUK RESPEKTON KONTRATËN”

Kryetar i Komunës Bradashesh, Sabi Sollaku për këtë shqetësim tha: “Nuk ka nevojë për matje, ndotja është aq e madhe sa që duket po të zbresësh nga Kërraba. Kam folur disa herë me përfaqësuesit e KURUM-it dhe kam kërkuar të mos përdoret solari i Fierit dhe Ballshit, por ai u vu dhe realisht është një ndotës shumë i madh. Ndotjet kërcënojnë jetën e banorëve të Komunës së Bradasheshit. Ata më kanë dhënë votën dhe unë duhet të mbroj jetën e tyre. Por nesër kur të hyjmë në BE do të vijnë të tjerë që do t’i masin ndotjet dhe ata do të vendosin se çfarë do të bëhet. Ankesat janë në mënyrë të vazhdueshme pasi edhe me vendosjen e aspiratorëve përsëri ka ndotje. Dhe gëlqerja është një tjetër ndotje. Është bërë një marrëveshje para tre vjetësh, ka kaluar afati ligjor për mbylljen e këtyre furrave.  Nëse nuk merren masa për ndotjen do të mbledh 10 mijë banorët e komunës që drejtoj dhe do të bllokoj punën e operatorëve të mëdhenj”, -tha Sollaku.