Erozioni ‘gërryen’ tokat e Durrësit

1293
Sigal

STUDIMET/Deti merr 63 ha terren fushor në Rrushkull. Zonat me rrezikshmëri dhe pse hesht Ministria e Mjedisit

Duke iu referuar një fotoje ajrore të bërë për një studim shkencor që i përket zonës industriale të Porto-Romanos vihet re se uji ka hyrë shumë në thellësi të tokës duke përfshire shumë sipërfaqe tokësore. Madje edhe pse studimi i përket viteve 2007 -2008, ky avancim nuk ka pushuar, por është bërë sipas banoreve të zonës edhe më agresiv. Në foton ajrore është detajuar se uji ka depërtuar në thellësi të tokës në zonën e deltës së lumit Erzen rreth 800 m. Tashme duke iu referuar edhe të dhënave nga zona kjo shifër po i afrohet shifrës së 1 km pushtim toke nga deti. Në studimin e detajuar vërehet se: “Erozioni bregdetar pranë Deltës së lumit të Erzenit (vija e bardhë përfaqëson vijën e mëparshme bregdetare në foto). Në studim vërehet gjithashtu se në Veri-Perëndim dhe Jug-Perëndim të Porto Romanos, fenomeni i erozionit çon në avancim të detit siç vërehet edhe nga pozicioni i bunkerëve në foton përkatëse.

Strukturat tokësore të zonës së rrezikuara nga erozioni

Këto struktura përbehen sipas të dhënave shkencore nga depozitime që janë të gjenezave të ndryshme, si: depozitime aluviale, kënetore dhe depozitime detare. Trashësia maksimale e depozitimeve kuaternare në sinklinalin e Spitallës është rreth 130 m. Depozitimet aluviale (alQh) vendosen mbidepozitimet e “Suites Helmesi” dhe në pjesën më të madhe të Sinklinalit të Spitallës dhe arrijnë deri në thellësinë 50-60 m. Trashësia maksimale e depozitimeve zhavorore, rerore, surerore dhe suargjilore është rreth 70 m, ndërsa trashësia e shtresave të zhavorit varion nga 1-2 m deri në afërsisht 20 m. Mbi depozitimet aluviale vendosen depozitimet kënetore të Holocenit, të cilat dalin në fushën e Spitallës (ish-Këneta e Durrësit). Ato përfaqësohen kryesisht nga sedimente me kokërr imët si argjila, suargjila, rëra dhe lëndë organike. Trashësia maksimale e tyre në qendër të ish-Kënetës së Durrësit është rreth 50 m. Depozitimet detare të Holocenit që takohen përgjatë plazhit të Porto-Romanos dhe Gjirit të Lalzit. Ato përbëhen nga depozitime rerore dhe argjilore-rerore, trashësia maksimale, e të cilave është rreth 20 m. Këto depozitime mbulojnë gjithashtu të gjithë zonën e akuferit në Bishtin e Pallës. Hapësira bregdetare në veri të Durrësit pranë Porto-Romanos paraqet dy aspekte të ndryshme. Në veri të Porto Romano-s, në Gjirin e Lalzit ajo është e ulët dhe kryesisht rerore. Delta e lumit të Erzenit paraqet shenja të qarta të proceseve të erozionit. Bregdetin e këtë pjesë të gjirit është i tërhequr rreth 800 metra. Nga fotografitë ajrore vërehet një zhvendosje drejt jugut i Deltës së Erzenit.

63 ha të gllabëruara në Rrushkull

Më në veri të kësaj zone ndodhet zona e mbrojtur e Rrushkullit, mjaft e njohur në vendin tonë dhe e kudo gjendur në guidat turistike. Kjo zonë tashmë është krejtësisht e pambrojtur përballë agresivitetit të dallgëve të detit, i cili ka avancuar shumë në thellësi dhe ka gllabëruar rreth 63 ha terren fushor, i cili ka qenë mjaft i pyllëzuar më parë… Edhe ky bregdet në zonën e mbrojtur turistike të Rrushkullit ka pësuar ndryshime çdo vit. Specialistet e Ndërmarrjes Pyjore thonë se çdo vit deti ka avancuar në drejtim të tokës duke gllabëruar sipërfaqe ranore dhe pyjore. Si rezultat i gërryerjeve dhe avancimit të detit në thellësi të terrenit, nga harta tokësore janë hequr si inventar 63 ha tokë. Brezi i parë dhe i dytë i bunkerëve të rajonit mbrojtës të ndërtuar në mesin e viteve ’70 vitet janë zhytur tashmë në thellësi të  detit dhe vetëm disa prej bunkerëve të brezit të tretë duken herë pas here mes dallgëve. Peshkatari nga zona më e afërt e banuar Rrushkulli, Vangjel Shuqja thotë se, gjatë 20 viteve deti ka hyrë në thellësi në një distancë prej 2 deri në 3 kilometrash. Dhe kjo nga plazhi i zonës së njohur si plazhi i Rrushkullit deri në grykëderdhje të lumit Erzen. Ai vetë thotë se e ka spostuar rreth 5 herë barakën e vet, ku zhvillonte veprimtarin e peshkimit duke iu shmangur avancimit të detit me nga 200 deri në 250 m largësi. Sipas Haxhi Bicit, Shef Sektori i Policisë Pyjore, vetëm në distancën e një viti deti ka avancuar rreth 20 m thellësi dhe në një shtrirje gjerësore në bregdet në një linje 3 km gjatësi duke filluar që nga grykëderdhja e lumit Erzen e deri në një zonë të Rrushkullit. Bici thotë se, për ketë arsye tashme nga inventari i tokës janë hequr nga harta rreth 63 ha tokë, e cila nuk ekziston me. Specialistët saktësojnë se gërryerje ka edhe në zona të tjera të vendit, por se zona e Rrushkullit është ndër më të rrezikuarat.