Ndotet deti, pezullohen punimet për shëtitoren e re në bregdetin e Vlorës

557
Sigal

LUNGOMARE/ Investimi i Bashkisë pjesë e projekteve për 100 -vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë
Një masiv i madh dheu në krah të hotel “Bolonjës” në Vlorë, vazhdon të hidhet prej ditësh. Qytetarët të painformuar janë shqetësuar, pasi jo vetëm është krijuar ndotje në det, por ju pengon edhe kontaktin me detin, teksa qëndrojnë në mbrëmje në lokalet në Skelë. Duke mos u informuar nga bashkia e qytetit, vendasit kanë ngritur hamendjet se ky mal me dhe të kuq, futur në brendësi në det, bëhet thjeshtë dhe vetëm për të favorizuar një firmë ndërtuese që po ndërton disa metra më larg. Të tjerë, por edhe pushues janë shprehur se si mund të punohet, qoftë edhe për një investim të planifikuar në këto ditë të sezonit turistik, duke ndotur atë pjesë të detit, ku relaksohen skelarët.
Bashkia: Filloi investimi për Lungomaren
Përballë kësaj situate, pasi interesimit në bashkinë e qytetit, mësohet se ka filluar puna për ndërtimin e Lungomares, planifikuar si investim i rëndësishëm me rastin e 100- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Qytetarët janë njohur që në momentet kur u miratua buxheti, se me fondet e bashkisë, në prag të festës së madhe, do të mund të realizohen vetëm dy projekte, investimi në sheshin e Flamurit dhe ndërtimin e Lungomares, që do të bëhet në dy faza. Faza e parë starton nga Hotel “Bologna” deri tek “Aulona” dhe faza e dytë nga “Aulona” deri në Ujin e Ftohtë. Për këtë investim është shpallur edhe tenderi dhe fituesja ka filluar nga puna për ndërtimin e kësaj shëtitoreje, aq të domosdoshme për qytetarët. Ndërtimi i lungomares, do të spostojë qytetarët nga trotuaret e ngushta, ngjitur me rrugën automobilistike, për në brendësi të detit, duke shmangur kështu edhe rreziqet nga trafiku në kohën e sezonit.
Zyra mjedisore: Pezulluam punimet!
Shqetësimi qytetar se masivi i dheut ka ndotur detin, ka shkuar në Zyrën Mjedisore të Qarkut të Vlorës. Kreu i saj, Geron Gunbardhi, është prononcuar për gazetën, për këtë problem, mesditën e të premtes. “Kemi bërë verifikimet e duhura të dokumentacionit dhe konstatohet se punimet janë ligjore, në bazë të projektit që është miratuar për ndërtimin e lungomares. Gjithçka është e ligjshme, firma që ka fituar tenderin ka ditë që punon për ta përfunduar fazën e parë të këtij investimi, që bëhet me fondet e bashkisë me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Por, nëse jemi në rregull me ligjin, me procedurat që janë ndjekur, ka lindur një problem. Dheu i hedhur në det, ka bërë ndotjen e ujit, ndaj u detyruam të pezullojmë punimet, pasi jemi në ditët e sezonit turistik. Për këtë është mbajtur proces-verbali përkatës dhe nëse vazhdohet të punohet, do të respektohet ligji duke bërë ndëshkimet me gjobë. Pyetjes se me këtë veprim, mund të vihet në pikëpyetje përfundimi i investimit në prag të festës, Gunbardhi iu përgjigj: “Këtë pyetje duhet t’ia bëni bashkisë së qytetit, që i filloj tani punimet, kur edhe 20 ditë përfundon sezoni. Ne jemi zyrë mjedisore, konstatojmë që nga punimet ndotet deti dhe janë krijuar probleme për qytetarët. Ky fakt na bën të veprojmë, për kohën e investimit, duhet të mendojë bashkia”.