Pasiguria ushqimore në tregjet durrsake, e lartë

1114
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Durrës, Gëzim Ylli
Në tregje, në marketet dhe subjektet e tjera të produkteve ushqimorë, problem kryesor për konsumatorët është siguria ushqimore, kjo sepse produktet janë të pakontrolluara dhe jo në pak raste tregtarët abuzojnë me to, në mënyrë të hapur, ndërsa kontrollet nga Agjencia e Ushqimit më së shumti janë sporadike. Problematika është e madhe në disa drejtime, ndërsa jo pak e nxehtë është edhe çështja e therjes së mishit, që nis që nga higjiena e kasapëve, ambienteve, ku therin gjënë e gjallë, mënyra e transportit të mishit deri te hedhja e mbeturinave. Në Qarkun e Durrësit ky është problemi më i madh, i cili nuk po gjen zgjidhje, sepse mishi theret në mes të rrugëve e po në të njëjtën mënyrë tregtohet në dyqanet ndanë tyre, përmes pluhurit dhe zhegut të nxehtë të gushtit. Por në një intervistë për “Telegraf”, drejtori i Autoritetit Kontrollit Ushqimor për Durrësin, Gëzim Ylli shpreh shqetësimet e konsumatorëve dhe gjendjen aktuale në tregje.
Jemi në pikun e sezonit veror. Kuptohet që problematika me produktet ushqimore është e madhe. Ku është përqendruar vëmendja e AKU ?
Jemi përqendruar në zonën e plazhit sepse Durrësi është një qytet bregdetar dhe popullsia në këtë zonë disa fishohet gjatë tre muajve të verës. Ka një shtim të madh të konsumatorëve, të subjekteve dhe kjo situatë kërkon vëmendje të madhe për sigurinë e produkteve ushqimore që konsumojnë pushuesit. AKU ka ngritur 9 grupe inspektimi: për kontrollin dhe monitorimin e sigurisë të ushqimeve joshtazore, sigurinë e ushqimeve shtazore, sigurinë dhe mbrojtjen e bimëve dhe importeve bujqësore. Ekziston kontrolli që mbulon si vijën bregdetare dhe tregjet, baxhot etj., si dhe sinjalizimi në kohë i problemeve që dalin.
Z. Ylli, ku janë kryer kontrollet, sa të tilla janë kryer, çfarë ka rezultuar nga analizat e monstrave të marra?
Janë kryer rreth 158 kontrolle në 89 restorante, 39 fast-food dhe 12 pastiçeri, 10 byrektore, 8 pika tregtimi ushqimor. Janë analizuar rreth 56 mostra për tregues fiziko kimike dhe bakteriologjike, (enterobaktere dhe salmonel).
Shikojmë që në zonën e plazhit janë hapur mjaft biznese të reja që kanë të bëjnë me gatimin, si bare restorante dhe fastfoode. A janë kryer kontrolle në to? Pse nuk janë të pajisur me certifikata dhe libreza shëndetësore? Si veprohet në këto raste?
Janë kontrolluar bizneset e reja ushqimore me autorizim kontrolli “Evidentim i ri” janë të pajisur me libreza shëndetësore, kur ka ndonjë rast i lihet afat 1 javor për pajisjen dhe pezullohet deri në pajisjen me librezë shëndetësore, por shikojmë që bizneset këtë vit janë të ndërgjegjësuar dhe janë të njohur me kërkesat e ligjit ushqimor Nr 9863 dhe të AKU.
Fenomen, i cili vë në rrezik shëndetin e konsumatorit është therja dhe tregtimi i mishit në rrugë, pluhur dhe në diell. Ku është vërejtur më se shumti kjo situatë? Çfarë masash janë marrë? Për cilët tregtarë është bërë kallëzim në prokurori? A ka thertore? A funksionon ajo?
Në lidhje me fenomenin e therjes dhe tregtimit të mishit në rrugë AKU Durrës po mban nën monitorim të gjithë situatën duke vepruar me masa ligjore. Fenomeni është i përhapur në aksin rrugor Nikël –Thumanë, ku subjekte të paligjshëm therin dhe tregtojnë mish në anë të rrugës në mënyrë abuzive pa plotësuar kërkesat ligjore të këtij lloj biznesi. Për këto arsye krahas masave administrative që ka marrë drejtoria Rajonale, 10 subjekte të këtij aksi iu është bërë kallëzim penal në prokurori e në rrethit Krujë. Brenda në qytetin e Durrësit, vihet re një ndërgjegjësim i disa subjekteve në lidhje me therjen dhe tregtimin e mishit, të cilët po i plotësojnë kërkesat dhe standardet që parashikon ligji. Ndërsa në Qarkun Durrës nuk funksionon ndonjë thertore e përmasave të mëdha me licenca përkatëse, por disa mini thertore dhe pika tregtimi që nga dita në ditë po shkojnë drejt standardizimit të tyre.
Sa konfiskime mallrash janë bërë gjatë këtij viti në subjekte? Sa masa administrative keni vendosur në subjekte, a i shlyejnë?
Janë konfiskuar 289.13 Kv ushqime në vlere 434.23 Lekë. Konfiskimet janë bërë në subjekte të ndryshme gjatë kontrolleve, ku kanë rezultuar jashtë datës së skadencës, me etiketa në gjuhë të huaj, apo produkt pa certifikatën e origjinës së prodhimit. Janë marrë 4 masa administrative (gjobë) me vlerë nga 100.000 deri në 500.000 lekë të reja. Për shlyerjen e këtyre gjobave merren institucione të tjera.

Produktet pa etikët
Pyetjes se çfarë masash janë marrë për produktet që shiten pa etiketë në treg, pasi tregtarët abuzojnë me çmimet dhe cilësinëz. Ylli iu përgjigj: “Në përgjigjen konkrete për sqarimin e konsumatorit, hyn tek produktet e freskëta dhe etiketimi për këto produkte është më i veçantë, shënohet origjina, emiri i baxhos ose i fabrikës shtesat ushqimore dhe emri tregtar dhe afati i përdorimit. Si rregull inspektori kontrollon dokumentacionin shoqërues dhe fletë analizën që ky produkt e ka bërë para se del në treg në laboratorët e certifikuar, si dhe origjinën nga vjen gjë që sigurohet për gjurmueshmërinë dhe historikun e cilësisë dhe sigurisë së tij. Problemi i çmimeve do të zgjidhet në vijim, nuk është aktualisht problem i AKU, por do të zgjidhet me ngritjen e strukturave për cilësinë dhe çmimet referuese”.