Nderi i Vlerës/ Hartimi dhe kodifikimi i Kanunit të Labërisë

694
Nga Vasil BENDO
Vlerat e profesorëve tanë legjendarë janë te pafundme. Ne kemi për detyrë t’jua a dimë atyre për nder për veprat që na lënë si trashëgimi juridike, historike, kulturore dhe sociale. Njëra prej tyre është “Kanuni i Labërisë” dhe hartuesi e kodifikuesi është Prof. Dr. Ismet Elezi. Pyetja që shtrohet është: A është ky profesor hartues apo është vetëm kodifikues i kësaj vepre të jashtëzakonshme? Këtë kazus historiko-juridik shtron kritiku dashamirës, zoti Nazmi Sejfo në gazetën “Labëria” të muajit shkurt 2018, gazetë e Shoqatës Kulturore-Atdhetare “Labëria”. Përgjigjen historike nuk e vendos unë, atë e vendos historia e ardhshme e vendit tonë, por mendoj se kritiku duhet të studiojë të plotë analizën e veprës të botuar në gazetën “Telegraf” të datave 09-10 tetor 2017, revistën shkencore “Avokatia” nr. 23 Korrik 2017, dhe gazetën periodike trimujore “Rrënjët” qershor-tetor 2017 me qendër në Romë. Pasi të thellohet në njohuritë e tij juridike ligjhartuese, do të kuptojë më shumë për materialitetin juridik që na prodhoi profesori ynë i nderuar me veprën e botuar në vitin 2006. Kjo është një çështje teorike dhe problem historiko-tekniko-shkencor që nuk mund të përkthehet me dy fjalë. Kërkon leksione të gjata që publiku shqiptar nuk ka durim t’i dëgjojë, lexojë apo ndjekë por disa fjalë mund të thuhen shkurtimisht. Hartimi dhe Kodifikimi i projektakteve normative, qofshin ligjore, kodive apo kanunore, i përkasin njerëzve që zotërojnë një teknikë të lartë legjislative që jo çdokush e zotëron këtë mjeshtëri juridike. Kërkon pjekuri dhe eksperiencë ligjhartuese, hulumtime popullore, përkushtim draftues dhe marrje apo mbledhje të rregullave të sjelljeve të njerëzve në fusha të ndryshme të bashkëjetesës tonë sociale kombëtare dhe zonale. Kur ato përfundojnë me një libër që i shërben ardhmërisë së vendit, ato plotësojnë cilësitë që duhet të rrokë një hartues dhe draftues kanuni. Hartuesi nga kodifikuesi mendoj se nuk ndryshojnë. Këto cilësi besoj se i ka profesori ynë me vepren e tij. Vetëm kur vepra për të drejtën zakonore historike shqiptare, qoftë edhe zonale, materializohet me një libër të botuar, vetëm atëherë ajo i shërben njerëzimit dhe rron përjetë për atë njerëzim. Prandaj këtë vepër e konsideroj të hartuar dhe gjithashtu të kodifikuar nga profesori ynë i nderuar. Kanuni i shkruar është “Bibël dhe Kuran” për popullsinë nga rrjedh dhe shkruhet, kurse kanuni i pashkruar është fjalë në hava. Nuk jam historian dhe as njohës i thellë i kanuneve të Shqipërisë, por një gjë e them me siguri: Vepra “Kanuni i Labërisë i Prof. Dr. Ismet Elezi, profesori ynë, përmban cilësitë më të larta të së drejtës zakonore shqiptare dhe autori i saj meriton “Nderi i Kombit” për vlerën e veprës që na ka dhënë. Nuk bej polemikë me askënd, sepse nuk e kam në natyrën time, por them se nderi duhet t’i jepet vlerës, vlera është haptazi ndërmjet nesh dhe ne si shqiptarë duhet ta nderojmë vlerën e veprës dhe të autorit.
Sigal