Drejtësia italiane mund të kërkojë ekstradimin e Tahirit

563
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, mund të ekstradohet drejt Italisë, në rast se Kuvendi do t’i heqë imunitetin dhe do të japë autorizimin për ta arrestuar. Sipas burimeve nga organi i akuzës, hetuesit italianë zotërojnë prova të mjaftueshme ndaj deputetit të Shqipërisë, si pjesë e hetimit të nisur tashmë prej tyre për trafikimin e sasive të mëdha të drogës. Ekspertët juridikë kanë vlerësuar se hetimet për grupin “Habilaj”, të zhvilluara në Itali, u japin të drejtën prokurorëve nga përtej detit të kërkojnë edhe “praninë” e ish-ministrit shqiptar, krahas të arrestuarve të tjerë, mes të cilëve Moisi Habilaj. Për herë të parë, emri i Tahirit është regjistruar nga përgjimet e antimafias dhe është pikërisht pala italiane që deklaron, se në materialet e saj zotëron të dhëna të shumta për ish-kreun e Ministrisë së Brendshme. Sipas të dhënave, hetuesit italianë, të cilët kanë shpenzuar 4 vjet me dosjen “Habilaj”, zotërojnë materiale përgjimi dhe jo vetëm, për rolin e ish-ministrit shqiptar në ndihmë të grupit të trafikantëve. Megjithatë, si për prokurorët italianë dhe për ata shqiptarë mbetet pengesë zotërimi i imunitetit nga Tahiri si pjesëtar i Kuvendit dhe mungesa e një autorizimi për t’i hequr atij lirinë apo për ta kontrolluar. Dhënia e autorizimit nga Kuvendi do t’i hapte rrugë Prokurorisë shqiptare të Krimeve të Rënda për t’iu drejtuar gjykatës për heqjen e lirisë për Tahirin dhe më pas edhe autoriteteve italiane për të kërkuar ekstradimin, për shkak se hetuesit besojnë që krimi është kryer në territor italian. Një ekstradim i mundshëm do të shënonte të parën herë që një zyrtar e politikan kaq i lartë vihet përpara drejtësisë së një vendi tjetër.
Sigal