Homazh Irfan Bregut

707
Nga Luan ÇIPI

Diten e diel i është dhënë lamtumira e fundit Irfan Bregut, shokut dhe mikut tonë të dashur, gazetarit, poetit dhe mësuesit vlonjat, që gjithë jetën e tij u përpoq për fjalën dhe mendimin e lirë, për jetë më të mirë për Atdheun dhe për Vlorën tonë të bukur, që i skaliti dhe i bëri të pavdekshëm me shkrimet, poezitë dhe penën e tij të artë. Irfan Bregu lindi në qytetin e Vlorës në vitin 1938, u rrit dhe u burrërua këtu në Vlorë dhe në Kryeqytet dhe po këtu, në “Betlehemin e lirisë’, pati fatin të mbyllë sytë dhe të sigurojë përjetësinë. Duke mos u ndalur te gazetaria dhe mësuesia, që zunë një periudhe të gjatë pune për Irfan Bregun, ajo çka do ngelet e pavdekshme në krijimtarinë e tij letrare artistike është poezia me peshë, me specifikë poemën e bukur gjurmëlënëse, të mbushur me ide atdhetarie e dashurie dhe me bazë figurat artistike letrare dhe metaforat tërheqëse, që s’harrohen lehtë. Irfani nisi të shkruajë dhe nuk pushoi për 50 vjet rresht, ku zënë vend nderi: 15 poema, libra shkollore , tekste e antologji, fjalorë gjuhësor enciklopedik, disa libra me poezi, tri librat për Kosovën, etj. Në krijimet e tij të fundit poeti, duke luftuar me gjendjen e tij shëndetësore, të rënduar, vërente si qytetar, poet e shkencëtar me keqardhje, shkallën e pamjaftueshme të demokracisë shqiptare, shtimin e padrejtësive dhe krimit dhe drogës, me merakun që këto të zgjidhen e të ndreqen sa më shpejt, të merrte fund grindja shekullore dhe të kishte mirëkuptim të plotë shoqëror, me shpresë dhe besim që “lulet e zeza” të bëhen sa më shpejtë të bardha. I shprehim ngushëllime, në emër të Grupit te Shokëve të Tij me banim në Tiranë, Dritës, gruas së tij të denjë e heroike, djemve, familjes dhe të afërmve dhe gjithë qytetarëve vlonjat që e kishin Irfan Bregun, si djalin e tyre të dashur.
Sigal