Ndërhyrjet e paligjshme rrezikojnë trashëgiminë e qytetit që mbrohet nga UNESCO

263
Sigal

Gjirokastra është e ndarë në dy pjesë  që kundërshtojnë njëra tjetrën. Në pjesën e sipërme historike që mbrohet nga UNESCO ka interes të shtuar investime, ndërsa në pjesën e poshtme, stoku i ndërtimeve të pabanuara po rritet, prej braktisjes nga biznesi i vogël dhe  banorët. Të dhënat e bashkisë së Gjirokastrës tregojnë se ndërsa ka kërkesë në rritje për ndërhyrje në qendrën historike, në të cilën janë shtuar edhe ndërhyrjet e paligjshme në Monumente të Kategorisë së Parë dhe të Dytë që mbrohen nga shteti, në pjesën e poshtme të qytetit kërkesat për leje të reja  të ndërtimit janë në pikiatë.

Sipas të dhënave të siguruara, gjatë vitit 2020 Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit vendosi 17 gjoba për ndërhyrje të paligjshme ndërtimore në zonën muzeale. “Ndërhyrjet në banesa Monumente të Kategorisë së Parë apo të Dytë janë të karakterit përshtatës, sidomos për njësi pritëse turistike,”  tha Bexhet Baxhella, kreu i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë e Gjirokastrës. Drejtuesi i Inpektoriatit  tha se gjobat ishin nga 50 mijë lekë – për ndërhyrjet për të cilat kërkohej vetëm njoftim, deri në 500 mijë lekë për rastet kur për ndërhyrjet e paligjshme duhej të kishte leje ndërtimi. Megjithatë, Baxhella pranoi se pjesa më e madhe e gjobave të vendosura për ndërhyrje në Monumentet e Kulturës së Kategorive I dhe II nuk ishin paguar.

Dy vitet e fundit, sipas të dhënave të bashkisë, numri i arkëtimeve të masave administrative ka qenë i ulët dhe vetëm 1% e tyre është paguar. Ndërkohë që ndaj shkelësve nuk ka veprime pasuese ligjore dhe gjobat e mbledhura janë vetëm prej atyre qytetarëve që kanë vendosur të paguajnë vullnetarisht.

Rritja e turizmit nxiti ndërhyrjet e paligjshme

Në Gjirokastër nuk është vështirë të dallosh në zonën historike ndërhyrje pa kriter që vijnë  si shtesa të lehta në strukturat e banesave historike me elementë të rinj, që bien ndesh me stilin e vjetër të ndërtimit.

Shpesh janë vetëm ndryshime në përmasat e dritareve, por ka raste që ka zgjerime volumesh ndërtimi në përpjekje për të fituar hapësira shtesë.

Vitin e shkuar, Bashkia ndërhyri për prishjen e një ballkoni në zonë e pazarit që ishte ndërtuar pa leje.  Ndërhyrje të tilla në ndryshime volumesh të brendshme apo  shtesa jashtë banesës për mjedise utilitare nuk mungojnë.

Pronarët që janë ndëshkuar për shkeljet nuk pranojnë të flasin me emër, por i lidhin ndërhyrjet në të shumtën e herës me nevojat e banesave për hapësira të reja, në rastet kur në to mund të priten turistë.

Ata janë të vetëdijshëm se për këto ndërhyrje nuk mund të sigurojnë leje nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve në varësi të Ministrisë së Kulturës, pasi në monumentet e Kategorisë së Parë, ligji i Trashëgimisë Kulturore ndalon rreptësisht çdo ndërhyrje dhe në monumentet  e Kategorisë së Dytë ka kufizime të forta ligjore.

“Pronarët e 17 shtëpive u gjobitën vitin që shkoi për ndërhyrje të paligjshme ndërtimi në zonën muzeale në Gjirokastër, por vetëm 1 për qind e gjobave u mblodhën.”

 

 “Plagët” e vjetra pa zgjidhje

Lidhur me ndërtimet pa leje në zonën muze të Gjirokastrës, arkitekti Kreshnik Merxhani thotë se qyteti  njohu një periudhë qetësie pas raportit reaktiv të  UNESCO-s së vitit 2012, kur organizata botërore e mbrojtjes së monumenteve u kërkoi me forcë autoriteteve shqiptare të kontrollonin qendrat historike në Gjirokastër dhe në Berat nga ndërtimet pa leje dhe ndërhyrjet pa kriter.  “Janë rreth 400 ndërtime pa leje, për të cilat nuk ka një program rikuperimi afatgjatë,”  theksoi arkitekti..Në vitin 2005, kur Gjirokastra u përfshi në mbrojtjen e UNESCO, kishte 559 monumente të kategorisë së dytë, ndërsa në vitin 2017 në listë mbetën 323 monumente të kësaj kategorie.Ministria e Kulturës e argumentoi atëherë vendimin “me procesin e përditësimit të listës së pasurive kulturore me verifikimin në terren të të gjitha objekteve që ndodhen brenda Qendrës Historike të Gjirokastrës dhe të të gjithë dokumentacionit arkivor”.Por emra të njohur të kulturës kombëtare shqiptare shprehën kritika të forta për mënyrën se si ishte kryer reduktimi i  listës dhe rezerva për procesin  e kritereve të vlerësimit mbi të cilat ishin hequr monumentet që më parë rezultonin në dosjen që ishte paraqitur dhe në UNESCO.

/BIRN