Ndarja papritur nga jeta e Prof.Asc.Dr. Agron Panariti/ Avni Ponari: Na trishtoi të gjithëve

47
Sigal

Ndarja papritur nga jeta e Prof.Asc.Dr. Agron Panariti na trishtoi të gjithëve…

Humbje e madhe për familjarët, miqtë, por edhe për SIGAL UNIQA Group Austria, së cilës iu përkushtua me eksperiencën e tij të gjatë në misionin vizionar të Klinikës Lëvizëse.

Agroni karakterizohej nga përkushtimi dhe fisnikëria ndaj mijëra pacientëve, e të gjitha këto karakteristika të tij i përçoi në çdo qytet, në çdo fshat dhe në çdo rrugë ku Klinika SIGAL ka shërbyer.

Ndaj sot është mjaft e vështirë të ndahesh me një mik të mirë, një mjek humanist që e donte dhe e respektonte shumë bluzën e bardhë, një njeri i mrekullueshëm që shërbente jo vetëm me dije profesionale, por edhe me fjalë të ngrohta që i buronin nga zemra.

Ai ishte një nga bashkëpunëtorët më të mirë të Klinikës Lëvizëse SIGAL, duke i dhënë profesionalizmin një projekti novator dhe unik në të gjithë rajonin, për të ofruar ekzaminime falas për qytetarët.

Me hidhërim i bashkohem sot dhimbjes së bashkëshortes dhe dy djemve të tij. Agroni do të kujtohet përherë për fisnikërinë dhe maturinë e treguar, e do të na mungojë në rrugëtimin tonë drejt mundësive të reja.

Pushofsh në paqe Doktor Agron Panariti…