Misteri i vrasjes së policit në orën e shtetrrethimit, kush ishte tradhtari?

158
Sigal

Ekzekutimi i efektivit të FNSH-së, Xhulio Prela mëngjesin e djeshëm në 03:00 kur vendi ishte në shtetrrethim për shkak të orës policore është i mbuluar nga misteri. Pistat janë disa në tavolinën e grupit hetimor, por asgjë konkrete. Burime nga grupi hetimor raportojnë se pista e konflikteve për shkak të detyrës është zbehur, ndërsa kryesore është ajo për borxhet.

Punën e vështirëson akoma më shumë fakti që i riu i fshinte bisedat dhe mesazhet në telefon dhe në momentin që policia e ka hapur celularin e tij në vendin e ngjarjes nuk ka gjetur asgjë.

Thirrjen e fundit në telefon Prela ka pasur atë të djalit të hallës për të marrë në Rinas mikun e familjes, i cili në dëshminë e tij në polici është shprehur se “i kërkova të më merrte nga aeroporti, pasi ishte ora policore dhe duhej autorizim për të lëvizur”.

Por pikëpyetja e madhe është kush ishte tradhtari që spiunoi lëvizjet e efektivit të policisë nga shtëpia në Rinas, Shkodër dhe kthimin në Lezhë? Autorët duket se kanë pasur një informator nga brenda që i ka vendosur në dijeni për gjithçka pasi nga mënyra e ekzekutimit nuk bëhet fjalë për amatorë.

Fakti që ndaloi në vendin e ngjarjes kur po kthehej nga Shkodra në Lezhë, policia dyshon se i ka njohur autorët. Megjithatë shpresa është te tabulatet telefonike dhe shenjat e gishtave që janë gjetur në derën e shoferit, që mund të çojë në gjurmët e autorëve, që sipas burimeve mendohet se ikën në drejtim të Milotit.