Presidenti Meta: Nuk kam asnjë shqetësim nga akti dëshpërues i Parlamentit të shkarkuar më 25 prill

209
Sigal

Deklaratë për mediat e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta

Përshëndetje!

Mirëserdhët në epokën e pluralizmit politik të pas 25 prillit, sepse kam vënë re, që ka shumë të mërzitur.

Natyrisht, nuk mendoj, që ka shumë arsye për cilindo, që të jetë i lumtur, por  të paktën duhet të jemi të kënaqur, për faktin se nga epoka e para 25 prillit e Parlamentit monist,  po rikthehemi në epokën e pluralizmit politik parlamentar, pavarësisht se zgjedhjet ende nuk kanë përfunduar dhe duhet të jemi të duruar derisa të përfundojë i gjithë procesi i ankimimit sipas Kodit Zgjedhor në fuqi.

Për shkak se në këtë periudhë kam pasur kërkesa të vazhdueshme nga ana juaj për intervista dhe konsiderata të miat lidhur me shfaqjen më të fundit të Parlamentit monist, ju e dini, që jam përpjekur të qëndroj larg asaj shfaqjeje, sepse ka qenë e qartë se ka qenë e ndërtuar për të hequr vëmendjen nga hetimi i krimeve zgjedhore dhe zbardhja e tyre, si dhe për të spostuar vëmendjen tek fajtorë që nuk ekzistojnë.

Edhe pse Parlamenti ka qenë i shkarkuar që më  25 prill, ju e dini gatishmërinë time për të takuar iniciatorët e kësaj shfaqjeje, brenda afatit ligjor, që ishte data 10 maj, kërkesë kjo e bërë nga ana ime, që u refuzua prej tyre.

Ata e kishin me diktat, që Presidenti i Republikës duhet të linte takimin e planifikuar prej 10 ditësh, sipas Protokollit të Shtetit, me Ministren e Jashtme të Austrisë dhe me Presidentin e Sllovenisë, për t’iu nënshtruar tekave të Parlamentit të 120 deputetëve.

Atëherë, fillojmë me pyetjen: Kush e përfshiu Presidentin në fushatë, në datë 10 mars 2021? (Shfaqet video dhe foto)

Këto janë edhe billboard-et e vendosura në të gjithë Shqipërinë ku është edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Të jeni të sigurt, që këto, nuk i ka vendosur as Presidenti dhe askush nga opozita, pasi siç e dini, pushtetin vendor në të gjithë territorin e vendit, e kontrollon vetëm një parti, por edhe Policinë e Shtetit, si dhe të gjitha institucionet e tjera.

Kjo “përfshirje”, një fakt, që e kanë parë të gjithë kudo, është denoncuar sipas ligjit dhe Kodit Zgjedhor është denoncuar edhe në Prokurori, pavarësisht se ende nuk kemi ndonjë të dhënë nëse është ndaluar dikush, që ka bërë një veprim të tillë tërësisht të paligjshëm, përveçse dhe shumë të kushtueshëm sepse këto billboard-e kushtojnë shumë.

Të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur!

Nuk po japim shfaqje se çfarë është thënë kundër Presidentit, por është e tepër e qartë se të gjitha shqetësimet e Presidentit u verifikuan.

Do të ishte mirë të kishim patur zgjedhje model, por e dinë shumë mirë të gjitha ata që duan ta dinë, se Presidenti ka bërë çdo përpjekje për të parandaluar degradimin e standardit të zgjedhjeve.

Është për të ardhur keq, që numri i denoncimeve të krimeve zgjedhore, para dhe gjatë procesit të zgjedhjeve është shumë herë më i lartë se sa në vitin 2017.

Kjo ka ndodhur për shkak të mos-hetimit të dosjeve të Dibrës dhe të Shijakut, jo vetëm kaq.

Por edhe për shkak edhe të sfidës, që është bërë publikisht, për të përsëritur “tërmetin” e Dibrës edhe në Vlorë, kuptohet edhe në të gjithë Shqipërinë.

Nuk kam asnjë shqetësim nga akti dëshpërues i Parlamentit të shkarkuar më 25 prill.

Unë pres me shumë qetësi dhe durim, përfundimin e të gjithë procesit të ankimimeve dhe do të bashkëpunoj me shumicën e re, kushdo që do të jetë, edhe me opozitën e re në Parlamentin e ri, gjithmonë në respekt të Kushtetutës, të procesit të integrimit europian dhe të rivendosjes së sistemit të llogaridhënies,  hap pas hapi, në të gjitha nivelet.

Janë të gjitha mundësitë, që kjo të fillojë të ndodhë në Kuvendin e ri.