Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) nuk do të ofrojë më shërbime në sportelet e vendit, por do t’i zhvendosë këto shërbime në platformën online e-Albania.
Një projektligj i ri, i dorëzuar në Parlament nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe që mban firmën e Mirlinda Karçanajt parashikon mbylljen e ADISA-s dhe rritjen e pagave për vartësit e saj të AKSHI-t me argumentimin se pagat aktuale janë të ulëta në krahasim me kompanitë private.
Por vendimi për mbylljen e Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) lë pa punë dhe nxjerr në mes të rrugës 164 punonjës, disa prej të cilëve kanë shërbyer për më shumë se 10 vjet në këtë institucion.
Deri tani, punonjësit e ADISA-s asistonin qytetarët në aplikime dhe kërkesa për informacion. Rikonstruksioni i këtyre qendrave kishte për qëllim sigurimin e një shërbimi cilësor dhe ndershëm, në përputhje me politikën për qendrimin e qytetarit në fokus dhe statistikat tregojnë se gjatë vitit 2020, sportelet e ADISA-s patën një aktivitet të lartë, me 558,521 aplikime dhe 227,371 kërkesa për informacion.
Ndërkohë, qytetarët tani po përballen me më shumë vështirësi, kosto të rritura dhe vonesa pasi siç dihet nga të gjithë edhe pse Mirlinda nëpërmjet e-Albania përfiton miliona lekë nga buxheti i shtetit, ky portal qeveritar më shumë të vonon dhe streson, sesa të zgjidh punë në kohë.
Punonjësit e ADISA-s shprehin shqetësim për pasigurinë e tyre dhe kërkojnë sqarime mbi masat që do të merren për mbështetje në këtë periudhë të vështirë. Ata kanë nënshkruar edhe një peticion drejtuar Edi Ramës, zv.kryeministres Belinda Balluku, sekretarit të përgjithshëm të ministrave Engjëll Agaçit dhe drejtorit të akteve rregullatore në kryeministri, ku kërkojnë shpjegime për udhëkryqin me të cilin përballen dhe masat që do të merren, pasi shumë prej tyre janë familjarë dhe kanë fëmijë për të mbajtur me bukë sipas joq.
Ata thonë se kjo situatë vjen në një kohë kur Kryeministri ka deklaruar se në administratën publike ka rreth 5000 vende të lira pune dhe asnjë punonjës shteti s’mbetet pa punë. Por për Mirlindën që s’ndal abuzimet e vjedhjet me tenderimet publike, lënia e 164 punonjësve pa punë e në prag të Vitit të Ri, s’do të thotë asgjë përveçse më shumë para për xhepat e saj të tejmbushur.
Deri më tani nga Kryeministria nuk ka asnjë reagim zyrtar për këtë situatë dhe punonjësit e ADISA janë të shqetësuar për fatin e tyre pasi të hênën më datë 21 Tetor hyn në fuqi shfuqizimi i ligjit “‘Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”.