Ministria i njeh kartonët e marr në kurse, si diploma universitare, grada e tituj shkencor

895
Kanë ardhur shumë reagime nga profesorë, shkencëtar, studiues, drejtues të arsimit të lartë, drejtues ët institucioneve publike e private shkencore, pedagogë e madje nga shumë studentë, të cilët prononcohen edhe me ide e denoncime konkrete, në mbështetje të shkrimeve të publikuara këto ditë në “Telegraf”, lidhur me zgjedhjet universitare, diplomat, gradat e titujt shkencor që jepen fiktivisht e qëllimisht nga kupolat e universiteteve shtetërore jo si nivel shkencor real, por si “dokument” për karrierë në botën akademike prej atyre që i blejnë këto diploma, tituj e grada “copa kartoni” me firma rektorësh, dekanësh, komisionesh e ministrash! 

Dëshmi kursesh, të marrë nëpër botë, që njehsohen si diploma e grada shkencore në Shqipëri


Sot po ndalemi në një nga letrat e bëra prej një grupi pedagogësh e profesorësh nga Tirana, të cilët bëjnë prezent një skandal e turp, që ka mbërthyer kupolën e korruptuar e “dru me pre” të Ministrisë së Arsimit! E kemi fjalën për njehsimin e diplomave, titujve e gradave shkencore që merren, ose më saktë, që jepen jashtë shtetit! Ka ligje, ka VKM, ka urdhra ministri, me të cilët kartonët me mbishkrimin diplomë, profesor, doktor, master, akademikë që merren në shtete të tjera, njihen si të tillë edhe në Shqipëri, madje bëhen jo vetëm të baraz-vlefshëm me diplomat, titujt, gradat, master-at që fitohen në universitete publike shqiptare, por cilësohen edhe si më me fuqi. Po i referohemi praktikës që ofron ministria e arsimit, lidhur me njehsimin e këtyre titujve, gradave e diplomave të huaja. Aplikimi për të njehsuar diplomën, titullin, gradën e fituar jashtë Shqipërisë, kryhet në portalin qeveritar “E-Albania”. Aplikanti plotëson “online” formatin e aplikimit, duke i bashkëlidhur, diplomën ose vërtetimin e diplomimit, listën e notave ose suplementin e diplomës dhe dokumente zyrtare identitetifikimi personal. Pas mbërritjes së aplikimit në MAS dhe protokollimit, dosja depozitohet pranë sektorit të njehsimit të diplomave. Prej këtej, dosja kalon për shqyrtim dhe vendim pranë Komisionit të Njohjes së Diplomave. Pas njohjes nga Komisioni, pas firmosjes nga Kryetari i Komisionit dhe nga Sekretari i Përgjithshëm në MAS, diploma quhet e njehsuar si titull universitar e akademik! Sipas ministrisë së arsimit, komisioni i reformës në Arsimin e Lartë ka përcaktuar një nen të posaçëm, që përcakton rrugën që do ndiqet për ekuivalentimin e diplomave të lëshuara sipas sistemit të vjetër. Konvertimi i tyre përcaktohet në varësi të semestrave që janë kryer deri në marrjen e diplomës përkatëse. kjo është procedura zyrtare. Po praktika reale, si bëhet? Përse nevojitet ky njehsim për ata që thonë se vijnë me diploma “profesorëllku” nga jashtë dhe sipas “erës” politike që vjen në pushtet, pasi pajisen me kartona kursesh 3, 6 e 9 mujore dhe me diploma fallco universitetesh imagjinarë, bëhen pjesë e “sërës” së lartë të pushtetit, sidomos familjarë dhe miq të shtetarëve e politikanëve, duke u “graduar” si shefa, në poste ku bëhen miliona! Këtë mundësi ua krijojnë lidhjet nepotike, pazaret dhe interesat përfituese reciproke, duke përdorur diplomat, titujt e gradat shkencore me logo të huaja, të cilat Ministria e Arsimit i kalon si të “rregullta” me plotësimin dhe pranimin e një formulari që nuk verifikohet! Madje, ka dalë edhe një urdhër i Ministres së Arsimit, i cili përcakton kështu: Diplomat, titujt dhe gradat e fituara jashtë Shqipërisë përpara vitit 2014, të mos verifikohen më, por të quhen të vlefshme “verbalisht”. Ky është një skenar i qëllimshëm, për të mos bërë spastrimet e “profesorëve” nga institucionet shtetërore, shkencore, shoqërore, kulturore, universitare, diplomatike e akademike, që në fakt janë me dëshmi kursantësh nëpër shtetet dhe shkollat e zanatçinjve nëpër botë, të cilat i kanë paraqitur e legalizuar në Shqipëri, si diploma, tituj e grada shkencore universitare dhe akademike. 

Administrata, ligjvënia, arsimi i lartë dhe diplomacia, mbushur me “profesorë” me diploma të huaja

Dëgjojmë përditë “profesorë”, që thonë: “Kam diplomë, titull, gradë shkencore, master të huaj”! dëgjojmë shtetarë e politikanë, që thonë: “Filani u bë ministër, akademikë, diplomatë etj, se ka kryer studimet jashtë shtetit”. Nisur prej këtij qëndrimi, mësohet se këta “profesorë e doktorë” me diploma të marra jashtë Shqipërisë përbëjnë 60% të qeverisjes aktuale, vendosur në poste si ministra, zv/ministra, drejtorë, diplomatë, drejtues institucionesh e shërbimesh publike qendrore e rajonale, madje edhe deputetë. në sistemin universitar shqiptar, 40% e atyre që japin mësim janë me këto lloj diplomash, por që nuk i tregojnë e nuk ua kërkon askush, por… që u kanë njohur si të mirëqena! Nuk e kemi fjalën për “racizëm” diplomash, titujsh e gradash shkencore të huaja, që njihen e njehsohen në Shqipëri dhe që me to në “duar e në ballë”, ata emërohen në poste pushteti, politik dhe në botën universitare! Fjala është, se si bëhet verifikimi i tyre? Si bëhet njehsimi i tyre? A kalojnë këta në një “provim” paraprak, apo këto diploma, tituj e grada kalojnë testin me plotësimin e një formulari, që kërkon vetëm emër, mbiemër, datëlindje dhe titullin e fituar? Me çfarë procedure, komisionesh, urdhrash e praktikash bëhet ky njehsim? Sepse kemi dëgjuar, që një ministri, një seli diplomatike, një drejtori qendrore, një institucion shkencor, një fakultet e madje edhe në universitet, drejtohet nga një individ me diplomë, gradë e titull shkencor të marrë në Itali, Frnacë, Gjermani, SHBA, Suedi e deri në Indi apo Australi. Por minimalisht e formalisht, nuk publikojnë as kartonin, veçse deklarojnë se çfarë diplome, titulli e grade kanë marrë! Pra, sa të vërtetë janë këto shkollime universitare e akademike, që ata i paraqesin me kartona me logo universitetesh të huaj, të cilët nuk gjenden as si emër, sikur të “gërmosh” gjithë botën? Pyetja që bëhet dhe që ka një skandal të rëndë brenda është kjo: A njehsohen këto fiktivisht, pa asnjë kontroll, si “kërrabë” për kapje postesh në universitete, në ligjvënie, në pushtetin ekzekutiv, në institucionet shkencore, në administratën publike, në diplomacinë e politikën shqiptare, për t’u bërë ministra, deputetë, rektorë, ambasadorë, konsuj e çfarë të synojnë Kur flitet për arsim të lartë, nuk duhet të kemi parasysh godinën e korpusit qendror të universitetit, por ligjet, vendimet, urdhrat, udhëzimet dhe praktikat me të cilat orientohet, kontrollohet, aplikohet e drejtohet sistemi universitar. Ministrisë së arsimit, as Ministria e Arsimit ka publikuar emrat e 458 të rinjve që u janë njehsuar diplomat. Studentët dhe nxënësve u janë njohur studimet që kanë mbaruar jashtë vendit, duke pasur mundësinë që të aplikojnë në Universitet ose për punë në institucionet shqiptare.
——————————————————
Dosja e aplikimit duhet të përmbajë dokumentet e mëposhtme:
1. Diplomën ose certifikatën/vërtetimin e diplomimit; 
2. Listën e notave ose suplementin e diplomës
3. Dokument zyrtar identiteti: fotokopje e pasaportës dhe kartës së identitetit për shtetasit shqiptarë dhe të huaj
4. Mandatpagesën 
——————————————————- 
Rotacioni i kolltukëve të drejtuesve universitarë, cikël i mbyllur me të njëjtit emra
Ajo që bie në sy në zgjedhjet për drejtuesit universitar dëshmon një skandal tjetër të rëndë, që lidhet me “sundimtarët” e universiteteve. Në universitete shtetërore janë krijuar klika sunduese me të njëjtit emra. Çfarë po ndodh? Ata që janë rektorë dhe për shkak të plotësimit të numrit të mandateve të përcaktuar në urdhrin nr. 110, datë 15. 03. 2016 të Ministres Nikolla nuk kanë të drejtë të kandidojnë për mandat tjetër në vijim, nuk dalin nga postet drejtuese, por kanë shpallur kandidaturat e tyre për t’u zgjedhur dekan, ëpr të zgjedhur përsëri në senate e në krye të senateve! Ky rotacion, ose më sakt ky ndryshim postesh prej të njëjtëve persona në kryet posteve të universiteteve ka afro 20 vite që ndodh. Në çdo 4 ose 8 vite, të njëjtit i gjen ose në krye të fakulteteve, ose ën krye të universiteteve. Duke ndërruar vendet me njeri-tjetrin. Nëse shikon listën e kandidatëve të këtyre zgjedhjeve në universitete, shikon se janë po ata, që kanë lënë postin e dekanit dhe kërkojnë postin e rektorit, që kanë lënë postin e rektorit dhe kërkojnë postin e dekanit. Ky qarkullim kolltukësh nuk është qarkullim vlerash, por sundim postesh drejtuese, duke votuar për kolltukët e njeri-tjetrit në çdo 4 ose 8 vite! Prej mëse 20 vitesh universitete shqiptare janë marrë peng prej disa mediokreve që nuk kanë nivel shkencor e profesional as të një ekonomisti, financieri firme kokoshkash, të një elektricisti, të një motoristi, të një mësuesi gjuhe të ciklit të ulët, të një laboranti me shkollë të mesme, të një tekniku ndërtimi etj, por ja që me vota të blera e me mbështetje klienteliste, politike e klanore uzurpojnë postet drejtuese në universitete dhe i shkëmbejnë me njeri-tjetrin në çdo proces zgjedhjesh.
Sigal