Nishani kthen për rishqyrtim ligjin për mediat audiovizive

491
Presidenti i Republikës ka kthyer në Kuvend ligjin për mediat audio-vizive. Në argumentimin e tij Nishani thotë se, sa i përket drejtorit të ri të Radio Televizionit Publik Shqiptar, me ligjin e ri shumica thyen konsensusin. Po ashtu, ai shton se, përmes këtij ligji nuk garantohet pavarësia e institucionit.Përveç kësaj, Nishani thotë se duhet një zgjidhje ligjore që garanton zgjedhjen me konsensus të drejtorit të ri të RTSH-së.
Ja dekreti i Presidentit Bujar Nishani
Në seancën plenare të datës 10 Mars 2016, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr.22/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë””. Ky ligj është paraqitur për shpallje më datë 16 Mars 2016.
Grupi i deputetëve propozues të ligjit në relacionin shoqërues të projekt-ligjit në fjalë ka vlerësuar se ligji nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i miratuar tre vite më parë merrte përsipër të rregullonte veprimtarinë e transmetimeve audiovizive në Republikën e SHqipërisë, në përputhje me standartet demokratike të funksionimit të medias. Por, pavarësisht se ky ligj u hartua në përputhje të plotë me legjislacionin europian dhe në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e Këshillit të Europës, Komisionit Europian dhe OSBE-së, deputetet propozues të ligjit kanë vlerësuar se janë konstatuar pengesa gjatë zbatimit të ligjit, të cilat kanë sjellur pasoja të rënda në drejtim të funksionimit të RTSH-së, si transmetuesi i vetëm publik në Shqipëri.
Përmes këtij ligji, është përcaktuar rregullimi ligjor që nëse dështohet në zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) në tre raunde përmes një shumice të cilësuar, atëherë në raundin e katërt dhe të pestë të kalohet në shumicë të thjeshtë. Ndërsa, për lirimin e tij, sipas propozimit të deputetëve, është mbajtur shumica e cilësuar 2/3 e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (KDRTSH), si një element që garanton pavarësinë në ushtrimin e funksionit të Drejtorit të Përgjithshëm. Gjithashtu, sipas ligjit është parashikuar që këto ndryshime ligjore të zbatohen edhe për zgjedhjet që janë duke u zhvilluar në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, me qëllim që të veprohet sa më shpejt për zgjidhjen e situatës.
Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës kam vlerësuar se ky ligj, duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit mbështetur në arsyet dhe argumentet e mëposhtme:
Së pari: Presidenti i Republikës është plotësisht i angazhuar në zbatimin e Kushtetutës, jurisprudencës së saj dhe për më tepër në plotësimim e rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Bashkimit Europian, në drejtim edhe të pavarësisë së RTSH-së dhe lirisë së medias.
Ligji 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” është miratuar pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 dhe ishte baza e duhur për një transmetues publik të ringritur. Kuorumi në 2/3 i anëtarëve të KDRTSH-së ishte kushti i vendosur nga opozita parlamentare si dhe më pas konsensusi i arritur mes forcave politike me qëllim garantimin e menaxhimit të pavarur profesional të RTSH-së.
Referuar Relacionit të projekt-ligjit dhe raportit të Komsionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, rezulton se shkaku i ndryshimit ligjor ka qenë pikërisht mosarritja e kuorumit të kërkuar nga ligji për zgjedhjen e Drejtorit të RTSH-së dhe qëllimi ka qenë në drejtim të gjetjes së një zgjidhje fundore.
Referuar dokumenteve parlamentarë, domosdoshmëria e një ndryshimi të tillë ka ardhur sa kohë që palët politike nuk kanë arritur një konsensus dhe si rezultat është cënuar mirëfunksionimi i RTSH-së në përballjen e sfidave që ky organ ka në procesin e digjitalizimit të RTSH-së, të zbatimit të ligjit apo edhe vetë detyrimit që autoritetet shqiptare kanë në drejtim të procesit të integrimit europian.
Referuar nenit 1 të ligjit 22/2016, që ndryshon nenin 102/3 të ligjit 97/2013 parashikohen pesë raunde për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, ku në tre tre raundet e para kërkohet një kuorum prej 3/5 e të gjithë anëtarëve të KDRTSH-së dhe në dy raundet e tjera shumicë e thjeshtë. Një zgjidhje e tillë krijon premisat e zgjedhjes së një personi të parapëlqyer nga mazhoranca në KDRTSH, i cili gëzon votbesimin e supermazhorancës parlamentare.
Në dokumentet parlamentare, me qëllim justifikimin e një ndërhyrje të tillë ligjore është bërë referencë në progres raportin 2015, ku theksohet sidomosdoshmëria e zgjedhjes sa më parë të Drejtorit të RTSH-së, por edhe pavarësia e RTSH-së.[1] Pra, është e kuptueshme që zgjedhja e Drejtorit të RTSH-së është e domosdoshme, por pa u cënuar pavarësia e RTSH-së, që mund të ndikohet nga një drejtor politik që nuk është produkt i kompromisit mes anëtarëve të KDRTSH-së të mbështetur nga forcat përkatëse politike. Në rastin konkret, anëtarët e KDRTSH-së të mbështetur nga mazhoranca kanë votuar me insistim të preferuarin politik të tyre dhe nuk qenë të hapur për të konsideruar kandidatë të tjerë potencialë të pranueshëm nga mazhoranca kuvendore, duke thyer rregullin e vendosur përmes ligjit 97/2013, që orienton drejt konsensusit në përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së. Për të realizuar qëllimin, mazhoranca politike duket se ka gjetur një zgjidhje përmes ligjit të ri, që thyen konsensusin që duhet të arrihet për të garantuar pavarësinë e RTSH-së.
Pragu i duhur i votave që duhet të vendoset për emërimin apo lirimin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, duket se është më tepër një cështje politike sesa një cështje kushtetuese dhe ligjore. Por, referuar parimit të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve[2] dhe lirisë së medias dhe si rrjedhojë pavarësisë së RTSH-së[3], një çështje e tillë nuk është thjesht politike, por kthehet edhe në kushtetuese. Për analogji, Komisioni i Venecias në opinionin e dhënë për reformën në drejtësi në drejtim të zgjedhjes së organeve/zyrtarëve që kërkojnë shumicë të cilësuar, ka konfirmuar se: ‘shumicat e cilësuara normalisht kërkohen në fusha më të ndjeshme sidomos në zgjedhjen e zyrtarëve të institucioneve shtetërorë’
Me qëllim që të garantohej ndalimi i censurës paraprake të mjeteve të komunkimit dhe të arrihej objektivi i lirisë së medias dhe pavarësisë së RTSH-së, gjë e kërkuar nga Bashkimi Evropian, u dakordësua mes forcave politike në vitin 2013 që zgjedhja e një zyrtari të tillë të bëhej me 2/3 e votave të KDRTSH-së. Kjo është dakordësuar së fundi mes raporterit Fleckenstein dhe deputetëve të tjerë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, ku kërkohet që Drejtori i RTSH-së të jetë konsensual.[5] Zgjidhja e gjetur përmes ligjit 22/2016, jashtë çdo konsensusi mes forcave politike, duket se dëmton rëndë lirinë dhe pavarësinë e medias të garantuar me Kushtetutë dhe të kërkuar me forcë nga faktori ndërkombëtar. Respektimi i konsensusit është garant i stabilitetit, ndërsa thyerja e këtij konsensusi në mënyrë të njëanshme dhe të papritur dëmton rëndë themelet e Shtetit dhe nxit destabilizim.
Së dyti: Ndërkohë, që për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së është parashikuar një shumicë 3/5 apo edhe shumicë të thjeshtë, në nenin e shtuar pas nenit 102/3, përcaktohet se lirimi i Drejtorit bëhet me 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve të KDRTSH-së. Referuar Relacionit të projekt-ligjit dicka e tillë është parashikuar me qëllim garantimin e pavarësisë së RTSH-së dhe lirinë e medias.[6] Pra, referuar ligjit dhe dokumentëve parlamentarë, nëse për emërimin e Drejtorit të RTSH-së nuk është i nevojshëm asnjë konsensus mes palëve politike, në rastin e lirimit duket se medoemos do të duhet të arrihet ky konsensus që të garantohet dhe pavarësia e RTSH-së. Pra është e qartë që ndryshimi ligjor kërkon që të realizimi i qëllimit të momentit për përzgjedhjen e kandidatit që nuk po arrin të marrë 2/3 e votave të anëtarëve të KDRTSH-së dhe më pas të garantojë qëndrimin e tij në atë detyrë.
Së treti: Këtij ligji i është dhënë fuqi prapavepruese, pasi rregullat e reja të përcaktuara për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së do të fillojnë të zbatohen edhe për zgjedhjet që janë duke u zhvilluar në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit.[7] Pra, ndërkohë që procesi i deritanishëm është zhvilluar sipas ligjit ekzistues, ku kandidatët kanë dështuar të marrin 2/3 e votave të anëtarëve të KDRTSH-së, legjislatori i pranon të mirëqena tre raundet në të cilat nuk është arritur kuorumi i kërkuar referuar ligjit të mëparshëm dhe kalon menjëherë në raundin e katërt, duke kërkuar të aplikohen rregullat e reja ku kërkohet një shumicë e thjeshtë nga anëtarët e KDRTSH-së dhe qartazi nxjerr të fituar kandidatin e parapëlqyer nga supermazoranca politike, i cili vazhdon të jetë në garë.
Ndalimi i fuqisë prapavepruese të ligjit është një element përbërës i parimit të sigurisë juridike. Një gjë e tillë diktohet para së gjithash për shkak të domosdoshmërisë së garantimit të stabilitetit dhe të sigurisë së marrëdhënieve juridike që vendosen mes subjekteve të ndryshme të së drejtës.[8] Justifikimi i paraqitur në rastin konkret është që të veprohet sa më shpejt për zgjidhjen e situatës së krijuar, ndërkohë që ky nuk duket të jetë interesi publik për të cilin ligjit mund t’i jepet fuqi prapavepruese, për sa kohë interesi publik është pavarësia e RTSH-së, liria e medias dhe garantimi nga çdo censurë e mundshme ndaj mjeteve të komunikimit. E kjo mund të realizohet veç përmes përcaktimit të një zgjidhje fundore në ligj që garanton edhe zgjidhjen konsensuale të Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së.
Sigal