Minatorët të shqetësuar për pasurinë kombëtare kërkojnë vëmendjen e shtetit

514
Sigal

Realiteti i hidhur që vjen nga Bulqiza. Firmat koncensionare nuk kanë zbatuar asnjë pikë që përfshihet në kontratë

Duke parë gjendjen tejet të rënduar të shokëve të mijëra bashkëvuajtësve në minierën e Bulqizës, obligimi dhe detyrimi që kam për to, që me mbështetjen e tyre pranova kandidimin tim si kandidat për deputet i Partisë Social-Punëtore të Shqipërisë për Qarkun e Dibrës, në koalicion me Partinë Socialiste, ku në këto zgjedhje arrita të marr 1500 vota të pastra, duke kontribuar sadopak për demokracinë e brishtë shqiptare që deri më sot e kanë diskriminuar shtresën punëtore, që ka nxjerrë nga nëntoka miliona ton minerale kromi dhe minerale të tjera, vendos të ngrej zërin për shqetësimet e tyre. Për shqetësimet që mbajnë vetëm një emër, minator. Partitë politike në çdo fushatë elektorale kanë premtuar “statusin e minatorit”, por asgjë nuk është arritur. Në Bulqizë janë zhvilluar me qindra greva, ku minatorët ose janë tradhtuar nga sindikata, ose janë shtypur me forcë nga shteti shqiptar, duke i rrahur me shkopinj gome, siç ndodhi në grevën e vitit 2011, ku Bulqiza u bë qyteti i shtet-rrethimit dhe për tre muaj rresht u blindua nga forcat e ndërhyrjes policore. Vit që minatorët nuk do ta harrojnë kurrë.

Rëndësia e “statusit të nëpunësit civil” në kohën e PD-së

Flitet shumë për “statusin e nëpunësit civil” dhe opozita kundërshton, mirë bën se roli i opozitës në demokraci është shumë i rëndësishëm, sepse prodhon debat dhe zhvillim demokratik. Por këtu dua të jap një shembull personal, brenda familjes time, në kohën kur kjo opozitë ishte në pushtet. Siç e theksova edhe më lart, gjatë zhvillimit të grevës së minatorëve në vitin 2011, Partia Social-Punëtore e Shqipërisë dhe kryetari i saj Dr. Ramadan Ndreka ka përkrahur dhe ka njoftuar shtetin shqiptar për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve që merrnin pjesë në grevë. Protestuesit kërkonin rritje page dhe marrjen e masave për sigurimin teknik për punëtorët e nëntokës. Në atë grevë nuk u plotësuan këto kërkesa, sepse kjo situatë vazhdon edhe sot, pasi në këto vite nuk është bërë asgjë. Por për angazhimin tim në mbështetje të grevës, Partia Demokratike e Bulqizës hoqi bashkëshorten time nga puna, duke më futur edhe në konflikt familjar. Me këtë rast edhe shumë anëtarë dhe simpatizantë të partive të majta u hoqën nga puna, ku edhe sot vazhdojnë të jenë pa punë. Ja pra çfarë garancie ka pasur “statusi i nëpunësit civil” që pretendon opozita (ish-partia shtet).

Kërkesa

Me kërkesën e qindra minatorëve që më kanë takuar si dhe me kërkesën e ish-kryetarit të Sindikatës së Minatorëve, Dilaver Perkoxha, grevistit dhe demonstruesit Agim Mera, të dy pjesëmarrës në demonstratën e 21 janarit në Tiranë, si dhe në takimet e shumta me punëtorët e Uzinës së Ferrokromit në Burrel, ish-minatorë që kanë kontribuar në minierat e Bulqizës etj., vendosa që nëpërmjet gazetës “Telegraf” të paraqes shqetësimet e lartpërmendura, ku firmat koncesionare në minierën e Bulqizës (dhe më tej) nuk kanë zbatuar asnjë detyrim që përfshihet në kontratë, si hapja e thellësisë së minierës, hapja e rampave nëntokësore, vënien në punë të impiantit të Klosit, vënien në punë të Uzinës së Ferrokromit në Burrel, etj. Madje edhe rezervat e gatshme të kromit në minierat e Bulqizës po shterohen dhe bashkë me to do të shterojë edhe ekonomia shqiptare, prandaj si minator dhe ish-kandidat për deputet, i kërkoj Kryeministrit Rama që të ndërhyjë dhe të ulet me minatorët e Bulqizës për të diskutuar për shpërdorimin që i është bërë pasurisë tonë kombëtare, mineraleve të kromit. I theksova problemet me respekt të plotë për institucionet ligjore dhe për një shtet ligjor.

Kadri Disha

Ish-kandidat për deputet i PSPSH, Qarku Dibër