Shpërthimi i 5-katëshit, objekti mbetet në ‘këmbë’, mbërrin fadroma për shembjen

535
Sigal

Ministria e Brendëshme: “Plani u realizua”. Inxhinieri: Jorgo Dardeli: “Shpërthimi një difekt teknik”

Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, (INUK) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, zhvilloi sot në mesditë aksionin për prishjen e një objekti pa leje në Tiranë. Ekspertët, nëpërmjet një shpërthimi të kontrolluar me eksploziv, bënë shembjen pjesërisht, të ndërteses 5-katëshe pranë Fakultetit të Ekonomisë në Tiranë. Ministria e Brendshme garantoi se pas kësaj do vijojë shpërthimi në mënyrë mekanike. Burime nga vendngjarja, bëjnë me dije se ka mbërritur tashmë fadroma që do të realizojë prishjen e godinës 5-katëshe, pasi shpërthimi me eksploziv nuk e shembi dot të gjithë ndërtesën. Pas përgatitjes disa orëshe për shpërthimin e kontrolluar me tritol të objektit 5-katësh tek fakulteti i Ekonomikut, rreth orës 13:10 minuta u krye ndezja e fitilave dhe u dëgjua një zhurmë e fuqishmë. “Koha filloi…3.2.1, zjarr”,- ishte zëri i oficerit që dha sinjalin e ndezjes së fitilave dhe më pas zhurmë e tym. As 2 minuta pasi u davarit tymnaja nga shpërthimi i fuqishëm që mbuloi objektin, u vu re se godina qëndronte ende mbi tokë.  Objekti për momentin është dëmtuar pjesërisht ndërkohë që 5 katet duket që mezi qëndrojnë duke sjellë para syve një ndërtesë të rrezikshme që mund të shembet pjesë-pjesë. Për të inspektuar aksionin e policisë në vendngjarje mbërritën edhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi. Ndërkaq shpërthimi i fuqishëm shkaktoi tronditje ndërsa një nga pronarët e një lokali aty pranë bëri me dije se i janë shkaktuar dëme materiale të shumta. Sipas ekspertëve në vendngjarje dhe Ministrise se Brendshme tanimë shembja e ndërtesës do vijojë në mënyrë mekanike, ku mjete të rënda do e tërheqin nga themelet për shkatërrimin e plotë të saj. Aktualisht, zona ku ndodhet objekti është nën kontrollin e policisë. Policia kishte marrë masa për kufizimin e qarkullimit të trafikut në rrugët kufizuese me kete zonë, para fillimit te aksionit për shëmbjen e objektit ne fjale.

Ndërtesa pas shpërthimit

Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme pohuan se plani i minimit te godinës rezultoi ashtu siç ishte parashikuar. “Synohej këputja e themeleve dhe ne këtë e bëmë të mundur”, thanë buriem nga Ministria e Brendshme lidhur me shpërthimin e godinës tek 5-katëshi. Ndërsa, inxhinieri Jorgo Dardeli, në një lidhje telefonike për mediat elektronike bëri të ditur se shpërthimi mund të cilësohet një defekt teknik i ekspertëve që kryen shpërthimin e kontrolluar me tritol ndaj ndërtesës 5-katëshe tek fakulteti ekonomik. “Ua bëra të ditur dhe disa ekspertëve. Ai beton ka arritur fortësinë e gizës, sepse për disa vite e vite, ai beton forcohet. Ajo ndërtesë ishte me beton jashtëzakonisht të fortë, ishte hedhur shumë beton aty. Ata qeshën kur më dëgjuan, por vendosja e tritolit vetëm në themele është e gabuar. Në rregull, por ndaj kjo që u krye ka qenë një defekt teknik. Madje rrezik përbën tani më shumë ndërtesa e thyer ashtu gati më dysh”.

Bllokimi i zonave perreth

Policia e Tiranës informoi në lidhje me masat që ndërmori për shembjen e kontrolluar të ndërtesës 5-katëshe, përballë Fakultetit Ekonomik. Duke filluar prej orës 07:00 e datës 20 Tetor 2013 deri në një njoftim të dytë, nga shërbimet e policisë së kryeqytetit do të bëhet bllokimi i zonës:

• Rruga “Arben Broci” nga kryqëzimi i rrugës Elbasanit deri tek Kinoklubi i Qytetit Studenti;

• Nga Kinoklubi i Qytetit Studenti deri te fusha e sportit;

• Fusha e sportit deri tek disko Calvin, në rrugën e Elbasanit;

• Disko Calvin deri tek Fakulteti Ekonomik;

• Gjithë gjatësia e rrugës “Gramos Pashko”.

Policia e Shtetit bllokoi plotësisht qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve në segmentin nga “Rruga e Elbasanit” deri tek Pallati i Brigadave. Gjatë kohës së përcaktuar, në këtë zonë nuk u lejua qëndrimi apo lëvizja e mjeteve dhe këmbësorëve. Lokalet përreth objektit dhe brenda zonës ishin të mbyllura. Policia e Shtetit këshilloi pronarët dhe administratorët e tyre që të mbajnë dritaret e lokaleve të hapura.