Hetohet tragjedia në minierë, familjet e zhytyra në varfëri

300
Sigal

Mëngjesin e së enjtes, një ngjarje e rëndë ndodhi në galeritë e kromit në Selishtë të qarkut Dibër. Tre minatorë humbën jetën në minierë. Viktimat janë një inxhinier dhe pronari Ismail Hoxha nga Peshkopia dhe dy minatorët nga Bulqiza. 55-vjeçari Fatos Çesku 55-vjeç kishte vetëm një muaj që punonte ne Selishte. Viktima tjetër Rexhep Rushiti 33-vjeç kishte humbur më herët edhe të ëmën në një incident të ngjashëm por në pirgjet e kromit në Bulqizë.

Prokuroria e Dibrës, ka nisur hetimet lidhur me këtë tragjedi. Hetuesit po verifikojnë dokumentacionin lidhur me lejen e dhënë nga autoritetet për hapjen e galerisë. kjo pasi ajo ishte mbyllur më herët nga ana e shtetit. Pista tjetër ku organi i akuzës po punon është dhe ajo e mos zbatimit të rregullave të sigurisë gjatë procesit të punës.

Mësohet se inxhinieri Ismail Hoxha, njëherësh pronar i galerisë i cili humbi jetën së bashku me dy minatorët e tjerë, kishte një javë që kishte nisur kërkimet për nxjerrjen e kromit. Ai kishte arritur që të merrte të gjitha lejet e nevojshme për shfrytëzimin e galerisë por ende nuk kishte filluar punë. Ndërkohë, hetuesit janë gjithashtu dhe në pritje të raportit përfundimtar të autoritetit kombëtar për sigurinë dhe emergjencat në miniera.

Nga ana tjetër dhimbja në familjet e minatorëve vazhdon të mbetet e madhe. Rexhep Rushiti, 33-vjeç nga Bulqiza la pas tre fëmijë të mitur, ndërsa të afërmit e tij bëjnë apel për ndihmë për shkak të kushteve të vështira ekonomike që ka lënë bashkëshorten. Dhimbja në familjen Rushiti është akoma më e madhe për shkak se brenda pak viteve, kjo familje ka humbur tre pjesëtarë të saj të cilët punonin në mineralin e kromit.