Meta kërkesë ambasadores së re të Kanadasë: Për komunitetin shqiptar të finalizohet marrëveshja për sigurimet shoqërore dhe të hiqet taksimi i dyfishtë

135
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot Ambasadoren e re të Kanadasë në Shqipëri, rezidente në Romë, Sh.T.Znj. Elissa Golberg, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Presidenti Meta i uroi Ambasadores Golberg suksese në misionin e saj diplomatik në Shqipëri dhe i shprehu vullnetin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira dhe të partneritetit të ngushtë mes dy vendeve tona në planin dypalësh dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm në planin shumëpalësh.

Kreu i Shtetit nënvizoi rëndësinë, sidomos në interes të komunitetit shqiptar në Kanada, të finalizimit të Marrëveshjes “Për sigurimet shoqërore” dhe marrëveshjeve për Mbrojtjen dhe Nxitjen e Investimeve dhe Heqjen e Taksimit të Dyfishtë.

Presidenti Meta vlerësoi partneritetin e ngushtë në kuadër të OSBE-së, NATO-s dhe OKB-së, gjatë mandatit dyvjeçar të Shqipërisë, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, për çështjet e sigurisë, stabilitetit dhe paqes, veçanërisht për çështjen kritike të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe pasojave dramatike të saj.

Presidenti Meta dhe Ambasadorja Golberg vlerësuan rolin e rëndësishëm të komunitetit shqiptar në Kanada si urë lidhëse dhe faktor me peshë në bashkëpunimin dhe forcimin dhe intensifikimit e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kanadasë.