Mehmet Develioğlu në Panairin e Klikut: Dhoma e Tregtisë së Stambollit, interes të lartë për investime në Shqipëri, në energji dhe ndërtim

40
Sigal

Turqia vjen në edicionin e 29-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga Klik Ekspo Group, më një përfaqësi dinjitoze në sektorë të ndryshëm, kryesisht në industrinë tekstile, ndërtim dhe energjitikë.

Mehmet Develioğlu, nënkryetar i Bordit Ekzekutiv të Dhomës së Tregtisë së Stambollit (İTO) në një intevistë për mediet, theksoi rolin e rëndësishëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, si në aspektin historik dhe atë tregtar.

“Është viti i 6-të që Dhoma e Tregtisë së Stambollit sjell kompanitë turke dhe ekspozon produktet e më shumë se 300 firmave turke. Ndër vite kemi punuar dhe menduar vazhdimisht se si të zgjerojmë bashkëpunimet në tregti me Shqipërinë dhe për këtë jemi këtu,” tha Mehmet Develioğlu.

Tashmë në një bashkëpunim të ngushtë me organizatorët e panairit, gjithashtu edhe si një nga partnerët e rëndësishëm të Shqipërisë, Mehmet Develioğlu, nënkryetar i Bordit Ekzekutiv të Dhomës së Tregtisë së Stambollit (İTO), u shpreh se bashkëpunimi midis dy vendeve do vazhdojë edhe më tej në fusha të ndryshme dhe ekskluzivisht në marrëdhëniet tregtare.

Ai vlerësoi arritjet që Shqipëria ka bërë vitet e fundit, në bashkëpunime shumë të mira në sektore prioritare. “Firmat tona energjitike kanë bërë investime të mëdha dhe kanë interes që të vijnë në Shqipëri dhe të krijojnë partneritete këtu, po ashtu nga ana tjetër kanë sjellë edhe produktet e tyre, pasi bota po zhvillohet dhe fuqia e konsumatorit po rritet dhe po përmirësohet ndjeshëm”, u shpreh Mehmet Develioğlu. Duke shtuar se Panairi Ndërkombëtar i Tiranës është një mundësi shumë e mirë partneriteti për të ardhmen të cilin e mbështesin, duke shpresuar që vitet e ardhshme të vijnë me një numër më të madh kompanish.

“Dhoma e Tregtisë së Stambollit” është dhoma më e madhe e Turqisë, me rreth 7500 anëtarë me një interes të shtuar për investime në tregun jashtë vendit, kryesisht në vende me marrëdhënie të forta tradite dhe kulture. Nënkryetari i Bordit Ekzekutiv të Dhomës së Tregtisë së Stambollit u ndal edhe tek rëndësia që ka vëllimi tregtar midis dy vendeve dhe kalimi në një tjetër nivel pas një analize të detajuar tregu. “Kur kemi ardhur në Shqipëri kemi analizuar se çfarë prodhohet në Shqipëri, për çfarë ka më shumë nevojë, importet, pra kemi ardhur këtu pasi i kemi bërë këto kërkime dhe kështu mundim të informojmë saktë të gjithë pjesëtarët e Dhomës së Tregtisë së Stambollit për sektorët që ka më shumë interes”, tha nënkryetari i Bordit Ekzekutiv të Dhomës së Tregtisë së Stambollit, Mehmet Develioğlu.

Duke e parë panairin e “Klik Ekpso Group” si një mundësi optimale që sa vjen e rritet me praninë e shumë vizitorëve, ai shpreson që ky panair të jetë një panair i suksesshëm për krijimin e marrëdhënieve të reja tregtare.

Në përfundim Presidenti i Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj vlerësoi Mehmet Develioğlu, nënkryetar i Bordit Ekzekutiv të Dhomës së Tregtisë së Stambollit me Medalien e Artë të Shqiponjës, një punim në ar, për kontributin e vyer në marrëdhëniet bilaterale.

Nga agrikultura te ushqimi e turizmi, Mali i Zi takon Shqipërinë në panairin Klik Ekspo Group

Mali i Zi e gjen të frytshme pjesëmarrjen në panairin e 29-të ndërkombëtar Klik Ekspo Group ku biznese nga disa shtete takohen dhe ndërtojnë ura komunikimi me njëri-tjetrin.
Ivana Paraca, këshilltare për bashkëpunim ndërkombëtar, tha për mediet se “ofertën në stendën malazeze prej 84 m2 e kanë prezantuar 16 kompani nga sektorët e bujqësisë dhe industrisë ushqimore, turizmit, përpunimit të drurit, transportit”.
Sipas Parača kompanitë malazeze, janë shumë të kënaqura me performancën dhe kanë vërejtur progresin e organizatorëve të manifestimit të panairit përmes pranisë së një numri të madh të botës së biznesit që vizitojnë stendat dhe tregojnë interes për produktet dhe shërbimet malazeze. Nga ana tjetër, ajo u ndal pak në nismat afatgjata mes dy vendeve dhe mënyrës se si programet evropiane kanë ndikuar në të bërit biznes.
“Nismat e vlefshme ndërkufitare që Mali i Zi dhe Republika e Shqipërisë kanë zbatuar së bashku që nga viti 2008, nëpërmjet programit të financuar nga Bashkimi Evropian, tregojnë suksesin e konceptit të përgjithshëm të bashkëpunimit ndërkufitar, i cili përfaqëson, një stimul thelbësor për procesin e integrimin evropian” theksoi Parača.
Bashkëpunimi midis Malit të Zi dhe Shqipërisë është veçanërisht i rëndësishëm në kuadrin e procesit të anëtarësimit, shtoi ajo, ku është e mundur shkëmbimi i përvojës dhe njohurive përmes zbatimit të përbashkët të projekteve, në fusha me rëndësi dhe interes të ndërsjellë.

“Bashkëpunimi i dy vendeve, i cili filloi 15 vite më parë, si dhe fakti se në kuadër të IPA II janë financuar 21 projekte me një vlerë totale prej 7 milionë eurosh në fushat e punësimit, mobilitetit të fuqisë punëtore dhe përfshirjes sociale e kulturore, mbrojtjes së mjedisit dhe turizmit”, u shpreh Ivana Paraca, këshilltare për bashkëpunim ndërkombëtar, përfaqësuese e stendës së malit të Zi në panairin e 29-të ndërkombëtar në Klik Ekspo Group.
Ajo tha se vetë pjesëmarrja e Dhomës së Tregtisë së Malit të Zi në KLIK EXPO 2023, rikonfirmon përkushtimin e kësaj organizate për promovimin e përsosmërisë ekonomike të Malit të Zi, vendosjen e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe fillimin e zhvillimit të qëndrueshëm në Vendi.

“Në Panairin Ndërkombëtar Klik Expo Group, ku prezantohen ekspozues nga e gjithë bota, Dhoma e Tregtisë e Malit të Zi ka organizuar tradicionalisht një performancë për kompanitë malazeze” nënvizoi Parača, duke shtuar se ky manifestim i panairit, kontribuon jashtëzakonisht shumë në përmirësimin e bashkëpunimit të biznesit dhe ndërkombëtarizimin e biznesit. Kjo, veçanërisht në sektorin e turizmit, ndërtimit dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Panairi që mbahet në datat 6-9 dhjetor bashkon rreth 210 kompani, me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë ose indirekte duke mbështetur përveç urat mes bizneseve vendase dhe të huaja, edhe nismat sociale që kujdesen për shtresat në nevojë dhe njerëzit me aftësi ndryshe.

Panairi që mbahet në datat 6-9 dhjetor bashkon rreth 210 kompani, me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë ose indirekte duke mbështetur përveç urat mes bizneseve vendase dhe të huaja, edhe nismat sociale që kujdesen për shtresat në nevojë dhe njerëzit me aftësi ndryshe.

Bizneset e Kosovës në Panairin e Klikut në Tiranë: Bashkëpunim për treg unik
Oda Ekonomike e Kosovës ka ardhur në Panairin e 29-të ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga Klik Ekspo Group me një grup biznesesh, duke përfaqësuar fusha të ndryshme të prodhimeve që mbajnë logon “Made in Kosova” e që tashmë, i jep tjetër kah e peshë edhe shtetit të dytë shqiptar në Ballkan.

Produkte të ndryshme “Made in Kosova” të sektorit të ndërtimit, termoizolues, adezive si dhe detergjentë 100% miqësore me mjedisin, u shfaqën në stendën e shqiptarëve të matanë kufirit, duke ofruar produkte shqiptare për një treg shqiptar dhe jo vetëm.
Bizneset nga Kosova, përtej qasjes patriotike që lidh dy shtetet e një kombi, në Tiranë vijnë në shtëpi për të takuar miq me interesa të përbashkëta me të cilat interesat tregtarë, mund të krijojnë bashkëpunime afatgjata që tejkalojnë barrierat kufitare.

Martir Demiri nga “Emsa” tha se, pjesëmarrja në panair ka hapur udhë të reja bashkëpunimi ndërsa bizneset pritet të lidhin ura komunikimi duke synuar zgjerimin në treg.

“Produktet tona janë 100% miqësore me mjedisin duke qenë të prodhuara në një pjesë të madhe me letër”, tha Demiri, duke shtuar se shpesh bashkëpunimet janë vetëm një shtrëngim duarsh larg.

Ndërsa produktet “Happy” prej kohësh pothuaj mbizotërojnë tregun shqiptar me letrat e lagua dhe së fundmi edhe me detergjentë larës e zbutës, Lirim Mehmeti, u shpreh se “pos respektimit të normativave të BE-së, produktet respektojnë edhe normat ligjore dhe janë prodhuar konform rregullave dhe kërkesave për ndjeshmërinë ndaj lëkurës duke qenë se një pjesë e tyre synojnë pikërisht fëmijët”.

Jasmin Delija nga “Satstyro” vërejti rëndësinë e produkteve termoizoluese që ofrohen dhe i prezantohen tregut shqiptar. “Ne ofrojmë disa produkte që i përkasin industrisë së termoizolimit por edhe të paketimit, nga fiberglas te membranat”, tha Delija. Ndërsa Satstyro ka fabrikën e Styroporit (EPS) dhe e Styrodurit (XPS), dhe një përvojë shumë vjeçare në Kosovë dhe më gjerë, që ofron cilësi e teknologji moderne, ata ofrojnë prodhimin e të gjitha llojeve të styroporit dhe styrodurit, me të gjitha përmasat dhe kategoritë, lehtësirat doganore krahas rrugëzgjidhjes së problemeve në skanim, efektiviteti i marrëveshjeve mes dy vendeve të nënshkruara në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive.

Bizneset nga Kosova në mënyra të ndryshme prej kohësh synojnë bashkëpunim më të thellë me Shqipërinë edhe si mënyrë për të ndjekur me politika ekonomike, politikat shtetërore dhe interesat gjeostraegjike ndërsa shumë prej kompanive e kanë shtrirë bashkëpunim e tyre edhe në Evropë.


Në panairin e këtij viti në Tiranë, takimet e Odës Ekonomike të Kosovës kanë pasur në fokus vende si Austria apo edhe Ukraina, duke krijuar njëherësh aleanca europiane në kohë të brishta që ndikohen edhe nga tensionet e luftrat. Ndërsa disa tregje, si ato të Zvicrës në një farë mënyre synohen edhe nxitur nga prania e madhe e mërgatës së shqiptarëve, tregjet e tjera kërkojnë marrëveshje dhe takime në panaire si Klik Ekspo Group që përmes traditës së gjatë dhe përvojës, ofron infrastrukturën e duhur për të bashkuar prodhues dhe për të shkëmbyer prodhime.

Panairi Klik Ekspo Group, ka shërbyer dhe shërben si një urë lidhëse me të gjithë vendet që bëhen pjesë e tij, duke bërë të mundur për publikun një informim për të investuar te më të mirët.

Turizmi i qëndrueshëm, rivlerësimi i trashëgimisë, autentikes dhe një hapësirë për vrojtuesit e zogjve

Si mund ta bëjmë Shqipërinë më të vizitueshme duke ruajtur njëherësh ambientin e duke vlerësuar trashëgiminë? Tre ekspertë të tri fushave, morën pjesë në forumin “Zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri: Sfida dhe zgjidhje” organizuar në kuadër të Panairit Ndërkombëtar Klik Ekspo Group në Tiranë.

Takimi synoi të ndërtojë një bisedë gjithëpërfshirëse që adreson nevojat në rritje dhe potencialet për turizëm të qëndrueshëm në vend.

TRASHËGIMIA KULTURORE

Arkeologu Olsi Lafe nga “Guidat Kombëtare” prezantoi së pari disa destinacione kulturore të veçanta bashkë me problematikat e tyre. “Në ‘Sheshin e Flamurit’ në Vlorë ku bëhen aq shumë aktivitete shtrihet një pjesë e fortifikimit të Aulonës antike. Kolegët kanë gërmuar dhe kanë gjetur të dhëna me interes, por kur u bë ndërtimi i sheshit, nxjerrja në pah e vlerave arkeologjike u la pas dore duke u fokusuar në riorganizimin e sheshit. Të gjithë e duam infrastrukturën por nëse ajo bie në kurriz të trashëgimisë, përparësitë duhet parë”, tha ai. Lafe kujtoi se në pikën më të lartë të kalasë së Beratit është një nga mozaikët më të vjetër në vend. Ai mbetet i paekspozuar. Edhe pse një nga rekomandimet e përhershme të UNESCO-s ka qenë çështja e gërmimeve afatgjata, në kala mungojnë ndonëse gërmimet sjellin gjetje që do të tërhiqnin turistët.

Më tej ai u ndal në pika të tjera me interes krah mangësive që paraqiten. “Qyteti nuk ka muze arkeologjik dhe po nuk pati gërmime e studime, ai do mbetet destinacion i bukur por pa arkeologji. Bylisi ka qenë kryeqytet bazilikash por sot mozaikët nuk shihen dot se janë të mbuluar me rërë duke qenë se ka frikë nga dëmtimi i tyre. Si ta kthejmë Bylisin në destinacion? Bylisit i mungojnë hijet gjatë verës, them shpesh me të qeshur. Nuk ka strukturë pritëse, që gjatë verës kur temperaturat shkojnë në 40 gradë vizitorët të pushojnë në hije. Kjo që them unë, nuk është akuzë por thirrje, për këtë duhet menduar dhe kjo nuk është diçka që bëhet me një qeveri por do vizion afatgjatë”.

Lafe, ish drejtor në Ministrinë e Kulturës, u ndal edhe te vlerat që bart, Gjiri i Gramës, që ka edhe një nga plazhet më të bukura në Karaburun e po ashtu zonë me mbishkrimet më të përqendruara antike, të cilat, tha ai, janë të lëna nga lundërtarët përgjatë shekujve. “E vetmja gjë që bëhet për këtë zonë, është që është lënë të xhirojë për ekonominë dhe skafistët që çojnë vizitorë nga Vlora për atje. Si e prezantojmë ne këtë pasuri?”, tha ai duke e lënë disi pa përgjigje. Një tjetër çështje e ndjeshme janë restorantet nëpër kala që i kanë kthyer kalatë më shumë ne vende për të konsumuar ushqim se sa në pika kulturore. Sipas Lafes, çështja e tyre duhet riparë. “A është koha për të pasur struktura shërbimi nëpër kala? A duhet t’i lëmë restorantet në kala? Ndërhyrjet restauruese janë të debatueshme por duhet të merren vendime. Duhet decentralizim i vizitueshmërisë dhe ndërtimi i muzeve lokalë që do të tërhiqnin grupe të ndryshme. Kalaja e Shkodrës ka një muze dhe një bar restorant. Sigurisht zonat e shërbimeve duhen por mënyra se si bëhen duhet rimenduar. Duhet të japim shërbime pa ndërtuar dhe duke afruar në këto pika trashëgimie, artizanë të zonës dhe mënyra autentike që e lidhin trashëgiminë me banorët, turizmin dhe ekonominë”.

Lafe vërejti se një tjetër çështje që duhet adresuar është ajo e udhërrëfyesve, së pari duke bërë certifikime afatgjata e së dyti duke nxitur shqiptarët të jenë udhërrëfyes sepse shpesh, vlerat tona janë prezantuar siç duan të huajt dhe jo siç janë!

PYETJA HAMLETIANE MBI TURIZMIN

Elton Çaushi nga “Albanian trip” përcolli disa tipare të turizmit që bëhet në Shqipëri, duke i dhënë vëmendje sidomos atyre që i përshtaten direktivave të Bashkimit Evropian mbi ruajtjen e mjedisit.

“Përballja jonë me audienca perëndimore na ka bërë që te kemi dyshime nëse duam të tregojmë Shqipërinë e restoranteve e hoteleve me 5 yje apo trashëgiminë e kulturën tonë. Çështja e qëndrueshmërisë në turizëm është kryefjalë. Por ndërkohë që ne tani po njihemi me turizmin në përmasa të tjera, Evropa po rreket të ulë gjurmët e karbonit e plastikës në zonat turistike dhe përfshirjen e banorëve të zonave përreth në mbarëvajtjen e funksionimin e tyre”, tha Çaushi.

Ai vërejti se pasojat e turizmit në këto përmasa do t’i shohim shpejt. Pos qarkullimit të parave dhe rritjes së ekonomisë, turizmi, vuri në dukje ai, sa ka ndihmuar pronarët e banorët zonave rreth qendrës së Tiranës përshembull, që ju është rivlerësuar prona, po aq, i ka bërë të pamundura çmimet e qirave për të tjerët, sidomos studentët që duan të banojnë pranë universiteteve. “Gjithashtu tashmë ndjehet që ne kemi probleme me mbetjet urbane dhe gjurmët që krijohen në mjedis nga numri i turistëve, ndaj edhe lind pyetja hamletiane, të bëjmë a jo turizëm? Shqipëria me 10 mln turistë? Unë do të doja të flisnim në shifra monetare më shumë” tha Çaushi.

Duke folur për turizmin që i nxit vizitorët të ecin, eksplorojnë, të jenë në kontakt me natyrën e unicitetin e zonave ku shkojnë, sipas Çaushit, në Shqipëri, nuk do jenë neonet e shandanët që do habisin anglezët e suedezët që vijnë, por qilimi, statujat dhe shërbimi i ushqimeve sipas traditave të zonave dhe pa komplekse. Në këtë lami, ai përmendi mëngjesin ku ofrohet edhe paçe, sepse një zonë atë ka për mëngjes dhe kjo duhet të ofrohet normalisht. “Ne duhet të shohim këto modelet e destinacionit që duam të ndërtojmë. Dhe kur mendojmë për zhvillimin e maleve, le t’i hedhim sytë e të shohim Slloveninë që është kampion. Nuk mund të kemi arkitekturë vjeneze baroke në Valbonë, atje autenticitet përbën kulla. Duhet të ndalen ndërtimet që dalin jashtë kontekstit të zonës” theksoi ai.

TURIZMI I ZOGJVE

Fare pak e njohur në Shqipëri, një pjesë e turistëve që vijnë kanë preferenca krejtësisht specifike që përtej nesh, në vende si Britania e Madhe meritojnë edhe organizim panairesh. Një syresh është vrojtimi i zogjve.

Biologu Taulant Bino, Kryetar i Shoqërisë Onitologjike Shqiptare, shpalosi të dhëna mbi turizmin botanik dhe turizmin natyror. “Ne kemi shpend dhe gjallesa të tjera të rralla që kërkohen nga turistët. Pelikani kaçurrel që gjendet në Divjakë-Karavasta dhe Vjosë-Nartë ka shumë admirues që vijnë ta shohin. Grifsha e detit është një nga shpendët më të bukur po ashtu që nxit ardhjen e vëzhguesve të zogjve, siç bëjnë dhe flamengot, apo kali i qyqes në Gjirokastër, e cila në zonën e Luginës së Drinos, sjell një lloj amfiteatri sa i takon shpendëve. Shkodra po ashtu ka një pasuri të jashtëzakonshme. Një shpend i kërcënuar në Evropë është turtulli, që te ne ka shumë vëmendje. Për kuriozitet, ka turistë që duan të shohin edhe lloje të caktuara buburrecësh, që kanë kokën të veçantë. Disa prej turistëve janë të interesuar të shohin shpendë me teleskopë”, tregoi Bino.

Nëse Prespa vizitohet për pelikanin rozë, Bino tha se Shqipëria mundet të jetë një vend i përshtatshëm për vrojtim zogjsh. “Ka edhe treg të mundshëm nëse kemi parasysh që SHBA-ja dhe Anglia kanë shoqata për mbrojtjen e zogjve me rreth 1.1 milionë anëtarë dhe ata janë turistë potencialë. Turistët që na vijnë, janë ata që kanë interes për botën e egër. Shumica janë turistë elitarë që shpenzojnë për natyrën dhe ata duan të shohin Thethin, Divjakën jo qendrat e qyteteve” pohoi Bino.
Turizmi i botës së egër në Shqipëri nisi pas 2015-ës. Në vendin tonë ka rreth 340 specie të ndryshme që vrojtohen rregullisht. Por ky turizëm ka shumë pengesa dhe një e ardhme e pasigurt nxitur nga investimet.
“Së pari nuk ka informacion në internet për të huajt. Së dyti, marketimi është i pamjaftueshëm, mungojnë infrastrukturat e duhura, stafi i përgatitur dhe së fundmi, ka keqmenaxhim të zonave ku jetojnë shpendët që përbëjnë interes për vrojtuesit e zogjve. Për të pasur qasje tjetër, duhen reklama në revista të specializuara, akses për njerëzit me aftësi ndryshe, markimi i shtigjeve dhe domosdoshmërisht, guida të specializuara për vrojtimin e shpendëve. Dhe mbi të gjitha, duhet të ruajmë zonat e mbrojtura. Kur e thua si frazë duket pa kuptim por në zonat Kune-Vain dhe në liqenin e Shkodrës po rrudhen zonat e mbrojtura. Disa pjesë të tyre do mbushen me ndërtime duke fragmentarizuar habitatin natyror”, tha Bino.
Ndërsa zonat ligatinore po reduktohen, Bino solli në vëmendje dëmet që sipas tij bën ndërtimi i aeroportit të Vlorës në zonën ku është propozuar. Ai ju bashkua zërave të ambientalistëve që janë kundër, sepse në Levan, ndërtimi do të ketë impakt negativ për speciet.

Fituesi i çmimit “Luani i artë” në dizajn: Panairi mundëson partneritete të suksesshme

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës ka qenë vendi takimi i shumë bizneseve në kërkim të bashkëpunimeve të mira për krijimin e marrëdhënieve tregtare në fusha të ndryshme. Në një partneritet me panairin vjen kompania Karrota, me një ekperiencë 18-vjeçare, me seli në Prishtinë dhe Tiranë, së fundmi me shtrirje edhe në Londër.

“Me bindje të plotë them se jemi agjencia më kreative e gjithë shqiptarëve, sepse kemi fituar çmime ndërkombëtare, përfshirë këtu Luanin e Artë për monumentin Newborn në Prishtinë, që është çmimi më i lartë në botë për dizajn dhe më prestigjozi”, u shpreh Fisnik Ismaili, themelues i Agjencisë Publicitare “Karrota”.

Volumi i punëve të tyre përfshin monumentin e pavarësisë në Prishtinë “Newborn”, dhe shumë projekte të tjera në mesin e të cilave janë Logoja e 100 vjetorit të Tiranës, dizajne të ndryshme për biznese të shumta, duke u evidentuar në fushën kreative në Shqipëri dhe Kosovë.

Pjesëmarrëse për herë të parë në panair, dhe tashmë me rezultate të konkretizuara në nënshkrime kontratash të reja, agjencia kërkon që të jetë aktive në tregun shqiptar për krijimin e bashkëpunimeve dhe për të zhvilluar aktivitetin e saj. Në panairin e këtij viti agjencia ka kontribuar me realizimin dhe kompozimin e materialeve promovuese të saj.