Me shpejtësi skëterrë, të dehur në timon dhe pa patenta, arrestohen 16 shoferë

213
Sigal

Në 24 orët e fundit në të gjithë vendin janë arrestuar 16 shoferë të cilët thyen rregullat e qarkullimit rrugor. 8 prej tyre u kapën duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur ndërsa 8 të tjerë udhëtonin pa patenta.

Në të njëjtën kohë janë gjobitur 1824 drejtues mjetesh për shkelje të rrugullave të qarkullimit rrugor.

351 janë për parakalime të gabuara, 344 për përdorim të celularit dhe 290 drejtues për mosvënien e rripit të sigurimit.

Pjesa tjetër janë gjobitur për shpejtësi tej normave të lejuara dhe gjendje të alkoolizuar në timon.

Njoftimi i plotë i policisë:

Nga kontrollet e dedikuara në rrugët urbane dhe interurbane në të gjithë vendin, duke përdorur mjete të paloguara, dronë, kamera dhe aparate fotografike, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, përgjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 16 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 8 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë pezulluar 53 leje drejtimi, nga të cilat 32 për shpejtësi mbi normat e lejuara (deri në 166 km/h në aksin Fier-Vlorë) dhe 21 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur (deri në 0.70 m/l).

Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1824 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, konkretisht:

351 për parakalime të gabuara, 344 për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit, 290 drejtues mjetesh për mosvendosje të rripit të sigurimit, 287 për shpejtësi tej normave të lejuara e sjellje agresive në rrugë etj.

Në të gjithë vendin, si rezultat i kontrolleve intensive, nisur edhe nga fakti se në shumë raste aksidentesh janë përfshirë edhe drejtues të motoçikletave, janë evidentuar dhe ndëshkuar 245 drejtues motomjetesh, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse.

Janë ndëshkuar me masë administrative nga Policia Rrugore e Tiranës, falë edhe denoncimeve të drejtuesve të automjeteve që qëndrojnë në radhë, 307 drejtues mjetesh, për qarkullim në korsi të dedikuara për mjetet e transportit publik dhe ato të emergjencës.

Nisur nga ngarkesa e shtuar e trafikut gjatë sezonit, kryesisht në akset rrugore interurbane dhe urbane, me destinacion zonat bregdetare të vendit, Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.