Më gjeni një mik të bëhem “Qytetar Nderi”

727
Sigal

Çudisin sërish provincat me gjetjet prototipe që bëjnë për ti dhënë pak penelatë monotonisë që i ka pllakosur vitet e fundit në rrugën e gjatë e të lodhshme të tranzicionit. Të trishton pamja e vakët e qyteteve jugore të cilat dikur gëlonin nga jeta, aktivitetet, njerëzit dhe thashethemet. Tashmë që njerëzit zgjodhën të largohen në drejtim të metropoleve, ajo çka mbeti pas është vetëm thashethemnaja dhe popullsi rurale që po mbush boshllëkun e krijuar urban. Në qytet tanimë nuk njeh më njerëzit që njihje dikur, nuk sheh askënd rrugëve pas mesdite dhe çudi nuk tingëllon asfare sikur të të pyesin “Po ti nga je”, kur u fanitesh pas ndonjë banaku dyqani apo tavoline lokali. Asgjë s’është më çudi në provincat e Jugut, ku varfëria është ulur këmbëkryq së bashku me burrat, kafeneve që kanë zaptuar katet e para të çdo pallati, çdo lulishte apo hije rrapi; si për të vënë në zbatim thënien e famshme “mërzia përgjysmohet kur kalohet me shoqëri”. E trishtë është të jetosh sot në këto qytete, ku ndodhia më e madhe është ardhja e ndonjë politikani, i cili sjell me vete nja 2-3 birbila të këngës për të krijuar ndonjë farë koncerti sa për të marrë me të mirë banorët e mbetur, por dhe kjo ndodh rrallë, aq rrallë sa ç’janë zgjedhjet lokale apo të përgjithshme. Kështu që e kuptueshme është që në të tilla kushte të tentohet të improvizohen festa për të mbajtur sadopak gjallë lavdinë e dikurshme të qyteteve. Dhe bashkitë e kanë bërë gjetjen e tyre, davetet për ndarjen e titujve vendorë të nderit janë kthyer në të parapëlqyerat aktivitete, ku përveçse bëhen ndere apo nderime të rastit, shtrohen gjithashtu tavolina me bollëk të madh që pse jo, janë një tundim për qytetarin e thjeshtë që e nxjerr muajin me limitin më të ulët të mundshëm të mbijetesës. “Qytetar Nderi” është një titull vendor nderi që sipas paragrafit 1 të nenit 14 të ligjit më të ri nr. 112/2013 “Për dekoratat, titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”, që u jepet individëve “për shpërblimin e veprimtarisë së shquar brenda juridiksionit të njësisë të qeverisjes vendore ose për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të komunitetit brenda territorit vendor”. Pra kriter për dhënien e këtyre titujve të nderit është kontributi i veçantë që disa individë kanë dhënë në të mirë të komunitetit. Por çfarë ndodh në të vërtetë? Nëse u referohesh në mënyrë analitike listave nga vitet 1990-2013 vërehet se rëndom nëpër emrat e përzgjedhur has persona që nuk gëzojnë këtë lloj popullariteti të kontributit dhe kësisoj nuk përmbushin kushtet për t’u dekoruar si Qytetarë Nderi, disa madje janë nderuar në mënyrë arbitrare pa kurrfarë merite apo investimi personal në komunitet, gjë që e kthen titullin në një mjet për të kryer ndere e qoka sipas interesave të momentit. Qytetet e vogla Jugore kanë nxjerrë intelektualë të mëdhenj, me vlera edhe kombëtare, me kontribut edhe më gjerë se lokaliteti i tyre, por është e turpshme të vëresh se janë shumë të rrallë emrat e tyre nëpër listat e nderuara të qytetit. Por ata janë modestë, falë formimit dhe nivelit të tyre mjaftohen me respektin dhe vlerësimin shpirtëror që u bënë populli. Madje dikush ironizon “ Sot është turp të jesh Qytetar Nderi. Si mund të ndihesh krenar kur emri yt rri krah atyre që as nuk dinë ç’ është ky qytet dhe ku i pikon çatia”, dhe kur i pyet se përse emrat e tyre nuk propozohen asnjëherë për dekorim, modestisht përgjigjen “Punuam për këtë vend, u plakëm në ketë vend dhe këtu do lëmë kockat, djersa jonë na i ka skalitur emrat në këto rrugë ku brezat do kalojnë dhe do e dëgjojnë jehonën, por për tu shkruar emri në defterë …ah aty nevojitet një mik jo djersë dhe ne djersën nuk e bëjmë pazar”. Në njëfarë mënyre të gjithë sa punojnë me dedikim, nuk i krijojnë probleme komunitetit, japin shembull qytetarie, që me sjelljen dhe punën e tyre influencojnë pozitivisht mbi familjet, gjitonët, lagjen e tyre, pra të gjithë këta individë konsiderohen qytetarë të nderuar të një vendi, por për të përfituar një titull nevojitet diçka më tepër. Një titulli nderi vendor prezumon që me veprat e tua të kesh ndikuar mbi një numër të konsiderueshëm të popullatës, përfitimet e komunitetit të jenë të qenësishme dhe kontributi yt të ketë qenë evident për masën, atëherë po, mund të thuhet me plot gojë atë që titulli nënkupton: “E meriton, sepse ke dhënë për këtë vend!”

J. ZHONGA