Miliona lekë përfitime dhe qindra specialistë të hedhur në rrugë për t’u zëvendësuar me militantët krahinorë
Autoriteti Portual i Durrësit, pas spastrimeve politike në administratë dhe shkurtimeve të paralajmëruara, ka nisur të ecë në “rrugën e vjetër”, të abuzimit dhe shpërdorimit të detyrës nga kupola drejtuese. Burime të sigurta portuale thanë për gazetën “Telegraf”, se, “në drejtimin dhe menaxhimin e portit asgjë nuk ka ndryshuar, ai mentalitet, ajo eufori, ajo babëzi dhe sërish drejtojnë njerëz me pushtet politik dhe ekonomik”. Porti më i madh i vendit, sot drejtohet nga një grupim deputetësh dhe ministrash, që kanë krijuar tashmë fizionominë më të keqe të gjigandit detar, duke shkarkuar dhe emëruar sipas dëshirave dhe preferencave të tyre, duke gllabëruar sektorët fitimprurës, duke monopolizuar çdo gjë që lidhet me fitimet monetare. Abuzimet në APD nisin me emërimet, me letrat, sms e punësimeve, largimeve dhe ecin me aferat korruptive të proceseve të tjera prodhuese të parasë, duke vazhduar me reklamat. Porti Durrësit, akoma nuk ka mbyllur dosjen hetimore të abuzimit me mbi 400 mijë euro të zbuluara deri tani, që lidhen me sponsorizimet e bëra në 8 vitet e kaluara, ndërkohë që miliona lekë po jepen nga janari 2014 për grupimet politike por që justifikohen si seminare, konferenca, botime, e spektakle, për udhëtime dhe pushime të shtrenjta si dhe për publicitete në media. Sipas një burimi portual mësohet se, “zyrës së Marketingut i ka ardhur urdhri me shkrim dhe gojë, reklama vetëm në mediat pranë pushtetit, asnjë qindarkë për të tjerat”. E ndërsa APD, ka nisur 6 muaj më parë pas raportit të KLSH në Prokurori, gjithë dosjet e abuzimeve të ish-drejtorit Eduart Ndreu, duket se babëzia dhe mburoja politike e drejtuesve aktuale me në krye ish-ministrin e Partisë Demokratike në vitet 1992 Selim Belortaja, nuk njeh kufij. Kur është fjala për të mbushur xhepat e shpuar të një kaste të re Selim Belortaja, i cili ka mbërritur tek LSI-ja pasi ka kaluar ylberin e demokratëve, ka edhe mbështetjen e “klanit të zemunit” dhe kontrabandistëve të cigareve në emërimet në Portin e Durrësit. Ajo që përbënë habi dhe tallje ka të bëjë me faktin që shumica e të punësuarve janë nga Skrapari,Dibra, Korça, Berati dhe qytetet e tjera dhe këta të punësuar, që nuk dinë as not dhe përherë të parë e panë detin, kur u punësuan nga Selimi i LSI-së. Të lësh durrsakët rrugëve dhe specialistët e portit jashtë gardhit rrethues është një turp i madh dhe një alarm që qytetarët e Durrësit nuk duhet ta harrojnë dhe të gabojnë duke votuar LSI-në e çiftit Belortaja-Koka. Por le t’i kthehemi situatës skandaloze dhe babëzisë që ka pushtuar Autoritetin Portual. Për të manipuluar dhe mbuluar shkeljet ligjore dhe për të siguruar heshtjen tek ata persona me të cilët kryhen transaksionet e pista, APD në 2-3 muajt e fundit ka spastruar nga radhët e veta mbi 130 persona, duke rimarrë në punë persona të larguar me motivacionin “shpërdorim detyre”, apo edhe persona të penalizuar, duke shkelur ligjin dhe rregulloret e miratuara nga Bordi Ekzekutiv. Gjithashtu, për të siguruar heshtjen dhe konspiracionin , kupola drejtuese, ka urdhëruar Drejtorin Ekzekutiv, të mos ketë asnjë kontakt me mediat. Komunikimi me mediat e pushtetit, do të bëhet vetëm përmes e-mail-ve dhe personave të jashtëm, po ashtu edhe dhënia e reklamave, pa kaluar më parë nëpërmjet zyrës së specialistëve të marketingut, të cilët njihen me ofertat dhe tarifat e çdo organi mediatik dhe pastaj bëhet miratimi tyre. Monopolizimi i krejt strukturave portuale, po ndodh në një kohë kur Prokuroria e Durrësit dhe Krimet e Rënda kanë disa muaj që kanë nisur çështjen penale për ish-kupolën drejtuese të APD. Abuzimi me paratë e portit po ndodh në një kohë kur hetuesit pothuajse çdo javë trokasin në zyrat e APD për të verifikuar dhe zbuluar detaje në vite bazuar në raportin e KLSH, mbi shpërdorimet dhe abuzimet. Diskriminimi që APD po u bën “kundërshtarëve” për kontratat e pista , punësimet politike , vënien e portit në shërbim të qarqeve të përfolura për trafiqe dhe kontrabanda , tregon natyrën agresive të kupolës së re drejtuese, dhe yryshin e paparë të një grushti njerëzish të pushtetshëm për të fituar sa më shumë para. Porti akoma shihet si “lopa” që duhet mjelë pa mëshirë, që duhet shfrytëzuar e duhet drejtuar sipas interesave klanore, klienteliste dhe krahinore , dhe kjo shihet në hapësirat dhe produktivitetin e menaxhimit të drejtuesve të rinj, që po përdoren si “masha” për të lehtësuar operacionet dhe transaksionet e pista. Një ditë ashtu si Ndreu edhe Selim Belortaja dhe ata që hyjnë e dalin nga zyra e tij apo me të cilët ai pi kafe buzë detit do japin llogari. Shteti do të vendoset duan apo nuk duan Selimët e LSI-së dhe “klanet e zemunit”. Gjynahet e tyre dhe të popullit që vuan për bukën e gojës nuk mund tua lajë as perëndia dhe jo më deti me emrin ADRIATIK ,të cilin ata e konsiderojnë si të tyren.