McGonigal mori para nga qeveria shqiptare kur punonte për FBI-në

91
Sigal

Eksperti i CIA-s, Kevin Carroll zbulon të tjera detaje për skandalin e ish-zyrtarit të FBI dhe lidhjet me qeverinë shqiptar. Prapaskenat e parave cash, vilave dhe apartamenteve luksoze, kush është Charles McGonigal, funksioni në FBI dhe për çfarë është paditur dhe akuzuar. Si ndihmoi një grua e përfshirë me McGonigal qeverinë federale të hapte çështjen, pas shumë viteve që shpëtoi pa u pikasur

Eksperti në fushën e inteligjencës, ish-agjenti i CIA-s, Kevin Carroll, ka dhënë një intervistë për rrjetin e njohur të informacioneve qeveritare amerikane, C-SPAN. Rrjeti që mbulon kryesisht çështjet e Kongresit Amerikan, e ka intervistuar Carroll për skandalin e ish-agjentit të lartë të FBI, Charles McGonigal. Carroll thotë se ai akuzohet se ka marrë para nga qeveria shqiptare gjatë kohës që shërbente në FBI.

Kush është Charles McGonigal, çfarë ka bërë për FBI-në?

Charles McGonigal ka mbajtur një nga pozicionet më të rëndësishme në kundërzbulimin amerikan, ai ka qenë agjent special për kundërzbulimin e huaj në FBI në Nju Jork, që është zyra më e madhe me 2 mijë agjentë. Është një zyrë shumë e rëndësishme sepse mbulon Nju Jorkun, ku janë zyrat qendrore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, misionet e huaja, konsullatat, pra shumë zyrtarë të huaj të vendeve si Kina, Rusia, Irani, etj.

Për çfarë është paditur, për çfarë akuzohet?

Interesant është se ai është paditur për dy akuza të ndryshme, një në Uashington dhe një në Nju Jork. Ajo në Uashington e akuzon se ka pranuar të paktën 225 mijë dollarë nga qeveritë e huaja, përfshi atë të Shqipërisë dhe Bosnjës, në këmbim të kryerjes së veprimeve zyrtare për ta, teksa ishte akoma në FBI. Dhe ai bëri deklarata false në lidhje me këtë në deklarimin vjetor për FBI-në.

Në Nju Jork është akuzuar për shkelje të sanksioneve dhe pastrim parash pasi ka punuar me një oligark të sanksionuar, të cilin e kishte hetuar më parë, pasi u tërhoq nga FBI.

Pra, ai u tërhoq nga FBI në vitin 2018 dhe është ky oligarku rus, Deripaska, një oligark rus i sanksionuar. Na shpjego se çfarë do të thotë kjo?

Oleg Deripaska është një nga njerëzit më të pasur në Rusi dhe është i lidhur ngushtë me Vladimir Putinin. Pasi Rusia aneksoi Krimenë dhe pjesë të Donbasit, për të ndëshkuar Rusinë për këtë, Departamenti i Thesarit të SHBA vendosi sanksione financiare për figura të larta dhe të fuqishme ruse si Deripaska. Duke thënë qartë se nuk mund të marrësh para prej tyre, nuk mund të bësh biznes me ta. Pavarësisht se e dinte këtë, sepse po i investigonte, përpara se të largohej në vitin 2018, McGonigal shkoi të punonte për Deripaskën. Dhe ai pastroi paratë që merrte nga Deripaska përmes një kompanie në Nju Xhersi me të cilën ishte bashkuar me identitet fals kur ishte akoma në FBI. Prandaj akuzohet për shkelje të sanksioneve dhe pastrim të parave.

Duket se një grua e përfshirë me McGonigal ndihmoi qeverinë federale të hapte këtë çështje. Ai e bënte këtë për vite pa u pikasur. Çfarë na thotë kjo për aftësinë e qeverisë për të identifikuar agjentët që janë aktorë të këqij në sistem?

Qartësisht masat në këtë rast nuk ishin të mjaftueshme. McGonigal ishte i martuar dhe ish-dashnorja e tij e denoncoi kur ai i tha se nuk kishte ndërmend të linte gruan e tij. Ajo i tha shefit të tij se duhet të kontrollonte lidhjet e McGonigal me shqiptarët dhe qindra-mijëra dollarë në cash që kishte parë në apartamentin e tij.

Mes gjërave që ajo thotë, dhe që janë shqetësuese, është se McGonigal e kishte familjen në Maryland në një vilë në periferi, që është shumë e shtrenjtë, si dhe kishte një apartament në Brooklyn, që është tani i shtrenjtë, dhe e çonte në restorante luksoze, ndiqnin aktivitetet sportive në lozha të shtrenjta.