Mbijetesa e personave të paaftë vazhdon edhe pas 26 vitesh…

626
Sigal

Gazeta Telegraf/


Në  prag të 3 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare
të Personave me Aftësi të Kufizuar


Maksim Rushi

Numri i personave të paaftë shkon më shumë se
70 mijë. Pra, numri i njerëzve që mbeten jashtë vëmendjes është shumë i madh

 

Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë vijon
të ndihet e diskriminuar. Qeveria shqiptare nuk po e trajton atë si gjithë
shoqatat e tjerë të paaftësisë. Arsyet mbeten të panjohura. Sipas të gjitha
gjasave, mos vëmendja e qeveritarëve tanë do të vijojë edhe përgjatë vitit
2017. Në këtë shoqatë bëjnë pjesë personat me
dëmtim fizik
e pluridifekt, kryesisht të pambuluar nga skema e sigurimeve shoqërore, pasi
këta individë, ose kanë lindur të tillë, ose janë aksidentuar gjatë jetës. Numri
i personave që i përket kësaj kategorie shkon më shumë se 70 mijë. Pra, numri i
njerëzve që mbeten jashtë vëmendjes është shumë i madh. Kjo kategori qytetarësh
ka qenë më e shpërfillura gjatë gjithë viteve të demokracisë. Për këtë arsye më
4 dhjetor të vitit 2012, me vendim të Gjykatës së Tiranës krijuam Shoqatën
Shqiptare të Personave të paaftë. Që nga ajo ditë kanë kaluar katër vjet; kemi
bërë shumë për ndërgjegjësimin e institucioneve shtetërore, për të drejtat që
na jep ligji dhe konventat përkatëse, por zvarritjet kanë qenë të pafundme.
Katër vite nuk janë pak. Mbi të gjitha bëhet fjalë për një shoqatë të mirë organizuar,
me forume drejtuese në të gjithë vendin dhe anëtare me të drejta të plota në
Këshillin Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara.


Megjithatë ne nuk do të heshtim për sa kohë që të drejtat tona nuk respektohen

 

Të nëpërkëmbur

 

Në mjaft raste anëtarët e shoqatës tonë e
shohin veten të nëpërkëmbur nga 
institucionet e qeverisjes vendore. Po renditim disa: personat e paaftë
përjashtohen
nga taksa e aparatit të televizorit, por ajo
që ndodh në realitet është absurd i madh. Në disa rrethe, shërbimi ndaj
klientit nuk ua njeh këtë të drejtë, a thua se në këto rrethe operohet sikur të
ishin republika autonome. Kuptohet qartë, këto administrata nuk i njohin
vendimet dhe ligjet e shtetit. Për rrjedhojë, personat e paaftë vijojnë të
mbeten të nëpërkëmbur. E njëjta gjë ndodh edhe me përjashtimin nga taksa e
kontrollit të automjeteve, ku drejtoritë rajonale të Kontrollit të Automjeteve,
si: Korça, Gjirokastra dhe Elbasani nuk ua njohin. Arbitrariteti nuk ka kufi.
Duke parë se në çfarë gjendje ndodhet administrata e qeverisjes vendore, kërkuam që pjesë e KMCAP-ve në
rrethe (Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë), te jetë edhe
një përfaqësues i Shoqatës Shqiptare të Personave të Pafat, me qëllim që t’u
pritej udha abuzimeve, padrejtësive dhe arbitrariteteve, por edhe në këtë rast kërkesës
tonë nuk iu dha asnjë përgjigje. Gjithashtu, u kemi kërkuar institucioneve përkatëse të Shërbimit Social që
të bëhet përcaktimi i minimumit jetik dhe gradualisht të vihet në zbatim, por
deri më sot nuk ka asgjë konkrete. Arritëm të lidhim një marrëveshje me
Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit për përjashtimin e personave të
paaftë nga tarifa e legalizimit dhe taksa e ndërtimit deri në dy kate, por
gjithçka mbeti në letër, edhe pse marrëveshja i referohej VKM-së së  fundit 
nr. 431 dt. 08.06.2016 për këtë kategori qytetarësh, në zbatim të
ligjit nr 93/2014, dt.  24.07.2014 “Për  gjithëpërfshirjen dhe 
aksesueshmërinë e personave me aftësi të  kufizuar”. Ndoshta duhet të kalojnë edhe 26 vjet të
tjera, që ndaj personave të paaftë të tregohet kujdesi i duhur ashtu siç
parashikohet nga ligjet dhe konventat.

 

Të diskriminuar

 

Anëtarët e shoqatës tonë dhe fëmijët e tyre
vijojnë të gjenden përpara një diskriminimi të hapur për sa i përket tarifave
të shkollimit, sepse vetëm anëtarët e shoqatës tonë, nuk përfitojnë nga këto
tarifa, pasi
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr 866,
datë 23. 10. 2015, “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr 638, datë 22.
7. 2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kuotat e pranimit në institucionet
publike të arsimit të lartë në programe studimi të ciklit të parë, në programet
e studimeve jo universitare profesionale dhe në programet e integruara të
studimeve të ciklit të dytë, me kohë të plotë, ka lënë jashtë Shoqatën
Shqiptare të Personave të Paaftë. Sfidat e shoqatës tonë janë ende të shumta, por
ne nuk do të reshtim së kërkuar mundësi për përmbushjen e të drejtave tona.

 

Në prag përvjetori

 

Tashmë
jemi në prag përvjetorin (3 dhjetor) të Ditës Botërore të Personave me Aftësi
të Kufizuar, e cila synon ndërgjegjësimin e shoqërisë civile, donatorëve, por
edhe të përfituesve për t’u bërë pjesë dhe për t’u përfshirë në procesin e
integrimit të personave me aftësi të kufizuar në jetën politike, sociale,
ekonomike e kulturore. Trajtimi i personave me 
aftësi të kufizuara nuk është më ai që ka qenë deri në vitet 80, por në
të vërtetë edhe sot e kësaj dite problemet më të cilat hasen janë të shumta. Deri
në vitet 60-70 personat me aftësi të kufizuara shiheshin me mëshirë e keqardhje
dhe mendohej se kjo ishte ndihma që u duhej ofruar. Në vitet 70-80 personat me
aftësi të kufizuara shiheshin  si pacientë
me probleme fizike që duheshin mjekuar, trajtuar apo ndërhyrë, për zgjidhjen e
problemit idividual, që do të thotë duhej të ndryshonin ata dhe jo shoqëria. Në
fund të vitet 80, fillimi i viteve 90-të u kuptua se personat me aftësi të
kufizuara ishin të tillë si rezultat i barrierave sociale që i pengonin
ata  të merrnin pjesë në shoqëri, pra,
problemi ishte i krijuar nga vetë shoqëria. Sipas modelit të viteve 90 është
shoqëria ajo që duhej t’i mbështesë  dhe
t’i respektojë. Ata janë qytetarë të barabartë dhe prandaj duhet të gëzojnë të
drejta dhe përgjegjësi të njëjta. Por sa e vërtetë është kjo? Shqetësimet e
përmendura më sipër tregojnë realitetin në të cilin jetojnë personat e paaftë.

 

Sondazhet

 

Sondazhe
të kryera tregojnë se edhe në vendin tonë personat me aftësi të kufizuar dhe
familjarët e tyre ende i përkasin pjesës së margjinalizuar të shoqërisë
shqiptare. Ata janë të varfër dhe të izoluar në një shoqëri të cilës ende i
duhet të zhdukë barrierat arkitektonike dhe shoqërore. Shërbimet shëndetësore,
arsimore, shoqërore dhe ato të punësimit për personat me aftësi të kufizuar
janë të pakta dhe të një cilësie të dobët. Jetojmë në një shoqëri e cila nuk
është plotësisht e hapur ndaj Personave me Aftësi të Kufizuar. Ndaj, Dita
botërore Personave me Aftësi të Kufizuar, 3 Dhjetor, synon të promovojë të
kuptuarit e çështjeve të aftësisë së kufizuar dhe për të mobilizuar mbështetje
për të drejtat, dinjitetin dhe mirëqenien e personave me aftësi të kufizuar.
Ajo kërkon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin e përfitimeve që do të rrjedhin
nga përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në çdo aspekt të jetës.

 

Kryetari Kombëtar i Shoqatës
Shqiptare të Personave të Paaftë