Mashtrimet përmes telefonit/ Kush është çifti Pepnika që dyshohet se qëndron pas call center-ave që u goditën dje nga policia?

Kastriot Myftaraj
Një operacion policor i zhvilluar mbrëmjen e kësaj të hëne në Tiranë ka goditur tre qendra call center, të dyshuara për mashtrimin e qytetarëve evropianë, duke çuar në sekuestrimin e rreth 1 milion eurove cash. Aksioni është realizuar në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, pas një hetimi që thuhet se ka zgjatur rreth dy vite, që ka nisur me shkëmbim të informacioneve me autoritetet gjermane dhe ato austriake, të cilat thuhet se kanë sinjalizuar aktivitetin e dyshuar kriminal në Tiranë.Si rrjedhojë, për shtatë persona është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg”. Bëhet fjalë për Eduart Dallën, Mateo Hoxhën, Tedi Agastrën, Ledio Toçin, Xhoel Mekollin, Marsel Lamin dhe Xhoji Hitajn. Ndërkohë, për dy persona të tjerë, Aida Vokli dhe Ledjon Cenaj, është caktuar masa më e lehtë “detyrim paraqitjeje”, si dhe ndalim i daljes jashtë vendit.Ambientet ku zhvillohej aktiviteti i dyshuar janë zbuluar në disa zona të kryeqytetit, përfshirë një pranë Kopshtit Zoologjik dhe një tjetër në Rrugën e Kavajës. Në këtë të fundit, aktiviteti dyshohet se ishte i organizuar në tre kate të një godine, çka tregon për një strukturë të mirë-organizuar dhe me kapacitet të lartë operimi. Gjatë operacionit, në ambientet e kontrolluara janë gjetur dhjetëra persona që punonin si operatorë. Vetëm në një prej qendrave janë konstatuar rreth 60 punonjës, të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në aktivitetin e mashtrimit përmes telefonit. Por hetimet nuk ndalen me kaq.Autoritetet shqiptare vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet. Kjo pasi nga burime mësohet se ka dyshime të forta që në krye të kësaj skeme kriminale mashtrimi qëndron çifti Granit Pepnikaj dhe Anisa Kunxhiu Pepnikaj, persona të aluduar prej kohësh në media si të përfshirë në këto skema mashtrimi dixhitale, ku paratë e evropianëve kthehen në kompani fasadë, pasuri luksi dhe rrjedhë të qëndrueshme kapitali në Shqipëri.
KUSH ËSHTË ÇIFTI PEPNIKA?
Pak muaj parë në MEDIA ( https://publik.al/granit-dhe-anisa-pepnika-namin-ne…/ ) u raportua se: “Anisa Kunxhiu Pepnika është truri i call center-ave mashtrues që vjedhin miliona euro nga qytetarë të Bashkimit Europian përmes platformave të rreme të investimeve online, ndërsa Granit Pepnika kontrollon aktivitetet e basteve të jashtëligjshme dhe është përgjegjës për pastrimin dhe investimin e fitimeve të siguruara nga kjo skemë. Të dy së bashku përbëjnë një strukturë të plotë kriminale, ku mashtrimet dixhitale kthehen në kompani fasadë, pasuri luksi dhe rrjedhë të qëndrueshme kapitali në Shqipëri”.
Po sipas raportimit të 13 shtatorit 2025, “Anisa Kunxhiu Pepnika është truri i skemave të vjedhjes me call center. Ajo nuk ka precedent penal të regjistruar, por sipas burimeve operative dhe dokumenteve të siguruara nga Pamfleti, ka krijuar dhe menaxhon strukturën që koordinon call center-at mashtrues që targetojnë qytetarë të Bashkimit Europian me platforma të rreme investimi në forex dhe kriptovaluta. Përmes saj menaxhohet rekrutimi i stafit, rrjedha e fondeve, fshirja e gjurmëve dhe futja e tyre në kompani shqiptare në pronësi të saj ose të bashkëshortit. Kunxhiu Pepnika është gjithashtu personi që ka ngritur linjën e salloneve dhe markave luksoze që përdoren për të krijuar fasadën e suksesit dhe për të legalizuar shpenzimet e pashpjeguara.
Granit Pepnika është krahu ekzekutiv i pastrimit të fitimeve të vjedhura nga veprimtaria kriminale. Ai ka precedent penal të formës së prerë dhe është i dënuar për veprën penale “Vjedhje” sipas nenit 134/1 të Kodit Penal. Është shpallur fajtor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 2866 datë 30.10.2017 për hyrje me forcë në banesa të banuara dhe vjedhje sendesh me vlerë të konsiderueshme. Vendimi është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr. 2400 datë 14.11.2018, ndërsa më 2 prill 2024 Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e tij, duke e bërë dënimin përfundimtar. Ky precedent e vendos Pepnikën në kategorinë e personave me rrezikshmëri të lartë kriminale.Granit Pepnika ka ngritur rrjetin e kompanive fasadë që përdoren për të injektuar fondet e përfituara nga aktivitetet mashtruese dhe për t’i legalizuar përmes investimeve në prona miliona euro, automjete dhe sallone luksi.Skema ndjek tre faza të njohura të pastrimit të parave. Në fazën e parë, viktimat europiane joshen nga call center-a të lidhur me rrjetin e tyre për të investuar në platforma të rreme forex dhe crypto. Paratë futen në Shqipëri përmes tregtarëve informalë të kriptomonedhave dhe nuk regjistrohen në sistem.Në fazën e dytë, këto fonde injektohen në kompanitë e tyre si kapital i ortakëve ose si të ardhura nga shërbime të deklaruara fiktivisht. Në fazën e tretë, fondet përdoren për blerjen e pasurive, automjeteve dhe financimin e salloneve luksoze, duke u shfaqur në letër si të ardhura të ligjshme.”.
NOA