Kastriot Myftaraj
Shpallja nr. 7568, një garë e manipuluar për të legalizuar “urithin” Erion Riçku në krye të Doganës së Tiranës. Si u vendos në karrige para konkursit dhe pse nuk pati asnjë kandidat kundër tij. Transferimi i fshehtë si Përgjegjës Sektori Apelimi, më pas Kryetar i Deleguar, dhe vetëm atëherë hapet shpallja për ta bërë të përhershëm. Mungesa totale e kandidatëve në lëvizjen paralele për degën më të madhe doganore të vendit zbulon skemën: shteti po i “qep kostumin” Erion Riçkut dhe procedura bëhet vetëm sa për sy e faqe.Burime brenda sistemit doganor dhe administratës, kanë bërë me dije për “Pamfleti”-n skemën e përdorur nga qeveria dhe drejtuesit e Doganës së Përgjithshme për të vendosur “urithin” Erion Riçku në krye të degës doganore të Tiranës, pa asnjë garë reale dhe duke shkelur të gjitha procedurat e rekrutimit.
Fakti është ky: Në faqen zyrtare të Departamentit të Administratës Publike është publikuar Shpallja nr. 7568 për Kryetar të Degës Doganore Tiranë. Por kjo nuk është një garë e vërtetë. Është një punë e mbaruar më parë, e qepur fiks për Erion Riçkun. Procedura bëhet vetëm sa për sy e faqe, për t’i dhënë një palë letra të rregullta një vendimi të marrë në hije.Këtë e tregojnë hapat kronologjikë.Së pari, rreth një muaj para se të hapej shpallja, Erion Riçku transferohet në pozicionin e Përgjegjësit të Sektorit të Apelimit dhe Ankimimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Një lëvizje paralele, pa konkurs, pa bujë.Së dyti, menjëherë pas këtij transferimi, ai caktohet Kryetar i Deleguar i Degës Doganore Tiranë. Pra, pa asnjë garë, ai tashmë po drejton degën më të madhe doganore të vendit, aty ku kalon pjesa dërrmuese e importeve dhe eksporteve shqiptare.Së treti, vetëm pasi e kanë ulur tashmë në karrige, hapet Shpallja nr. 7568, për ta bërë këtë pozicion të përhershëm. Fillimisht e vendosin në detyrë, pastaj hapin garën që ta bëjnë me letra të rregullta. Por pjesa më skandaloze është kjo. Procedura në letër thotë se fillimisht bëhet një lëvizje paralele dhe vetëm në fund ngritje në detyrë. Në realitet, për këtë lëvizje paralele nuk ka asnjë kandidat tjetër.
Si është e mundur që për degën më të madhe doganore në Shqipëri, për Doganën e Tiranës, ku kalon pjesa më e madhe e bizneseve të vendit, të mos ketë asnjë konkurrent përballë Erion Riçkut? Një i sapoardhur në doganë, pa një karrierë të gjatë atje, por që papritmas bëhet i vetmi kandidat.Kjo mungesë totale e kandidatëve në lëvizjen paralele vetëm sa e konfirmon atë që të gjithë e dinë brenda sistemit: gara është një farsë. Riçku është vendosur atje me pazare klienteliste, jo me meritë.Dhe gjithë kjo ndodh ndërkohë që Riçku është i ngarkuar me pesë afera të mëdha nga e kaluara e tij në Agjencinë e Pasurive të Sekuestruara. Por askush nuk e ndalon. Përkundrazi, i hapet rruga për në krye të doganës.Pyetjet që lindin janë të thjeshta:
Pse nuk pati asnjë kandidat tjetër për të konkurruar me Riçkun?
Kush e vendosi që ai të bëhej Kryetar i Deleguar para se të hapej konkursi?
Pse procedura e lëvizjes paralele u bë një formalitet i zbrazët?
Dhe më e rëndësishmja: kush e mbron Riçkun nga lart?
Deri kur do të vazhdojë kjo tallje me administratën publike?
Deri kur do të vendosen në karrige njerëzit e lidhur me afera, ndërkohë që procedurat shkelen hapur?/Pamfleti




















