Lulëzim Gjoka:Enigmë fati i Kombinatit Mekanik të Poliçanit pas 23 Qershorit

747
Sigal

Intervistë me ish-drejtorin e Kombinatit Mekanik, aktualisht koordinatori i LSI-së Poliçan, Lulëzim Gjoka

Në një intervistë për “Telegraf”, Lulëzim Gjoka, ish-drejtori i Kombinatit Mekanik të Poliçanit që aktualisht është koordinatori i LSI-së, ka shpjeguar gjendjen në të cilën ndodhet ky kombinat dhe se çfarë e pret pas 23 Qershorit. Sipas tij, e ardhmja e punëtorëve dhe specialistëve që punojnë aty varet nga fitorja e forcave politike.

Z. Gjoka si ndiheni tani që keni një muaji që jeni larguar nga detyra e Drejtorit të Kombinatit Mekanik të Poliçanit?

E vërteta është që për arsye të angazhimit tim në fushatën zgjedhore si koordinator i LSI-së për qytetin e Poliçanit, koha ka kaluar shumë shpejt dhe unë jam munduar që dhe pse nuk jam më në detyrë, të ruaj lidhjet me Kombinatin, por tani si opozitar. Vij pothuajse çdo ditë në Poliçan, pasi unë banoj në qytetin e Beratit dhe bisedoj me njerëzit. Tani kam kohën e duhur për të dëgjuar nga ata edhe vërejtjet për punën tonë të këtyre në katër vitet e drejtimit të kombinatit. Po ashtu punoj në strukturat e LSI-së dhe të partive të koalicionit për të koordinuar punën tonë për fitoren e koalicionit të majtë.

Mund të na thoni diçka më shumë për fushatën dhe pretendimet tuaja?

Tashmë është një realitet se LSI-ja në Poliçan, ashtu si në të gjithë Qarkun e Beratit është forca politike kryesore dhe ne pretendojmë që në këto zgjedhje do të dyfishojmë rezultatet tona. Ne jemi optimistë për arritjen e këtij objektivi, sepse në punën tonë kemi çfarë të prezantojmë. Në periudhën kur LSI, mori drejtimin e Kombinatit Mekanike të Poliçanit u përballëm me një situatë, e cila kërkonte zgjidhje e problemit kryesorë për njerëzit në Poliçan. Problemi i punësimit është tashmë i njohur, fakti se si në këtë periudhë një ndihmë të madhe dhe fal ndërhyrjeve të herëpashershme në Ministrin e Mbrojtjes nga deputeti Nasip Naço si dhe këmbënguljes së kryetarit tonë z.Ilir Meta, u bë mundur që të punësohej një numër i konsiderueshëm punonjësish nga qyteti Poliçanit dhe Qarku i Beratit. Këto rezultat konkrete treguan se LSI dhe lideri saj, janë me këmbë në tokë. Premtojnë dhe realizojnë, sepse ata kanë kapacitet intelektual për të bërë realitet fjalën e dhënë. Për pasojë të kësaj pune të mirë dhe rezultateve të arritura, ne jemi të sigurt që do të realizojmë objektivat, do të dyfishojmë votat e LSI-së, duke kontribuar në rezultatet e 23 Qershorit.

Ju jeni në fushatë dhe premtoni të ardhmen për Kombinatin e Poliçanit në një kohë që kombinati po mbyllet ? Si ta kuptojmë këtë?

Pyetja juaj patjetër që merr shkak nga situata që është sot në Kombinatin Mekanik të Poliçanit. Është e vërtet që ne kur ishim në Kombinat bënim të gjitha përpjekjet tona për të siguruar vazhdimësinë e punës, por doli se ishte e pa mundur që të miratoheshin në kohën e duhur ato propozime e projekte që ne prezantuam në ministri dhe tek Këshilli i Ministrave. Po ashtu është realitet se sot në kombinat edhe ligjërisht nuk ka një program të miratuar nga Ministria e Mbrojtjes se çfarë do të bëhet pas 15 qershorit, datë kur me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes duhej të përfundonte programi për demontimet. Megjithëse, siç thashë nga ne ka pasur ritmikisht propozime për vazhdimin. Aktualisht, këto propozime janë të arkivuara në sekretari, për të cilat nuk arritëm të sigurojmë miratimin e tyre dhe është logjike që një qeveri në ikje nuk mund të vriste mendjen se çfarë do të bëhej me kombinatin pas 23 Qershorit. Kjo jo thjeshtë pse do të ikte edhe po të mos iki në vëmendjet e drejtuesve kryesorë të PD-së, nuk ekziston varianti që Poliçani të punojë. E seleksionuar si zonë e majtë nuk ka asnjë interes nga PD-ja për arsye e thjeshtë se nuk ja vlen sipas tyre që të merren me 200 votues e tyre në Poliçan. Është realitet që në 4 vitet e mia si drejtor në këtë kombinat nga deputetët e PD-së, nuk ka patur asnjë rast që të pyesin njëherë se çfarë bëhet në këtë kombinat edhe për jo rrallë rrogat e punëtorëve apo problemet e tjera me Ministrin e Mbrojtjes kanë qenë serioze të trajtuara edhe në gazetën tuaj.

A do të punojë Kombinati Mekanik pas 23 Qershorit? Në rast fitoreje çfarë planesh ka LSI-ja për të?

Koalicioni i majtë pas 23 Qershorit do të garantojë vënien në punë të kombinatit, kjo në bazë të studimeve të plota që ne kemi. Ne besojmë në fitoren e së majtës dhe përgjigjen e pyetjes tuaj do ta japi elektorati me votën pro të majtës duke garantuar vazhdimësinë e punës në kombinat në mënyrë që të mos lejojë kthimin e Kombinatit Mekanik Poliçan në ndërmarrje bujqësore blegtorale.

Pas ikjes time, u hoqën nga puna punonjës që mendohet se janë votues të LSI-së

Ne besuam se me ardhjen e drejtorit të ri (i emëruar nga PD) do të zgjidheshin problemet e prapambetura të pagesave për punonjësit, si dhe sigurimet shoqërore, si dhe do të kishte një mbështetje më të madhe nga ana e ministrisë. Fatkeqësisht kemi të bëjmë me një situatë anormale, ku në vend që të kishte zgjidhje të këtyre problemeve, vazhdon hakmarrje politike në nivele të ulëta, duke nxjerrë nga kombinati një numër punëtorësh, që mendohet se janë votues të LSI-së dhe duke tentuar të fusin në kombinat, punëtorë të rinj të rrethit familjar të drejtuesve të PD-së në qytetin e Poliçanit. Çdo ditë kemi sinjalizime për presionin, që ushtrohet ndaj punonjësve të kombinatit për të votuar për PD-në, ndryshe do t’i heqin nga puna. Avantazhi është se punonjësit e kombinatit janë shumë më të njohur me realitetin, se sa drejtuesit e sotëm, të cilët jo për faj të tyre nuk njohin asgjë për kombinatin, pasi vijnë nga sektori i bujqësisë e blegtorisë. Ky është kujdesi që tregon ministria, që në krye të kombinatit vendosin njerëzit që nuk kanë asnjë lidhje më punë e kombinatit (drejtori ka profil bujqësor, ndërsa n/ drejtori është mësues biologjie, kryetari PD-së së Poliçanit, me qëllim që të punësojë familjarët e vetë).