Anita Gumeni:Ja pse rinia dhe studentët e Sarandës do të votojnë PD-në si alternativën më të mirë

866
Sigal

Flet për “Telegraf”, Laert Cenaj, Kryetar i Forumit Rinor Demokrat dhe Anita Gumeni, Kryetare e Rinisë Studentore

Laert Cenaj, Kryetar i Forumit Rinor Demokrat të Sarandës dhe Anita Gumeni, Kryetare e Rinisë Studentore të Filialit të Universitetit të Tiranës në Sarandë, këto ditë është e pamundur të mos i gjesh bashkë në punën e tyre me të rinjtë e Sarandës dhe studentët në këtë qytet. Ata ndjehen optimistë tek rezultati historik i 23 Qershorit, ku gurëthemeli më i fortë do të jetë padyshim vota e të rinjve, ajo votë vdekjeprurëse e sistemit komunist 22 vjet më parë, thotë Kryetarja e Rinisë Studentore, Anita Gumeni, duke shtuar se, imazhi i uraganit rinor të 22 viteve më parë nëpër sheshet dhe rrugët e Shqipërisë së varfër e të lënguar nga vuajtja gjysmë shekullore e sundimit stalinist, ende vjen i gjallë para syve të shqiptarëve, por me një ndryshim: Se studentët sot janë në auditore me kushte dhe infrastrukturë bashkëkohore, ku sistemi i dixhitalizimit ka flakur si një rreckë të pistë korrupsionin, miqtë dhe lekët për fitimin e të drejtës së studimit dhe diplomës, pasi monitorimi i procesit të provimeve i ka thënë STOP, fenomenit të para 2005-s. Vetëm leximi dhe studimi sistematik, sot, të jep të drejtën e diplomimit. Por taksa e sheshtë prej 10% mundësoi shtim të vendeve të punës, shtim të bizneseve dhe investimeve të huaja, çka sjell tek prindërit tanë më shumë të ardhura, më shumë mirëqenie dhe si të tilla edhe më shumë investime familjare për neve studentët. Kemi të drejtë t’u kërkojmë votën edhe atyre prindërve të majtë, që të tillë i bën varfëria, pasi edhe ata kanë sot mundësinë e arsimimit universitarë të fëmijës së tyre, falë premtimit dhe realizimit të qeverisë demokratike dhe kryeministrit Berisha, i cili nuk e la slogan, por e ktheu në realitet hapjen e Filialit të Universitetit të Tiranës në Sarandë.

Ndryshimet

Ndërsa Laert Cenaj, Kryetar i Forumit Rinor të PD-së në Sarandë, thotë se, nuk do shumë për të folur. “Shih entuziazmin tek fytyrat e rinisë. Shtimi i vendeve të punës, mundëson edhe argëtimin. Por arsyet për të votuar PD-në dhe Kryeministrin Sali Berisha janë të shumta. Liberalizimi i vizave, duke lejuar jo vetëm lëvizjen e lirë, por edhe eliminimin e radhëve të gjata nëpër ambasada dhe dhënin nën dorë të parave të siguruara me mund e djersë. I thamë lamtumirë edhe kësaj forme korrupsioni, ashtu si ato të shkollimit e diplomimit. Kemi më shumë siguri, paqe, integritet me anëtarësimin në NATO. Por ndërtimi i arterieve të atdheut, rrugët nacionale, është nga veprat më madhore të kësaj qeverie, aq sa edhe kundërshtarët politik të Kryeministrit Berisha fërkojnë sytë nga habia mos po shohin ëndërr. Jo është realitet dhe ata le të çuditen se ku e gjen forcën kryeministri i Shqipërisë për të bërë vepra të tilla. E gjen se e do Shqipërinë, e do popullin e tij. Për ne, brezin e ri, ka rëndësi të madhe politika e PD-së për arsimimin dhe punësimin, perspektivat e qarta e të besueshme që qeveria demokratike ka hapur para nesh dhe më shumë besueshmëria tek realizimi i tyre, pasi tanimë premtimet e qeverisë Berisha nuk janë premtime, por realizime”, tha kreu i Forumit Rinor Demokratikë. Cenaj, gjithashtu, shton, se aty ku jep votën rinia, aty është fitoreje. “22-vite më parë kërkuam ndryshimin dhe e sollëm, ndaj ne jemi ndryshimi, se kërkuam Shqipërinë si gjithë Europa dhe ja ku e kemi, kërkojmë e kërkojmë….dhe do t’i realizojmë me alternativën tonë, ndaj do votojmë për ecjen PËRPARA!”.