Çfarë po ndodh me koronavirusin në Shqipëri? Bien të infektuarit dhe telefonatat, rriten të shëruarit dhe testimet

272
Sigal

Tabelat zyrtare mbi situatën e koronavirusit në vendin tonë, tregojnë se numri i të shëruarve është rritur ndjeshëm, situata është nën kontroll dhe po shkon drejt përmirësimit të vazhdueshëm.

Kjo do të thotë se masat e vendosura nga qeveria po japin rezultat.

Pas testimeve të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili teston të dyshuarit me koronavirusit, rezultojnë që shtrimet e reja në dy spitalet për të prekurit nga ky virus, kanë rënë ndjeshëm. Rënie ka edhe numri i personave të shtruar në reanimacion. Ndryshe nga java e parë, edhe numri i telefonatave drejt urgjencës ka rënë.

Ajo që është lajmi më i mirë në periudhën thuajse katërjavore, është se numri ditor i të shëruarve është më i lartë se numri i të infektuarve, çka do të thotë se spitalet nuk po mbipopullohen siç ka ndodhur bie fjala në Itali.

Ndërkohë, sipas grafikëve zyrtarë, më datë 23 mars, 40% e personave të testuar nga Covid-19 rezultonin të infektuar, ndërsa aktualisht vetëm rreth 7%.

Nga ana tjetër është rritur edhe numri i testimeve. Vetëm sot janë kryer pothuajse 250 testime, ndonëse u identifikuan vetëm 17 raste të reja. Sot janë pothuajse 160 të shëruar plotësisht, nga 400 të identifikuar me epideminë në vend.