“Lojra” për të vjedhur paratë e qytetarëve në autostradën Tiranë-Elbasan

711
Skema më e re e mashtrimit është ajo e vënë në punë nga Autoriteti Rrugor dhe Policia Rrugore, nëpërmjet “grackave” të ngritura për qytetarët, për të rritur fitimet në arkën e shtetit. Kjo skemë është vënë në punë në autostradën Tiranë-Elbasan, ku nëpërmjet heqjes së tabelave rrugore vendosin gjoba të majme për drejtuesit e automjeteve të cilët përshkruajnë këtë aks. Edhe pse Autoriteti Rrugor ka për detyrë të kontrollojë sinjalistikën rrugore në këtë aks, asgjë nuk ka ndodhur, pasi mungesa e tabelës, në këtë rast, e cila fut në “grackë” drejtuesit e automjete ka disa muaj që nuk ekziston, çka lë vend për të dyshuar se kjo mungesë është e qëllimshme, vetëm e vetëm për të përfituar nga drejtuesit e automjete, të cilët në këtë rast nuk janë në dijeni të shpejtësisë me të cilën duhet ecur, pasi mungon tabela sinjalizuese. Në dalje të tunelit të Elbasanit, është vendosur një tabelë, e cila tregon shpejtësinë e lejueshme, ajo është 110 km/h, kjo tabelë kryen funksionin deri pak kilometra më tutje, ku rruga ende është në proces pune. Në këtë pikë ndodhet një tjetër tabelë, e cila të bën me dije se shpejtësia kufizohet në 60 km/h. Vetëm pak më tutje, ku rifillon sërish autostrada, sinjalistika mungon edhe pse thuajse një muaj më parë në këtë pikë ka ekzistuar një tabelë, e cila të rikthente në shpejtësinë fillestare, atë të 110 km/h, por tani ajo nuk është më ose më mirë të themi ka një muaj që nuk ekziston.

 Se përse, kjo nuk dihet! Pikërisht në këtë pikë është vendosur një kamera, e cila bën matjen e shpejtësisë, sipas qytetarëve të cilët kanë qenë pjesë e kësaj skeme, kamera është e vendosur në një automjet privat pikërisht në këtë pikë, nëpërmjet së cilës bëhet matja e shpejtësisë, që shkon në 110 km/h, pasi drejtuesit e automjeteve futen sërish në autostradë. Pas disa kilometrave nga vendi ku kamerat matin shpejtësinë, ndodhet një tjetër tabelë, e cila sinjalizon shpejtësinë e lejueshme prej 60 km/h. Në këtë pikë bën “roje” Policia Rrugore, e cila krip qytetarët me gjoba të majme, se gjoja shpejtësia është mbi normën e lejuar, kur tabela, e cila duhet të tregonte rikthimin e shpejtësisë në 110km/h, nuk ekziston më, për një periudhë prej më shumë se një muaj. Kjo është forma më e re e përdorur nga Policia Rrugore në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor, duke shkulur tabelat, të cilat tregojnë shpejtësinë me të cilën duhet të ecë realisht drejtuesi i automjeteve. Tabelë e cila nuk ekziston prej më shumë se një muaji. Edhe pse Autoriteti Rrugor, duhet të kryejë kontrolle të herëpashershme për të parë gjendjen e tabelave, në këtë autostradë nuk është kryer asnjë kontroll, ose nuk është dashur të kryhet, pasi fitimet të cilat depozitohen në arkën e shtetit në këtë rast janë të majme. Duke shfrytëzuar qytetarët, të cilët janë të detyruar të paguajnë gjobën e vendosur, edhe pse kjo e fundit e padrejtë. 
Sigal