Loja tinzare me ‘Bordin e naftës’. Qeveria e “trembur” nga gjyqi do e shfuqizojë para vendimit të Kushtetueses

148
Sigal

Loja tinzare me bordin e naftës, qeveria e  “trembur” nga gjyqi do e shfuqizojë para Gjykatës Kushtetuese

A do mbesin jetimë 660 mln. euro të shqiptarëve?

Bordi i Oligarkëve prej 1 viti vjedh hapur shqiptarët me abuzimet me çmimin e karburanteve. Tani që po sillen në vëmendje hapur sinjale për shkrirjen e këtij bordi, a do i kthej qeveria qytetarëve diferencën që shkoi në xhepat e oligarkëve të naftës dhe milionat që u përfituan nga rritja e çmimeve që përllogariten rreth 740 mln. euro?

“Pakoja e madhe 80 mln.euro  po propagandohet si ndihmë e madhe për pensionistët dhe shtresat e tjera, po pjesa e mbetur e parave që do çonte në rritjen dyfish të penisoneve ku do përfundojë ?

“Bordi i Transparencës, mund të shkrihet”. Ishte kjo deklaratë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, thënë ditë më parë, e cila nxori zbuluar një lojë tinzare që kryeministri Rama po kryen me strukturën që ngriti me arsyetimin se do të mbronte qytetarët nga abuzimet me çmimin e karburanteve pasi tregu u trondit nga nisja e luftës në Ukrainë.

Në dukje një deklaratë shpresëdhënëse për qytetarët, të cilët i kanë vuajtur dhunshëm vendimet e Bordit “komunist” që i ka “rrjepur” me çmimet arbitrare për naftën dhe benzinën, pas fjalëve të Ballukut fshihet diçka tjetër.“Duke qenë që çmimi i karburanteve është stabilizuar, kemi një diskutim për ndalimin e të funksionuarit të Bordit. I përket Ministrisë së Financave dhe do jetë i mirëpritur si vendim. Shteti do të monitorojë edhe nëse bordi nuk do të jetë ekzistues”,- tha ministrja e Ramës.

Por, deklarata e Ballukut duket se ishte pjesë e lojës së qeverisë për të formësuar në opinionin publik idenë se tregu i karburanteve ka arritur stabilitetin dhe nevoja nuk e thërret më në detyrë “Bordin” që të diktojë çmimet.

Çështja në Gjykatë

Dyshimet janë të forta edhe për faktin se thirrja e ministres vjen në një moment delikat betejash në Gjykatën Kushtetuese, me këtë organ të drejtësisë që në fund të janarit do të marrë një vendim për shkrirjen ose jo të Bordit, duke shqyrtuar kërkesë-padinë e paraqitur nga disa deputetë të Partisë Demokratike. Kryeministri Edi Rama duket se i trembet një vendimi të Kushtetuese pro interesave të qytetarëve shqiptarë dhe kundër oligarkëve pranë tij që përbëjnë strukturën e Bordit të Transparencës. Dhe hijet e dyshimit forcohen nëse marrim në konsideratë faktin se edhe Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka paralajmëruar shkrirjen e tij pas “mesazhit” të Ballukut. Ibrahimaj për të parën herë ka pranuar se në qeveri po diskutohet për shfuqizimin e Bordit të Transparencës, për çmimin e naftës, por edhe për produktet ushqimore, gati një vit pas ngritjes së tyre.“Kemi diskutuar për shfuqizimin e bordit. Jemi në një situatë ku çmimet e karburanteve kanë krijuar një stabilitet dhe nuk kanë luhatje dhe jemi në një proces të vendimmarrjes për pezullim të aktiviteteve të bordeve. Arsyeja pse bordet u ngritën ishte vetëm një që të limitoheshin fitimet, me qëllim pasjen e një çmimi më të ulët për konsumatorët”,- tha ministrja në një intervistë.

Qeveria ja bën 8 me 2 drejtësisë

Megjithëse ministrja refuzoi të përcaktonte afatin kohor kur mund të merrej vendimi për shfuqizimin e Bordeve, fakti që deklarata e saj vjen në kohën kur këto struktura do të duhet të kalojnë në “filtrin” Kushtetues, na jep shtysë të besojmë se qeveria do t’i paraprijë vendimit të drejtësisë. Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese më 3 janar njoftoi se padia e depozituar më 6 shtator nga deputetët Dashnor Sula dhe Dhurata Çupi, por edhe ajo e Bledian Nallbatit 2 javë më pas për heqjen e Bordeve të Transparencës është pranuar dhe më 31 janar do të jepet vendimi.

 

Favorizimi ndaj oligarkëve

 

Sakaq, vlen të theksohet se Bordi i Transparencës është një strukturë që në përbërjen e vetë ka vetëm përfaqësues nga biznesmenët dhe nga qeveritarët, por jo nga qytetarët e thjeshtë. Bordi në vijueshmëri është akuzuar se favorizon hapur oligarkët e tregut të karburanteve, sepse në një kohë që nafta ka rënë në bursë po vonon qëllimisht uljen e çmimit. Ndërkohë, kur çmimet rriten në tregun ndërkombëtar, Bordi del menjëherë me vendim. Ky organ që sipas legjislacionit në fuqi duhej të mblidhej të paktën një herë në javë, prej 24 ditësh e mban çmimin e naftës në tregun shqiptar të pandryshuar në kufijtë e pothuaj 200 lekë/litër. Bordi i Transparencës vijon të mos mblidhet prej datës 20 dhjetor, pavarësisht se në bursë çmimi i naftës është ulur me 2.9%. Qytetarët shqiptarë po blejnë në pompa më shtrenjtë se të gjitha vendet fqinje, pasi nëse llogarisim me vetë formulën e Bordit duke ju referuar çmimeve të blerjes së naftës nga bursa Platt’s, me një premio mbi tonin e naftës prej 30$ siç e përcakton vetë dogana dhe me marzh fitimi të fiksuar prej 15 lekë/litër, rezulton se nga 3 janari, nafta në Shqipëri duhet të ishte nga 2 – 4 lekë/litër më lirë.