Deputeti Sula: Kush janë porositësit e naftës kontrabandë?

110
Sigal

 

Oligarkët nuk ngopen me monopolin e tregut dhe fitimet nga rritja e çmimeve, por duan dhe të fusin naftë kontrabandë

Nafta pësoi një rritje në fundvit deri në 932$ për ton, por më pas ka ardhur në rënie drastike, gjë e cila nuk është reflektuar nga Bordi as në ngritje e as në ulje. Këto statistika tregojnë se oligarkët nuk mjaftohen, që po mbushin marrëzisht xhepat nga rritja e çmimit të naftës, por duan edhe të fitojnë edhe duke futur naftë kontrabandë. Kapja e 62 mijë litrave naftë kotrabandë nga Libia në dy peshkarexha dhe mënyra sesi policia po e trajton ngjarjen, ka nxitur reagimin e opozitës, e cila prej disa muajsh ka hedhur akuza të forta për qarkullimin e naftës ilegale në pompat e karburantëve në Shqipëri.

Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula me një postim në Facebook thekson se është thyer embargoja me Libinë dhe ngre dyshime të forta për porositësit e ngarkesës me naftë.

Sipas tij, policia po vepron me dy standarte pasi arreston vetëm “peshqit e vegjël” dhe jo ato që ofrojnë garanci për kryerjen e kontrabandës apo porositësit e vërtetë.

Reagimi: Kush janë porositësit e naftës kontrabandë? Në mënyrë të përsëritur në Shqipëri futet naftë kontrabandë. Kohët e fundit skandali është zgjeruar pasi jo vetëm kontrabandohet nafta, por thyhet edhe embargo e vendosur me Libinë. Dje policia lajmëroi se ka kapur 62 mijë litra naftë në dy peshkarexha.

Nga ana e policisë lajmi shitet si një arritje, por ajo që shqetëson shqiptarët është fakti se nga kush ka frikë shteti, që nuk deklaron apo nuk ndëshkon porositësit e naftës. Si në rastin e parë edhe në këtë të dytin policia mburret se kapja u bë pas veprimeve të koordinuara me partnerët, por në fakt nuk e lejon operacionin e jashtligjshëm që të shkojë deri në fund në mënyrë që të zbulohen edhe porositësit e vërtetë të naftës. Si në rastin kur u sekuestrua anija cisternë në verë, por edhe dje, në prangat e policisë kanë rënë vetëm ata që në zhargon quhen peshqit e vegjël. Nuk i hyn asnjë gjëmb në këmbë atyre që porosisin naftën.

Nëse policia arreston vetëm kapitenët e anijeve, trafikantët e naftës e kanë të lehtë të gjejnë kapitenë të tjerë dhe të bëjnë sërish këtë aktivitet. Ndaj theksoj që problemi i vërtet është porositësi dhe ata që ofrojnë garanci në Shqipëri që këto aktivitete të funksionojnë.