Letër e hapur e Kseniya Lvovsky, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri

545
Sigal

Përgjigje letrave të hapura të zotit Danushi, Dr. Nesturit dhe zotit Boçari

 Në përgjigje të letrave të hapura të zotit Danushi datë 27 maj, Dr. Nesturi datë 30 maj dhe zotit Boçari datë 1 qershor 2013, Banka Botërore dëshiron të bëjë me dije se ka dhënë komente dhe reagime ndaj Shoqatës “Bregdeti” dhe Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” përmes disa komunikimeve me shkrim dhe mbledhjeve të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit. Për shkak të rëndësisë që kanë të drejtat mbi pronat e paluajtshme dhe çështjet ende të pazgjidhura që lidhen me procesin e reformës së tokës, Banka Botërore ka përgatitur në vitin 2011 një studim mbi këtë problematikë me titull “Qeverisja në mbrojtjen e të drejtave mbi pronën e paluajtshme në Shqipëri: sfidë e vazhdueshme”. Qëllimi i studimit ishte informimi i debatit publik dhe theksimi i rëndësisë që ka angazhimi në dialog me të gjitha grupet e interesit, në mënyrë që të zgjidhen problemet e mbetura pezull lidhur me privatizimin, kthimin/kompensimin, legalizimin dhe zhvillimin e një tregu toke të efektshëm. Botimi i dytë i rishikuar i materialit në fjalë është publikuar në ueb-sajtin tonë me adresë http://ëëë.ëorldbank.org.al, në muajin prill 2012, pas diskutimeve të zhvilluara me shoqatat e lartpërmendura dhe me grupe të tjera të interesit. Në të pranohet se ka pikëpamje gjerësisht të ndryshme për këto çështje mes grupeve të ndryshme të interesit në Shqipëri, duke përfshirë edhe pikëpamjet e shoqatave që përfaqësojnë pronarët e shpronësuar.

         Edhe pse i vlerëson pikëpamjet e shoqatave të pronarëve të shpronësuar, Banka Botërore i qëndron mendimit se studimi i lartpërmendur ofron një analizë të paanshme dhe të drejtpeshuar të situatës. Në të paraqiten një varg zgjidhjesh alternative dhe shembujsh të qasjeve që kanë ndjekur vende të tjera në situata të ngjashme; ai nuk rekomandon një plan për veprim. Studimi ka kaluar në filtrin e një procesi shqyrtimi të plotë dhe ka marrë mbështetjen e drejtuesve të Bankës Botërore. Banka Botërore është një institucion shumëpalësh për zhvillim, i cili punon me dhe për vendet anëtare, si Shqipëria. Ne do të vazhdojmë një dialog të hapur, profesional dhe pragmatik për këtë dhe për sfida të tjera të zhvillimit në Shqipëri me të gjitha grupet kyçe të interesit për ta ndihmuar vendin që të ecë më shpejt drejt dhënies fund të varfërisë së skajshme, nxitjes së prosperitetit të përbashkët, përmirësimit të qeverisjes dhe çuarjes përpara të integrimit në BE.

Sinqerisht,

 Kseniya Lvovsky