Barack OBAMA/Proklamatë Presidenciale –Qershori, muaji i Krenarisë LGBT 2013

489
Sigal

Kemi qenë dëshmitarë të ndryshimeve reale dhe jetëgjata, por puna jonë nuk është e përfunduar

*President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Për më shumë se dy shekuj, Kombi ynë ka luftuar për të shndërruar idealet e lirisë dhe barazisë nga një premtim themeltar në një realitet jetëgjatë. Amerikanët lesbike, gay, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT) dhe aleatët e tyre kanë punuar fort mbi kapitullin tjetër të madh të asaj historie – nga klientët e Hotelit Stonewall që ndezën një lëvizje të tërë deri tek anëtarët e forcave ushtarake që më në fund mund të jenë të sinqertë lidhur me kë dashurojnë dhe deri tek të rinjtë e guximshëm që bëjnë ‘come out’ dhe ngrenë zërin çdo ditë.

Këtë vit, festojmë Muajin e Krenarisë LGBT në një çast shprese dhe përparimi të madh, duke pranuar që më shumë duhet bërë. Mbështetja për barazinë për personat LGBT po rritet, udhëhequr nga një brez që e kupton se, në fjalët e Dr. Martin Luther King, Jr., “padrejtësia kudo qoftë është kërcënim për drejtësinë në çdo vend.” Gjatë vitit të kaluar, për herë të parë, votues në shumë shtete afirmuan barazinë e martesës për çiftet e të njëjtës gjini. Qeveritë e shteteve dhe ato vendore kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të ofruar mbrojtjet e nevojshme për amerikanët transgjinorë. Administrata ime është një partner krenar në udhëtimin drejt barazisë për LGBT. Kemi zgjeruar mbrojtjen kundër krimeve nga urrejtja duke përfshirë sulmet e bazuara në orientimin seksual apo identitetin gjinor dhe shfuqizuam aktin “Mos Pyet, Mos Trego.” Kemi hequr ndalimin e hyrjes për HIV dhe kemi siguruar të drejtat e vizitave në spitale për pacientët LGBT. Së bashku, kemi hetuar dhe trajtuar ngacmimet e përhapura që hasin studentët LGBT, kemi ndaluar me ligj diskriminimin e bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor në strehimin Federal, si dhe kemi shtrirë përfitimet për partnerët e familjeve të së njëjtës gjini. Më herët këtë vit, nënshkrova riautorizimin e Aktit të Dhunës Kundër Gruas (VAWA) që ndalon diskriminimin mbi bazën e orientimit seksual dhe identitetit gjinor në zbatimin e çfarëdo program të financuar nga VAWA. Dhe meqenëse të drejtat e LGBT janë të drejta të njeriut, Administrata ime po vë në zbatim strategjinë e parë federale për të çuar përpara barazinë për njerëzit LGBT kudo në botë. Kemi qenë dëshmitarë të ndryshimeve reale dhe jetëgjata, por puna jonë nuk është e përfunduar. Vazhdoj të mbështes një Akt tërësisht përfshirës për Mos-Diskriminimin në Punësim, si dhe Aktin për Respektimin e Martesës. Administrata ime vazhdon të zbatojë Aktin për Kujdesin e Përballueshëm, i cili duke filluar nga viti 2014, ndalon sigurimet t’u mohojnë mbulim klientëve bazuar në orientimin e tyre seksual apo identitetin gjinor, si dhe Strategjinë Kombëtare për HIV/SIDA, e cila trajton ndikimin e pabarabartë të epidemisë HIV mes disa nënkomuniteteve LGBT. Kemi rrugë të gjatë për të bërë, por nëse vazhdojmë në këtë rrugë së bashku, jam besimplotë se një ditë të afërt, nga një breg në tjetrin, të gjithë të rinjtë tanë do të shohin nga e ardhmja me të njëjtën ndjenjë premtimi dhe mundësie. Jam besimplotë sepse kam parë talentin, pasionin dhe përkushtimin e avokatëve LGBT dhe aleatëve të tyre, dhe e di që kur zërat bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët, nuk mund të ndalen. TANI, PËR RRJEDHOJË, UNË, BARACK OBAMA, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në bazë të autoritetit që më vesh Kushtetuta dhe ligjet e Shteteve të Bashkuara, me anë të kësaj, shpall qershorin 2013 si Muajin e Krenarisë LGBT. I bëj thirrje popullit të Shteteve të Bashkuara të eliminojnë paragjykimin kudo që ekziston dhe të festojnë diversitetin e madh të popullit amerikan. NË DËSHMI TË KËSAJ, këtu nënshkruaj me dorën time në këtë ditë të tridhjetenjë të majit, në vitin dymijë e trembëdhjetë të Zotit tonë, dhe në vitin e dyqind e tridhjeteshtatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.