“Kurum” tallet me shtetin shqiptar, vazhdon biznesin megjithëse i falimentuar

700
E ndërsa ka shpallur prej afro 2 muajsh “falimentimin e pa negociueshëm”, për shkak të malit me borxhe, KURUM sërish vazhdon shitjet e prodhimeve të çelikut, duke dashur të boshatisë magazinat e veta, duke shitur prodhime për firma dhe kompani të tjera private në Shqipëri dhe vendet fqinje. Një tallje e hapur dhe fyerje e hapur ndaj institucioneve të shtetit shqiptar, shkelje e hapur e ligjeve të këtij vendi, në një kohë që ndaj asaj kompanie kanë nisur prej 2 javësh procedurat zyrtare të falimentimit. Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), Banka e Detit të Zi (BSTDB), Raiffeisen, BKT, NBG Bank, një bankë turke (Odeabank) dhe institucioni holandez FMO, janë të gjitha të ekspozuara ndaj KURUM, kompanisë së prodhimit të çeliqeve që shpalli falimentin në 6 shkurt 2016. Por pavarësisht kësaj situate, duket se KURUM ka vazhduar e qetë shitjet e prodhimeve të saj.

 Janë disa institucione financiare, banka rajonale e vendase, që kanë dhënë miliona euro kredi ndaj kompanisë së prodhimit të çelikut dhe energjisë, e cila shpalli falimentin. Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e grupit të Bankës Botërore ka deklaruar se “në fund të vitit 2013, IFC ka qenë pjesëmarrëse në një paketë borxhi për KURUM, prej 106 milionë eurosh”, së bashku me disa kreditorë të tjerë. Huaja është marrë nga KURUM, në kuadër të privatizimit të katër hidrocentraleve Bistrica 1, 2, Ulëz dhe Shkopet, me fuqi totale të instaluar 76.7 MË, që ajo i bleu nga qeveria shqiptare për rreth 109 milionë euro në fillim të vitit 2013. Por krahas IFC, borxhi është rritur edhe nga financime nga Banka për Tregti dhe Zhvillim e Detit të Zi (BSTDB), Banka Kombëtare Tregtare dhe Raiffeisen Bank Albania. Financimi gjithashtu përfshin huan nga FMO (Netherlands Development Finance Company), IFC, dhe Odeabank (dega turke e bankës Audi-Lebanon). Sipas raportit “Shqipëria, Partneriteti i Grupit të Bankës Botërore, Vështrim i Programit” të publikuar nga BB, pjesa e financuar nga IFC është 30 milionë euro. Banka për Tregti dhe Zhvillim e Detit të Zi (BSTDB), një bankë rajonale ka gjithashtu një ekspozim mbi 30 milionë euro te KURUM. 

Sipas burimeve zyrtare BSTDB i ka dhënë kompanisë së prodhimit të çelikut dy hua, të parën prej 20 milionë eurosh në vitin 2011 për të rritur prodhimin, ndërkohë që plotësoheshin standardet e BE-së për mjedisin, shëndetin dhe sigurinë në punë, dhe 18 milionë eurosh në fund të 2013-s, në kuadër të paketës së huave prej 106 milionë eurosh, të përmendur më lart. Nga bankat vendase mësohet se ekspozimin më të lartë e ka Raiffeisen, me rreth 30 milionë euro. Në total KURUM ka rreth 300 milionë euro detyrime, gjysma e të cilave ndaj bankave e institucioneve financiare e pjesa tjetër ndaj të tretëve. Deri në dhjetor 2015, KURUM ka vazhduar të kërkojë kredi në disa banka në vend, duke premtuar garanci koorporative, ndërkohë që disa banka kanë refuzuar të japin kredi kësaj kompanie. Por duket se në rrjetën e mashtrimeve të KURUM ra NGB Bank, që në tetor 2015 ka dhënë një kredi 5 milionë euro për KURUM. NBG, disa ditë më parë, përmes shoqërisë përmbarimore TDR Group ka depozituar në QKR kërkesën për vendosjen e masës së sekuestros konservative mbi të gjitha aksionet e zotëruara nga shoqëria KURUM International. Bëhet fjalë për një kontratë kredie bankare të datës 8.10.2015 të lidhur mes NBG-KURUM. Ndaj debitorit KURUM-International dhe dorëzanësve Hasmet Debii Kurum dhe KURUM- Holding- SA duhen kryer në mënyrë të menjëhershme të gjitha veprimet procedurale të cilat bëjnë të mundur ekzekutimin e detyrimit. TDR ka urdhëruar vendosjen e sekuestros konservative për KURUM-International, Hasmet Debii Kurum dhe shoqërisë mëmë turke KURUM-Holding-SA. E ndodhur përballë kësaj situate, kompania turke e prodhimit të çelikut KURUM është detyruar të kërkojë falimentin. Blerja e hidrocentraleve me kredinë prej 106 milionë eurosh ka rritur barrën e borxheve të KURUM, e cila rezulton të jetë e mbytur në një krizë likuiditeti, teksa nga njëra anë pret të arkëtojë 19 miliardë lekë nga furnitorët dhe në kahun tjetër ka rreth 17 miliardë lekë detyrime ndaj të tretëve. Rënia e çmimeve të hekurit në tregjet ndërkombëtare dhe tkurrja e kërkesës së brendshme i ka dhënë goditjen përfundimtare KURUM. Në bilancin e 2014, kjo kompani konstatoi se sektori i ndërtimeve po pësonte rënie drastike, nga pezullimi lejeve të ndërtimit dhe mungesa e shitjeve apartamenteve. KURUM prej 2 vitesh ka qenë në vëmendjen e disa institucioneve për mosrespektim të standardeve mjedisore, që e detyruan Ministrinë e Mjedisit të bllokonte aktivitetin e saj, në maj të vitit 2015. Por ka ndodhur një gjë e pazakontë, e cila ndodh vetëm në Shqipëri. Pavarësisht se KURUM ka bërë kërkesën zyrtare për faliment, ajo ka vijuar eksportin e hekurit në të gjitha pikat doganore të vendit, kryesisht nga Durrësi, Qaf-Thana dhe Kapshtica. Agjencitë doganore, që operojnë me KURUM kanë deklaruar se “eksporti i hekurit të KURUM ka vijuar normalisht deri në datën 19 mars 2016, ndonëse ajo kompani ka ndalur prodhimin qysh në dhjetor të vitit 2015, duke dashur të boshatisë magazinat e saj. Realisht po eksportohen stoqet e hekurit, ndërsa rivënia në punë e uzinës në Elbasan varet nga vendimi që do të marrë administratori ri dhe borxhlinjtë e KURUM”. Juristët thonë se “vazhdimi i aktivitetit, pra edhe i shitjeve në një kohë që KURUM ka deklaruar zyrtarisht falimentimin, është shkelje e hapur e ligjeve të vendit, ndaj duhet ndalur urgjentisht ky abuzim financiar, që po ndodh me magazinat e Elbasanit, të mbushura plot me prodhime çeliku, qeveria duhet të mos heshtë”. 
————————- 
Sigal