Halil Rama: Lamtumirë kolonel Myfit Guxholli

445
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

“Myfit Guxholli  ishte pjesë e brezit që kryen dhe fituan luftën kundër fashizmit e nazizmiit, duke rreshtuar Shqipërinë në krahun e fitimtarëve botërorë. Mbas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, me hapjen e shkollës “Skënderbej” mbaron me rezultate të mira dy vite mësimore të kësaj shkolle dhe më pas mbaroi Shkollën e Lartë të Topografisë Ushtarake në Leningrad (ish-Bashkimi Sovjetik). Ai ka kryer detyra të rëndësishme në ushtri.”

Koloneli 91-vjeçar Myfit Guxholli, një nga personalitetet e shquara të Luftës Antifashiste NacionalçIirimtare dhe të Ushtrisë Shqiptare dje humbi betejën me SARS-CoV-2.

Kryetari i OBVL i rezistoi për disa ditë pandemisë të sëmundjes së koronavirusit (COVID-19), fillimisht në Spitalin amerikan të Tiranës dhe më pas në shtëpi, nën përkujdesjën e mjekëve e veçanërisht njerëzve të familjes, vajzës së tij.prof.dr.Zana Guxhollit, djalit Artanit, nipërve e mbesave, deri sa dje para dite zemra e tij.

Lajmi i hidhur për ikjen e papritur për në botën e përtejme të kolonelit me kontribut madhor në LANÇ e në Ushtrinë shqiptare si officer, pedagog e dekan I Shkollës së Bashkuar ka tronditur mbarë opinionin publik mbarëshqiptar. Kjo edhe për faktin se vetëm para një viti ai festoi 90-vjetorin e lindjes në një ceremoni shtetërore, ku u dekorua nga Presidenti I Republikës me “Dekoratën e artë të shqiponjës”. Ai  u shfaq në këtë ceemoni plot vitalitet dhe me mendje e trup të shëndoshë, premtues se do ta drejtonte edhe pë shumë vite Organizatën e Bashkuar të Veteranëveë, themelues i së cilës ai ishte që në 20 korrik 1944, sëbashku me emra të spikatur të historisë sonë kombëtare.

Në më shumë se dy dekada veprimtari intensive, Kolonel Guxholli dha kontribut maksimal në konsolidimin e strukturave të OBVL, si nënkrtar dhe kryetar i saj, krahas themeluesve, ish- veteranë të LANÇl, drejtues të spikatur të formacioneve partizane dhe më vonë të ushtrisë shqiptare, si Dr.Ymer Dishnica, gjeneral Rahman Parllaku, Skënder Malindi, Edip Ohri, Hamit Keçi, Tahir Voshtina, Shaban Reçi, Liri Belishova, Sotir Budina, Jorgji Terca, Genci Ballanca, Fluturak Vinçani, Isuf Imeraj, Maksim Vinçani, Muharrem Gjoka, Xhemal Meçi Sakip Cami, Ali Demushi, Kol Deda e dhjetra figura të tjera të shquara.

“Dekorata e Artë e Shqiponjës” shkëlqente në  gjerdanin e artë titujve të nderit të kolonel Guxhollit

Një personalitet i përmasave të tilla, padyshim që ishte vlerësuar me Urdhëra, Tituj e Medalje të ndryshme, por me të drejtë ai vlerësonte si primare në gjerdanin e artë të këtyre vlerësime “dekoratën e Artë të Shëiponjës”që iu akorua nga Presidenti Meta në 90-vjetorin e ditëlindjes së tij. Kjo edhe për faktin se “Dekorata e artë të shqiponjës” (e njohur si “Medalja e Artë e Shqiponjës” në vitet 1996-2013), është një dekoratë nderi e Republikës së Shqipërisë, që u jepet qytetarëve shqiptarë dhe të huaj për trimëri në luftën e armatosur dhe për veprimtari ose akte të guximit qytetar në kohë paqeje. Kolonel Myfit Guxholli e meriton plotësisht dekorimin me këtë Urdhër të Artë.Kreu i shtetit vlerësoi kështu kontributin e ish-partizanit, kolonelit veteran Myfit Kuxholli, i cili ka kryer  me sukses detyra të rëndësishme në Ushtrinë Shqiptare dhe si bashkëthemelues i OBVL-së, me dr.Ymer Dishnicën, gjeneral Parllakun, Liri Belishovën, Edip Ohrin, Skënder Malindin e dhjetëra personalitete tjera të LANÇ-it e të Ushtrisë Shqiptare. Myfit Guxholli drejtoi me përkushtim Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të LANÇ-it, deri në çastin e fundit të jetës së ti.

Kush ishte kolonel Guxholli

Kolonel ing. Myfit Guxholli ka lindur në Pogradec, më 7 qershor 1930. Ishte vetëm 9 vjeç kur iu bashkua lëvizjes së rinisë pogradecare, që kërkonte armë për të shkuar në Durrës, që të luftonin kundër pushtimit fashist të vendit. Po ashtu, pas një viti, nga urrejtja për inxhinierin italian që ishte major i Simit dhe që punonte në minierën e kromit “Guri i Kuq”, e qëllon atë më një gur në bel. Myfiti i shpëtoi arrestimit, pasi e fshehu rinia pogradecare ndërmjet protestuesve. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe më pas studioi për dy vjet në liceun e Korçës. Myfiti rrjedh nga një familje e pasur atdhetare dhe patriotike. Gjatë okupimit nazifashist të vendit, familja e tij u përfshi e tëra në luftën kundër okupatorit, madje babai i tij u burgos për aktivitet antifashist.

Myfiti, megjithëse në moshë fare i ri, që në shkurt 1944 u rreshtua në radhët e Ushtrisë partizane në Brigadën IV Sulmuese, si kuadër i kësaj brigade. Mbas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, me hapjen e shkollës “Skënderbej” mbaron me rezultate të mira dy vite mësimore të kësaj shkolle dhe më pas mbaroi Shkollën e Lartë të Topografisë Ushtarake në Leningrad (ish-Bashkimi Sovjetik). Pas diplomimit u emërua në gegën e topografisë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Krahas detyrës së tij funksionale, ai vazhdoi studimet edhe në fakultetin e inxhinierisë së Universitetit të Tiranës, në mbarim të të cilit u titullua “Inxhinier topograf”.

Ai ka kryer detyra të rëndësishme në ushtri. Pasi u gradua nëntoger u emërua kryetopograf, më vonë shef seksioni dhe nënkryetar dege të topografisë pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Gjatë viteve 1952-1961 ka marrë pjesë në organizimin, projektimin dhe zbatimin në terren të të gjitha punimeve topogjeodezike për sigurimin topografik të ushtrisë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Është bashkautor, së bashku me specialistët e huaj në projektimin e zbatimin në praktikë në terren të triangulacionit shtetëror (arshiva IGU/1954). Nga viti 1961 deri në 1985 shërbeu në shkollën e bashkuar të oficerëve (sot akademia “Skënderbej”) si pedagog, shef cikli dhe shef i katedrës së topografisë, me gradë “Major”. Gjatë kohës së mësimdhënies dhe drejtimit të katedrës, ing. Myfit Guxholli ka një aktivitet të pasur shkencor e pedagogjik.

 

Veprimtaria krijuese e shkencore e Kol.Ing. Myfit Guxholli

Ka përgatitur cikle të plota të leksioneve ushtarake në gjeodezinë e lartë, në gjeodezinë inxhinierike, si dhe leksionet e gjeografisë ushtarake për akademinë e mbrojtjes dhe atë “Skënderbej”. Në vitin 1986 boton tekstin mësimor “Gjeodezia”, të përshtatur për studentët e specialitetit topograf në akademinë “Skënderbej”, por dhe për studentë të tjerë të specialiteteve të ndryshme, që studiojnë  gjeodezinë, si xhenio etj. Po ashtu, ai është bashkautor i hartave të territorit shqiptar të shkallëve 1 : 25000 – 1: 50000 (projektet në IGU Tiranë). Ing. Myfit Guxholli është autor i dhjetëra artikujve shkencorë, ndërkohë që ka përgatitur rregullore të ndryshme dhe ka mbajtur referate e kumtesa cilësore në disa simpoziume e konferenca shkencore. Duke vlerësuar aktivitetin e pasur të tij në vitin 1973, katedra e topografisë e Akademisë Ushtarake “Skënderbej” propozoi që ing. Myfit Guxhollit t’i jepej titulli “Docent”, por pas ngjarjeve të atyre viteve të “stuhishme”, propozimi i asaj katedre u pezullua. Me ndryshimin e sistemit komunist, Myfiti familjarisht përfshihet në proceset demokratike, duke dhënë një kontribut të shquar në fitoren e demokracisë. Ai ka qenë një nga organizatorët e krijimit të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës (OBVL), së bashku me dr.Ymer Dishnicën, gjeneral Rrahman Parllakun, Liri Belishovën, Edip Ohrin, Skënder Malindin e dhjetëra personalitete të tjera të LANÇ-it e të ushtrisë shqiptare. Për kontributin e tij, kol. ing. Guxholli është zgjedhur zv/kryetar i kësaj organizate që nga themelimi i saj para 26 vitesh dhe që nga data 1 nëntor 2019 është kryetar i saj, duke punuar me përkushtim për edukimin patriotik të brezave. Për të gjitha këto merita, kryesia e OBVL-së i ka propozuar edhe këshillit të bashkisë që ta shpallë atë “Qytetar Nderi të Pogradecit”.

Familja Guxholli, si ia mohoi pushteti komunist kontributi në luftë

Kolonel ing. Myfit Guxholli i përket familjes së njohur pogradecare, që shkriu pasurinë e saj për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.Në vitet 1920-1940, pogradecarët lundronin përmes liqenit për në Ohër e Strugë dhe merrnin mallra që andej me tragetin “Ylli i bardhë”. Trageti, në pronësi të Nevruz Pasho Guxhollit, transportonte misër e grurë, çimento, dërrasa e materiale të tjera ndërtimi. Kur sapo ishte fuqizuar ekonomikisht, familja Guxholli më 1930 kishte blerë në Greqi një fabrikë mielli, e cila siguronte miell për qytetin e rrethin e Pogradecit, por edhe për Korçën, Bilishtin e Ersekën.

Në përshtatje me realitetin ekonomik të atyre viteve, Nevruz Pasho Guxholli ishte aksioner edhe në shoqërinë private të sjelljes së dritës elektrike në qytetin e Pogradecit. Dhe jo vetëm kaq, por si një nga biznesmenët e njohur të asaj kohe, krahas fuqizimit ekonomik të familjes, kishte filluar të merrej edhe me politikën provinciale të kohës.

Ai ishte marrë me tregti e njëkohësisht kishte qenë edhe këshilltar në administratën vendore qysh në vitin 1923. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kjo familje, si dhe gjithë fisi Guxholli, e kundërshtuan pushtimin e atdheut. Për veprimtari patriotike dhe për qëndrimin e tij kundër okupatorit fashist, Nevruzi burgoset në Korçë në vitin 1943. Pas kapitullimit të Italisë fashiste arratiset nga burgu së bashku me shokët e tij dhe me armë në dorë i bashkëngjitet Lëvizjes Nacionalçlirimtare, ndërkohë që djemtë e tij, Bexheti, Qemali, Arefiu dhe Myfiti, si partizanë u rreshtuan në krah të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. U burgosën si antifashistë tre vëllezërit, të cilët kishin lënë shkollën dhe ishin lidhur me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në Luftën Antifashiste, qysh në fillimet e saj, u përfshi e gjithë familja Guxholli, ndërsa me armë në dorë luftuan tre djemtë e kësaj familjeje. Është i njohur aktiviteti i tyre: Bexheti, që në maj 1943, me çetën e Mokrës e batalionin “Reshit Çollaku”; Myfiti, si kuadër në Brigadën IV S; Qemali, në qytet me grupet antifashiste dhe Arefiu i vogël, korrier me partizanët e Mokrës. Por gjithsesi, edhe kjo familje që shkriu pasurinë për luftën, do të përballej me represionin e pushtetit komunist. Pas çlirimit, Nevruzi ishte anëtar i të parit këshill vendor në Pogradec, ndërkohë që prej vitit 1946-1947, burgoset për “mospagimin e tatimfitimit”. Do të rehabilitoheshin disi më vonë, kur falë intelektit, zgjuarsisë dhe përkushtimit ndaj atdheut do të dilnin katër oficerë nga kjo familje: Bexheti e djali, Iliri, Myfiti e djali, Artani.

 

Teksa dëgjoje këtë zë veterani,  thuaje me vete: Veteranët nuk vdesin kurrë… 

Myfit Guxholli fliste pak për vete, por nuk rreshti së treguari për bashkëluftëtarët e vet, për shokët, miqtë dhe tashmë për kolegët veteranë që shpesh mblidheshin së bashku, kujtojnin ngjarje, histori, ndodhi dhe plotësonin  e saktësonin njëri tjetrin. Ai ishte pjesë e brezit që kryen dhe fituan luftën kundër fashizmit e nazizmiit, duke rreshtuar Shqipërinë në krahun e fitimtarëve botërorë. Një vit më parë, duke marrë në dorë “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, kolonel Guxholli, me sy  të përlotur dhe me  zë pak të dridhshëm u shpreh: “Kjo, më shumë u përket atyre që ikën dhe ranë si trima në luftën tonë, por unë nuk mund  ta fsheh gëzimin dhe fatin që më dha jeta e shansi të jetoj deri në  10 vjeçarin e tretë të shekullit të 21-të, duke mbajtur edhe këtë dekoratë në gjoks. Do ta marrë me vete kur të ik, që tua tregoj shokëve të luftës, atje, në botën “pa ushtri”…

Teksa dëgjoje këtë zë veterani,  thuaje me vete: Veteranët nuk vdesin kurrë…  Dhe në të vërtetë, vetë jeta dhe vepra heroike e tij,e veshin kolonel Guxhollin me pavdekësi.

Gjithësesi, ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për familjen, të gjithë ne, që mësuam aq shumë nga vepra e tij, jo vetëm për karakterin e pathyer të njeriut të drejtë, por edhe për luftën, sakrificat sublime dhe kontributet e jashtëzakonshme të popullit tonë gjatë Luftës së II Botërore.

Duke u shprehur familjes Guxholli, të afërmve, miqve e dashamirësve të tij të shumtë, ngushëllimet më të sinqerta, në emër të Kryesisë së OBVL-së shprehnjëkohësisht  bindjen se emri dhe vepra e tij nuk do të ndahen kurrë prej nesh!

Lamtumirë koloneli ynë fitimtar!