Kur SPAK të hetojë kontratën e Check-up, Sterilizimi dhe Inceneratori do duken lule

76

Superskandali i zhdukjes së kontratës së Sterilizimit, pason të njëjtën marrëzi që ministria e Shëndetsisë ka bërë edhe me koncesionin e Check-up, kur në prill 2017, ministria e Shëndetsisë, Financave, Ekonomisë dhe ISDKSH nuk dispononin kopje të kontratës. Korrespondenca zyrtare me gazetën Telegraf ku Ahmetaj i Financave përgjigjej: Kërkojini tek Ilir Beqaj, Milva Ikonomi, procesverbali i mbledhjes së Qeverisë, ISDKSH dhe Komisionit Parlamentar që e ka miratuar. A do hetohen “gojët e liga” për 3 vilat dhuratë në Zvicër, Greqi dhe Itali?! Ja faksimilet

Sigal

Procesverbali i Mbledhjes së Këshillit të Ministrave dhe informacioni, që lidhet me Komisionet Parlamentare disponohen pranë institucioneve përkatëse.

Në bazë të kontratës koncesionare institucioni përgjegjës për financimin e projektit dhe prodhimin e të dhënave mbi ecurinë e procesit të kontrollit mjekësor bazë për moshat 35-70 vjeç, është Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

 

Superskandali i “humbjes” apo i zhdukjes së kontratës së Sterilizimit nuk përbën një rast të veçantë dhe të shkëputur nga marrëzia e PPP në Shëndetësi. Këto koncesione, jo vetëm që nuk realizuan shërbimin falas, por e futën në kolaps , mjekësinë shqiptare nga të pangopurit e koncesioneve që nuk kursejnë të majmen as me gjakun e qytetarëve shqiptar. Humbja apo fshehja e kontratave në shëndetësi  e ka zanafillën që me kontratën e Check-up, ku Gazeta Telegraf.al, e kërkoi një kontratë të tillë që në janar 2017 dhe pas shumë peripecish dhe bllokadash nga institucionet përkatëse, u detyrua t’i dërgonte kërkesat me shërbimin postar, si e vetmja mundësi e fillimit të proceseve gjyqësore. Përgjigjet një pjesë i kthyen dhe një pjesë heshtën, duke deklaruar se nuk i disponojnë, madje ministria e Shëndetësisë deklaronte se kopjen e kishte sekuestruar prokuroria. Të njëjtën kërkesë MSH ia bëri edhe KLSH, por përgjigja ishte e njëjtë deri sa Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkoi prokurorisë së Tiranës një kopje të noterizuar! Pikërisht për të rihapur çështjen e PPP-së Check-up po fillojmë publikimin e investigimeve , nëpërmjet të cilave do t’i shërbehet edhe më mirë institucionit të SPAK, në rifillimin e hetimit të çështjes, e cila është hapur dhe mbyllur disa herë nga ish-prokuroria e mëparshme. Pyetja që shtrohet ka të bëjë me faktin se si e kanë likujduar ministritë, si e kanë kontrolluar dhe audituar këtë PPP, kur nuk kanë kontratën përkatëse ?! Madje aludohet edhe nga mediat e kohës për dhurata dhe vila në Itali, Zvicër dhe Greqi për një funksionar të lartë të prokurorisë së kohës dhe që do botohen në numrat në vazhdim.

Ja shkrimi i botuar më 2017 dhe që do të pasohet me shumë shkrime dhe analiza të kohës në vazhdim.

Rekord financiar në “lumin” e koncesioneve që ka dhënë e vazhdon të jap “Rilindja” është koncesioni 10-vjeçar i “Check-up”, dhuruar Vilma Nushit, me vlerë 120 milionë euro: vlera këto që likuidohen verbalisht deri edhe me letra volumi fiktiv e të shtuar të numrit të personave, që duhet t’i nënshtrohen “Check-up”-it. Ky koncesion anti-ligjor e klientelist, i denoncuar shpesh prej gazetës “Telegraf”, po realizohet pa asnjë kontroll parlamentar e shtetëror. Skandali qëndron edhe në faktin, se kontrata e këtij koncesioni nuk po publikohet, paçka se është denoncuar edhe nga  Komisioni Parlamentar i Shëndetësisë, sipas të cilit, nuk i është dhënë kontrata nga asnjë prej tre ministrive të linjës, konkretisht prej ministrisë së Shëndetësisë që është Autoriteti Kontraktor, ministrisë të Financave që është autoriteti financues dhe ministrisë të Ekonomisë që është institucioni i monitorimit të koncesioneve, duke deklaruar se nuk kanë asnjë kopje të kontratës! Po kështu, deputetes Vokshi, nuk i është dhënë kontrata e “Check-up” as nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), i cili është autoriteti shtetëror që kryen pagesat e këtij koncesioni! Si është e mundur, që këtë kontratë koncesionare me vlerë 120 milionë euro nga taksat publike, nuk e paska ministria e Shëndetësisë që e ka dhënë këtë koncesion?! Si është e mundur, që këtë kontratë nuk e ka as ministria e Financave, e cila ka miratuar dhe ka çelur fondin limit të këtij koncesioni?! Si është e mundur, që kontratën nuk e paska as ministria e Ekonomisë, që monitoron këtë koncesion?! Dhe si është e mundur, që këtë kontratë nuk e paska a  Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), i cili kryen pagesat e këtij koncesioni tek llogaria e Vilma Nushit?! Pyetja shtrohet:- Me çfarë letrash, bëhen pagesat?! Edhe gazeta “Telegraf” ka kërkuar disa herë zyrtarisht njohjen me kontratën e “Check-up”-it, por prej 3 ministrive dhe prej Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), ka ardhur e njëjta përgjigje: “Nuk e kemi kontratën, e kanë institucione të tjera”, Deri këtu ka shkuar fuqia e Vilma Nushit, pronares së këtij koncesioni. Edhe një fakt tjetër skandaloz. Gjatë vitit 2015, vetëm 244 mijë shqiptarë e morën këtë shërbim, ndërsa kontrata e mbajtur sekret nga qeveria, sanksionon detyrimin për kontrollin e 475 mijë personave, të cilët edhe pse nuk kanë kaluar në këtë kontroll, milionat nga buxheti i shtetit janë shlyer me letra fiktive. Këtë e provon një deklaratë e bërë publike nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sipas të cilit, paçka se 917 mijë shqiptarë kanë të drejtë të përfitojnë nga projekti, “jo çdo gjë shkoi siç duhet”, mbasi vetëm 244 mijë e 420 persona janë në listën e kryerjes së “Check-up”-it për vitit 2015, ndërkohë që bilanci i paraqitur prej kompanisë për periudhën 31 mars-31 dhjetor 2015, tregon se taksapaguesit shqiptarë i kanë paguar Vilma Nushit 554 milionë lekë ose 2 herë më shumë, se vlera e analizave që duheshin kryer sipas detyrimit të kontratës, e cila po mbahet sekret me dhunë shtetërore. Kompania “3P Life Logistic” që përfaqëson “Check-up”-in u themelua qëllimisht në muajin dhjetor 2014 për të zhvatur këtë koncesion, Dhe për t’i shtuar fitimet Vilmës, Këshilli i Ministrave miratoi me VKM të posaçme, që të zgjeroheshin grupmoshat e përfshirjes në “Check-up”, duke e shtuar këtë nga 40-65 vjeç që ishte në kontratën fillestare, në 35-70 vjeç!

Ja përgjigjet e institucioneve për Gazetën Telegraf.al . Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), nuk pranoi të kthente përgjigje zyrtare, por inspektorët e auditimit të këtij institucioni, ashtu si edhe audituesit e ministrisë së Shëndetësisë nuk e kanë disponuar kontratën në fjalë.

Ministria e Shëndetësisë

Drejtoria Juridike

Nr. 1858/2 prot., datë 14.04. 2017

LËNDA :Kthim përgjigje

Në përgjigje të shkresës suaj Nr. 22 datë 25.03.2017 protokolluar me tonën Nr. 1858 datë 04.04.2017, nëpërmjet të cilës kërkoni informacion lidhur me koncesionin mjekësor “Check- Up” ju sqarojmë se dokumentacioni ligjor i realizimit të procedurës së Kontrollit Mjekësor Bazë përfshirë edhe kontratën koncesionare është sekuestruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Gjithashtu procesverbali i Mbledhjes së Këshillit të Ministrave dhe informacioni, që lidhet me Komisionet Parlamentare disponohen pranë institucioneve përkatëse.

Në bazë të kontratës koncesionare institucioni përgjegjës për financimin e projektit dhe prodhimin e të dhënave mbi ecurinë e procesit të kontrollit mjekësor bazë për moshat 35-70 vjeç, është Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin,

Drejtore Juridike

ANDONETA NJEHRRENA

 

Ministria e Financave

Drejtoria e Koncesioneve

Nr. 4456/1 prot., datë 06.04. 2017

Në përgjigje të Kërkesës suaj nr. 23 prot., datë 25.03.2017, me objekt “Informacion, lidhur me Koncesionin mjekësor “Check-up”, që financohet nga taksapaguesit shqiptarë, nëpërmjet Shtetit Shqiptar”, me anën e së cilës kërkohet vënia në dispozicion e kopjes së Kontratës Koncesionare të shërbimit “Check-up”, si dhe informacioni i detajuar, në zbatim të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”, Ju sqarojmë si më poshtë vijon:

Referuar nenit 13 të Ligjit Nr. 125/2013 “Për Koncesionet/Partneritetin Publik Privat” të ndryshuar, Ju duhet t’i drejtoheni, Ministrisë së Shëndetësisë, në rolin e Autoritetit Kontraktues, e cila është palë në këtë marrëveshje koncesionare, si dhe në bazë të pikës 2 të nenit 14 të po këtij ligji, Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve/Partneriteteve Publike Private, (Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes), e cila mban regjistrin elektronik të Koncesioneve/PPP, që është një bazë të dhënash elektronike për të gjitha kontratat e Koncesionit/PPP në Republikën e Shqipërisë.

Duke ju falënderuar,

Sekretari Përgjithshëm

GERALDINA PRODANI

Ministria e Ekonomisë, Turizmit,

Tregtisë dhe sipërmarrjes

Nr. 2622/1 prot., datë 07. 04. 2017

Lënda:Kthim përgjigje

Drejtuar: Ministria e Shëndetësisë

Koordinatorit për të Drejtën e Informimit

Për dijeni: Gazetës “Telegraf”

Të nderuar,

Redaksia e Gazetës “Telegraf’ ka dërguar pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes kërkesë për informacion lidhur me koncesionin mjekësor “Check-up”(bashkëlidhur).

Pas shqyrtimit të kërkesës në bazë të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” u konstatua se ky informacion nuk disponohet nga MZHETTS, por nga Autoriteti Kontraktor, i cili është Ministria e Shëndetësisë.

Sa më sipër, si dhe bazuar në nenin 12 të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, ku citohet se: “Në qoftë se pas shqyrtimit të kërkesës autoriteti publik konstaton se nuk e zotëron informacionin e kërkuar, ia dërgon atë autoritetit kompetent, duke e vënë në dijeni edhe kërkuesin.”, po ju përcjellim për trajtim kërkesën për informacion.

Ju uroj punë të mbarë.

Sekretari Përgjithshëm

GENTIAN KËRI

Deklarata e AlbanaVokshit

– Deklarata e AlbanaVokshit, kryetare e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë: Kam kërkuar një kopje të kontratës së “Check-up”, por nuk ma kanë dhënë, as në 3 ministritë e linjës të Shëndetësisë, të Financave, të Ekonomisë e as në Fondin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, që kryen shlyerjen e pagesave të këtij koncesioni

– Fshehja dhe publikimi i kontratës ka lidhje me mos kryerjen e shërbimit sipas detyrimit dhe për numrin e qytetarëve që u bëhet ky kontroll mjekësor, duke bërë pagesat dy here më tepër se volumi real.

– Në parlament është denoncuar skandali i rritjes dhe uljes së kufirit të moshës, me qëllim shtimin e numrit të personave që kontrollohen

– Gazeta “Telegraf”, denoncoi skandalin e Ministrisë së Punës e cila urdhëroi gjithë bashkitë e vendit, që të mos ua japin pagesën e ndihmës ekonomike, atyre që nuk kanë bërë “Check-up”-in.