Kullat në Tiranë, çfarë premtuan në fushatë Veliaj e Kosova

690
Ndërtimi i kullave shumëkatëshe në Tiranë ishte edhe një temë kryesore e fushatës elektorale për bashkinë e kryeqytetit në vitin 2015. Të dy kandidatët, Erjon Veliaj dhe Halim Kosova premtuan të mos e mbushnin Tiranën dhe aq më pak qendrën me ndërtesa të larta, siç po tentohet të bëhet në territorin e Teatrit Kombëtar. Atëherë Veliaj e ka pranuar vetë në fushatë se Tirana është e mbindërtuar dhe se kur të vijë ai në krye të bashkisë nuk do të firmosë leje ndërtimi. Edhe nëse e bën për shkak të shtesës së popullsisë, ai është shprehur se ndërtimet e reja do të bëhen në periferi dhe jo në qendër të Tiranës, por koha tregoi ndryshe dhe Veliaj bëri të kundërtën e asaj që tha duke miratuar disa kulla të larta në qendër dhe duke dhënë leje ndërtime në favor të privatëve. Ndërsa për doktorin e njohur, Halim Kosova, Tirana duhet të kthehet në një qytet të shëndetshëm për banorët. Ndërtimet pa kriter dhe pa një plan rregullues, theksoi Kosova, kanë bërë që sot Tirana të lëngojë. “Brenda qytetit janë përllogaritur 400 mijë metra katrorë gjelbërim. Gjithë puna ime në krye të Bashkisë së Tiranës është, çfarë do bëjmë për ta shndërruar Tiranën në një qytet të shëndetshëm, i cili për shkak të ndërtimit të ndërtesave pa plan lëngon sot”, u shpreh Kosova.
Sigal