Flet për “Telegraf” Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha:
Periudha intensive e sezonit veror dhe sfidat e mandatit për t’u shërbyer jo vetëm vlonjatëve por edhe mijra turistëve. Në fokus të punës së bashkisë së Vlorës mbetet përmirësimi i shërbimeve social-shëndetësore, arsimore, inkurajimi i komuniteteve dhe transparenca në vendimmarrje. Turizmit do të funksionojë në të gjitha stinët, ku bregdeti do kthehet në “perlën” e Mesdheut, kurse turizmi malor dhe bujtinat do kenë mbështetje me infrastrukturë dhe lehtësira fiskale.
Intervistë me Kryetarin e Bashkisë Vlorë, Z. Ermal Dredha
Intervistoi: Pajtim Xhelo
Z. Ermal, ju fituat bindshëm në zgjedhjet e fundit lokale. Statusi i fituesit, bën që të ndihesh mirë dhe të jesh krenar, por ka edhe detyrimin e madh, jo vetëm ndaj atyre që ju votuan, por edhe ndaj të gjithë qytetarëve të Vlorës. Ky detyrim është tepër i lodhshëm. Si ndihet Ermal Dredha që ka nisur Krye bashkiakun, madje edhe para kohës ligjore, në krahasim me Ermal Dredhën e emocioneve gjatë fushatës zgjedhore?
Përgjigje :Nuk do të thosha i lodhshëm, por patjetër ka qenë një fillim intensiv, pasi detyrën e nisa në kulmin e sezonit veror kur kërkesat ndaj shërbimeve të bashkisë janë më të larta, kjo edhe për shkak të rritjes së numrit të vizitorëve, që zgjedhin Vlorën për pushimet e tyre, dhe fatmirësisht ky është një nga vitet më të suksesshëm të turizmit. Sfida për të pasur një qytet të pastër ishte sfida e këtyre dy muajve të parë të punës sime, them që ja kemi dalë, por patjetër që ka ende shumë për të bërë. Përgjegjësia është e madhe, detyrimi siç e përmendët për t’u shërbyer qytetarëve që më dhanë besimin të drejtoj Bashkinë e Vlorës për katër vitet në vijim, është edhe më i madh.
Pa mohuar punën e bërë nga Krye – bashkiakët paraardhës, që në krye të herës, ju u ndeshët me një rrëmujë thuajse tërësore të qytetit të Vlorës, për më tepër që sa kish trokitur sezoni turistik veror. Krahas pastrimit të qytetit, të cilin po e vijoni me sukses, mund të dimë se cilat probleme do të kenë përparësi në punën e stafit të bashkisë të drejtuar nga ju?
Përparësi patjetër mbetet infrastruktura në rrugët e brendshme të qytetit dhe në njësitë administrative, transporti publik, po ashtu infrastruktura në kopshte e shkolla, një detyrim që kemi absolutisht të gjithë ndaj fëmijëve tanë. Në këtë këndvështrim me kënaqësi dua të përmend rikonstruksionin total të dy shkollave publike 9-vjeçare, shkolla “Avni Rustemi” dhe shkolla “Lef Sallata” i cili nis së shpejti. Në fokus të punës së bashkisë së Vlorës patjetër mbetet
zhvillimi i mëtejshëm i turizmit, politikat për një turizëm gjithëvjetor, shtimi i kapaciteteve akomoduese përmes orientimit të turizmit jo vetëm detar, por edhe agroturizmit, duke promovuar zonat përreth qytetit, bukuritë e të cilave tashmë në sajë edhe të investimeve në infrastrukturë nga qeveria shqiptare janë lehtësisht të aksesueshme.
Gjatë fushatës keni marrë përsipër të krijoni grupe të vogla këshillimorë për problematikat e ndryshme, që do të kërkojnë zgjidhje afatshkurtra, por edhe ato afatgjata. Kjo praktikë ndiqet në të gjitha bashkitë edhe në Europë e gjetkë. Deri tani, kjo nuk është zbatuar nga paraardhësit tuaj, përjashtuar Z. Neki Dredha. Që në Demokracitë e Lashtësisë, përfaqësitë e Popullit merrnin pjesë në vendimmarrje. Para disa vitesh u fol edhe këtu për pjesëmarrjen e popullit në mbledhjet e Këshillave Bashkiake, madje edhe për konsulta të hapura të Bashkisë. Kjo nuk u vu në jetë asnjëherë. Do ta zbatojë Ermal Dredha këtë normë të Demokracisë së pushtetit lokal?
Përgjigje: Pa modesti e cilësoj veten si një njeri të fjalës! Çdo punë dhe vendim i Bashkisë së Vlorës do të jetë në shërbim vetëm të komuniteti i cili është partneri ynë kryesor për të zhvilluar qytetin. Vlora nuk është e imja, Vlora është e jona dhe të gjithë bashkë do të bëjmë më të mirën për të. Mesa di dëgjesat publike janë zhvilluar dhe do të vijojnë të zhvillohen në të gjitha rastet kur vendimet prekin drejtpërdrejtë qytetarin.
Natyrshëm, mes punëve të mira, janë bërë edhe gabime. Mendoni se mund të rikthehen disa nga këto gabime në sensin e duhur? Do lejohet akoma që të largohen nga identiteti historik objekte të tilla si Sheshi i Flamurit, i cili është Simboli i Shtetit dhe i krenarisë së gjithë shqiptarëve, apo sheshi përpara Bashkisë? Do lejohen Akoma ndërtimet pa leje në brezat e gjelbër të qytetit, veçanërisht në Pyllin e Sodës, në Kuzumbaba?
Përgjigje: Projektet e nisura në Vlorë mendoj se janë konceptuar për ti dhënë një tjetër hov zhvillimit dhe Vlorës të së ardhmes, e cila padyshim nuk humbet asnjëherë identitetin, historinë dhe traditën. Sa i përket ndërtimeve ato do të lejohen vetëm aty ku e parashikon plani i përgjithshëm vendor. Si Bashki, do të jemi të hapur për sugjerimet dhe kritikat e qytetarëve dhe do të punojmë për të bërë ndryshime dhe përmirësime.
Si do të punojë ekipi juaj për krijimin e parqeve shlodhës për të moshuarit dhe fëmijët mes pallateve. Po për parandalimin e dëmtimeve nga sëmundjet dhe dëmtuesit e pemëve të mbjella gjatë trotuareve të Shëtitores Vlorë – Skelë si dhe ato të mbjella gjatë shëtitores nga Skela e në vijim, të cilën, për fat të keq e quajmë “Lungomare“, kur e kemi emrin në gjuhën shqipe “Anëdet”? Po për Varrezat e Dëshmorëve që janë lënë në mëshirën e fatit, ç’masa do të merren që të kthehen në identitet? Dëshmorët i përkasin gjithë kombit, pa dallime partiake, fetare, apo krahinore.
Përgjigje: Jemi duke studiuar të gjithë territorin e Bashkisë Vlorë për të parë se si do të zhvillohen hapësirat çlodhëse dhe recreative dhe ju siguroj që do të jenë të shumta. Sa i përket çështjeve të gjelbërimit, angazhimi është maksimal nga drejtoria e shërbimeve publike. Në Varrezat e Dëshmorëve puna ka nisur dhe do të bëjmë gjithçka për t’i dhënë dinjitetin që meritojnë të rënët për liri.
Me organizimin e ri të Qeverisë, Drejtoritë e Bujqësisë dhe Ushqimit janë shndërruar në rajonale dhe duket se nuk e kryejnë funksionin si dhe sa duhet. Po kështu edhe Drejtoritë Arsimore. Ju keni mendim që të bëhet ndonjë korrigjim?
Vendimmarrja është e qeverisë shqiptare e cila bazohet në prioritetet e përcaktuara prej saj. Problematikat që ne hasim gjatë punës sonë, të cilat lidhen me institucionet që zhvillojnë aktivitetin e tyre administrativ në territorin e Bashkisë Vlorë, patjetër që ja përcjellim organeve përkatëse në Bashkinë e Vlorës. Të dyja këto drejtori ekzistojnë dhe janë në funksion të plotë.
Cili do të jetë projekti juaj për veprat shoqërore si mensat e lira, banesat me qira të ulët, etj, për shtresat në nevojë?
Përgjigje :Si kryetar i Bashkisë Vlorë, më shumë se një projekt për mua është një angazhim për të siguruar për shtresat shoqërore në nevojë përmirësimin e kushteve të jetesës, një përpjekje për një qytet më të drejtë dhe më të zhvilluar për të gjithë qytetarët. Pa dyshim që në planifikimin e aksioneve që Bashkia do të marrë në këtë drejtim do të jenë mensat sociale, lehtësimi në sigurimin e banesave sociale për të pastrehët apo burimeve financiare për të siguruar një banesë. Po kështu krijimin e programeve të punësimit dhe trajnimit për të papunët, investimin në infrastrukturën për personat me aftësi të kufizuara, përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, inkurajimin e zhvillimit të komuniteteve lokale, dhe promovimin e transparencës dhe përfshirjes qytetare në vendimmarrjen e bashkisë.
Për problemet e artit, kulturës, sporteve dhe mediave. Vlora ka qenë dikur, krahas Shkodrës dhe Korçës, qyteti me një jetë intensive kulturore, artistike dhe sportive, jo vetëm nga institucionet profesioniste që vareshin nga shteti, po edhe nga shkollat e mesme dhe ndërmarrjet. Sot është katandisur për të ardhur keq. Keni mendime për t’i dhënë Vlorës Lavdinë e dikurshme? Edhe diçka: Në Shkodër, Gjirokastër dhe Korçë ka filiale të RTSH (Radio Televizionit Shqiptar). Përse të mos e ketë edhe Vlora. Kjo do të ishte një ndihmesë e madhe.
Përgjigje: Bashkia e Vlorës shumë shpejt do të ketë një axhendë të ngjeshur me aktivitete kulturore që do të jenë gjithëpërfshirëse. Sa i përket filialeve të RTSH, nuk mendoj që ato varen nga kryetari i Bashkisë.
Në përmbyllje të gjithë problemeve, do të bëni ju një kontratë me përfaqësues të komunitetit për aktivitetin e Bashkisë?
Përgjigje: Kontratën e kam lidhur me qytetarët e Vlorës që ditën që më dhanë votëbesimin dhe kjo nuk do të ndryshojë përderisa të jem në krye të punëve të qytetit që më lindi dhe rriti! Ju uroj punë të mbarë dhe suksese të pandërprera!
Faleminderit