Kriza e thellë ekonomike/ Bisneset e vogla do të falimentojnë dhe prodhimet shqiptare do të largohen nga tregu. Do shtohet papunësia

665
Sigal

“Bizneset e vogla do të falimentojnë dhe markat më të dobëta do të largohen nga tregu”

Nga: Elfrida Manoku

Hapja graduale e lëvizjeve në këtë periudhë, por edhe në jetën post-pandemie, do të ndryshojë rrënjësisht blerjet te konsumatorët. Ky është konkluzioni që jep dr. Elfrida Manoku, pedagoge te Departamenti i Marketing – Turizmit, FEUT. Zonja Manoku, thotë se ata njerëz që kanë humbur punën dhe iu janë reduktuar të ardhurat, do të bëjnë shkurtimet më të larta te blerjet.Kjo kategori do të fokusohet vetëm te blerjet për produkte bazike. Por edhe për nivelin tjetër të blerësve që nuk kanë humbur punën, tendenca për të kursyer do të rritet. Nga ana tjetër, blerësit do të kërkojnë marka më të besueshme, dhe bizneset e vogla që tregtojnë produkte me cilësi të dobët do të falimentojnë, sipas zonjës Manoku. Ndërsa biznesit, për të mbijetuar në këtë realitet të ri, i nevojitet të përmirësojë marketingun për shitjet online, si dhe të përdorë sa më shumë oferta për çmimet.Pavarësisht se blerjet online në këtë periudhë janë kryer nëpërmjet rrjeteve sociale, pedagogia e marketingut vëren se ato janë rritur 12%, ku deri në fund të vitit 2019, në vend ishin 99 biznese për blerje online.Si do të ndryshojë sjellja konsumatore pas hapjes graduale nga COVID-19 si për qytetarët që kanë rënie të ardhurash, por edhe si do të jetë ndikimi te aktiviteti i biznesit?

Shumë studiues dhe specialistë të fushës së sjelljes konsumatore parashikojnë që kjo periudhë, pasigurie, privimi dhe ankthi që po kalojmë do të krijojë qëndrime dhe sjellje të reja të konsumatorit.

Në fund të kësaj sfide, konsumatorët do të rishikojnë çfarë ata konsumojnë, sa konsumojnë si dhe do të vendosin prioritete të reja në blerjet e tyre. I gjithë ky ndikim do të pasqyrohet madje dhe në çështjet e rritjes se pabarazisë sociale. Mendoj se disa zhvillime janë të mundshme:

1.Disa kompani, biznese të vogla sidomos, do të falimentojnë dhe markat më të dobëta do të largohen nga tregu. Konsumatorët do të duhet të gjejnë marka zëvendësuese të besueshme dhe të kënaqshme.

2.Koronavirusi na bëri të vetëdijshëm se sa i brishtë është shëndeti ynë. Kjo do të pasqyrohet edhe në mënyrën e ushqyerjes në vazhdimësi. Duhet të konsumojmë më shumë ushqime të shëndetshme për të pasur një rezistencë më të madhe ndaj mikrobeve dhe viruseve. Gjithashtu dhe blerjet e produkteve të sigurimit të higjienës vetjake dhe të shtëpisë do të vazhdojnë të jenë të larta dhe në muajt në vazhdim.

3.Humbja e papritur e vendeve të punës do të mbetet një traumë edhe pasi një pjesë e mirë e fuqisë punëtore të kthehet në punë. Kjo kategori do të shpenzojë dhe kursejë paratë me më shumë kujdes. Është kjo kategori e konsumatorëve që do të bëjë shkurtime shumë të mëdha në një numër kategori produktesh dhe shërbimesh duke u fokusuar në përmbushjen e nevojave më bazike.

4.Qëndrimi në shtëpi bëri që shumë konsumatorë të bëhen prodhues dhe plotësues të nevojave të tyre ushqimore. Më shumë gatim në shtëpi, më shumë kopshtari për të kultivuar perime dhe fruta. Si rrjedhim, edhe pas hapjes së restoranteve, do të konsumohet më pak ushqim jashtë shtëpisë duke vënë në vështirësi bizneset e ofrimit të ushqimit.

Kompania “Nielsen” zbuloi se shitjet ishin rritur gati 650% në javën e fundit të marsit në krahasim me periudhën e një viti më parë. Me mbylljen e salloneve të bukurisë, “Nielsen” raportoi një ngritje gati 20% në shitjet e kutive të bojërave të flokëve për javën e fundit të marsit. U rritën shitjet e pajisjeve elektro – shtëpiake të vogla, në një masë të konsiderueshme dhe niveli i përdorimit të tyre do jetë mbi mesataren dhe në muajt në vijim.

5.Për sa i përket stilit të jetës, më shumë konsumatorë do të kërkojnë të arrijnë një ekuilibër më të mirë midis punës, familjes dhe kohës së lirë. Do t’i kushtohet më shumë vlerë nevojave të familjes, miqve dhe komunitetit tonë.

6.Konsumatorët do të bëhen më të vetëdijshëm për brishtësinë e planetit, për ndotjen e ajrit dhe ujit, për mungesat e ujit dhe problemet e tjera që shqetësojnë gjithë shoqërinë.

Në këtë periudhe pati një orientim të gjerë te blerjet online, por a do të vazhdojë kjo mënyrë blerje edhe pas kthimit në normalitet?

Pandemia e koronavirusit ende nuk ka kaluar dhe megjithatë shumë konsumatorë kanë ndryshuar tashmë sjelljen e tyre, në mënyrë të tillë që do të ketë pasoja të qëndrueshme për marketingun, markat dhe biznesin në përgjithësi. Kur ka ndryshime serioze në mënyrën e jetesës dhe rrethanat e jetës, ka një ndryshim mjaft dramatik në preferencat për markat që përdorin konsumatorët, dhe perceptimet e tyre për ato marka. Bizneset lokale duhet të përgatiten për një model të ri biznesi për t’ju përqasur konsumatorit të ri nëse duan të mbijetojnë.

Komoditeti me ofertat dixhitale do të vazhdojë, duke ndikuar në përshpejtimin e transformimit dixhital. Blerjet online në vendet e zhvilluara janë rritur në mënyrë galopante nga 100% deri në 600%.

Në Shqipëri përdoren shumë më pak platformat e mirëfillta E-commerce dhe kompanitë nuk kanë qenë gati për këtë situatë të papritur. Më shumë janë përdorur porositë nga mediat sociale (Facebook, Instagram) dhe rritja e konstatuar e blerjeve online ka qenë deri në 12%. Numri i bizneseve për blerje online ishte 99 biznese deri në fund të vitit 2019.

Përdorimi i kartave bankare përsëri përdoret në masë shumë të ulët për blerje online brenda vendit dhe më shumë për blerje jashtë vendit. Ndërsa media dhe kompanitë e kërkimit dhe marketing janë përshtatur me botën virtuale, po kështu konsumatorët po përshtaten për të dixhitalizuar sjelljen e tyre.

Duhet të përshtatet strategjia e marketingut të bizneseve vendase duke u munduar për një raport të mirë të cilësisë së ofruar të produkteve dhe shërbimeve dhe çmimit. Pa diskutim që klientët do të vazhdojnë të jenë të ndjeshëm ndaj çmimit dhe kjo duhet të reflektohet në më shumë fushata të promocionit të shitjeve, përdorimit të kanaleve dixhitale të shpërndarjes dhe komunikimit dhe menaxhim të kujdesshëm të buxhetit për marketingun në tërësi.

Sektori i turizmit, duke parashikuar vështirësi të mirëfillta të operimit të ndërmarrjeve turistike, i prekur rëndë dhe nga tërmeti i nëntorit, duhet ta shohë si oportunitet shërbimin në masë të gjerë të klientëve lokalë apo kombëtarë. Duhet të përpiqen të përmirësojnë përvojën totale të klientit duke krijuar mundësi të formimit të besnikërisë së klientit përtej kalimit të periudhës së pandemisë.

Koronavirusi ka pasur ndikim të madh në mënyrën tonë të jetës. Tashmë është ndryshuar mënyra e punës, mënyra e të menduarit dhe mënyra e blerjes. Sipas kërkimit të fundit të “Nielsen” për konsumatorët, në dritën e shpërthimit të koronavirusit, konsumatorët me të vërtetë po ndryshojnë sjelljen e tyre të blerjeve, në një mënyrë të tillë që mund të formësojë modelet dhe zakonet e blerjes në të ardhmen.

Sa kohë do t’i duhet konsumatorit për t’u kthyer në normalitet pas kësaj goditje?

Duke parë përtej efekteve të menjëhershme të pandemisë, pak konsumatorë presin që të kthehen përsëri në sjelljet e tyre të vjetra së shpejti. Pandemia është duke krijuar segmente të reja të konsumatorëve. Jo të gjitha grupet e konsumatorëve do të reagojnë në të njëjtën mënyrë në periudhat e ardhshme. Segmenti i konsumatorëve që është përballur direkt me humbjen e përkohshme apo të vazhdueshme të punës do të vazhdojë me shkurtime të thella të të gjitha shpenzimeve, duke u fokusuar në blerjen e produkteve bazë të konsumit të përditshëm.

Duke qenë se është rritur pasiguria për të ardhmen, kjo do të pasqyrohet në normën e kursimit, duke sakrifikuar sidomos blerjet në produktet e luksit, të argëtimit, udhëtimeve apo produkteve jo esenciale. Kujdesi për shëndetin, higjienën do të kthehet në një zakon të qëndrueshëm dhe do të vazhdohet të shpenzohet për produktet që përmbushin këto nevoja.

Segmentet konsumatore, që përveç izolimit, nuk kanë përjetuar ulje të të ardhurave të tyre, parashikohet se do të kthehen më shpejt në normalitet, por duke qenë të kujdesshëm për të kursyer për periudha të vështira që mund të pasojnë. Gjithsesi, disa zakone dhe sjellje kanë ndryshuar tashmë dhe nuk ka më kthim prapa.