Krahina e Sinjës feston 70-vjetorin e Batalionit të Palikështit. Flet ish-komisari i çetës, Orhan Frashëri

805
Sigal

Historia e popullit të krahinës së Shpiragut është dëshmia e gjallë dhe e dukshme e betejave dhe përpjekjeve të panumërta për liri, pavarësi dhe drejtësi shoqërore. patriotizmin, heroizmin e flakët dhe lavdinë e të rënëve në luftën Nacional-Çlirimtare.

Krahina Shpiragut, në mbështetje të Konferencës së Pezës

Në çdo fshat u krijuan Këshillat NÇL dhe Këshillat Krahinore, të cilat u bënë mbështetje të lëvizjes NÇL. Kështu në pranverën e vitit 1943 u krijuan dy çeta partizane. Çeta e Shpiragut me komandant Sadik Çobo e komisar Tajar Grepcka, mësuesi i palodhur i kësaj zone dhe çeta e Malit Bardhë me komandant Sefe Velçanin e komisar Orhan Frashëri. Këto dy batalione partizane shërbyen si baza për krijimin e grupeve e  batalioneve të tjerë të Shpiragut në Nëntor të vitit 1943. Krahina e Shpiragut u shndërrua në një front e barrikadë e fuqishme që në historinë e ngjarjeve solli beteja me përmasa njohje kombëtare.

Beteja e Palikështit

Kjo betejë është një prej atyre, ku u shpalos trimëria, sakrifica, burrëria, patriotizmi e atdhetarizmi. Plot 70 vjet më parë më 29 Qershor 1943 në orën 03:00 të mëngjesit filloi beteja luftarake, mbarë popullore e kësaj krahine të udhëhequra nga dy çetat partizane. Lufta qe e ashpër e fuqishme dhe solli një urrejtje të paparë kundër okupatorit fashist. Kjo luftë ngriti peshë një popull të tërë deri në fshatrat më të largëta si: Osmënzezë, Velçan, Levan, Mbjeshovë, Mbolan e Sinjë, fshatra, të cilat u bënë pjesë të e çetës  partizane të Malit Bardhë që operonte kodrave të Mbolanit, Veleshnjes, Gjerovenit dhe Kamçishtit. Kurse në krahun tjetër po çeta e Shpiragut drejtonte operacionet në fshatrat Paftal, Galinë, Sadovicë, Kamçisht, Mbreshtan, Palikësht e Starovë për bllokimin e rrugës automobilistike që çonte në Mallakastër e Vlorë si dhe nga Mali Kules mbi Starovë. Ja ç’kujton komisari i çetës Orhan Frashëri: “Kuajt mbetën pa kalorës dhe kalorësit pa këmbë, disa prej tyre kishin mbetur të varur në shalë të kalit dhe tërhiqeshin zvarrë këmbësh. Ata harruan rrugën nga erdhën, ku dhe hijet e pemëve u dukeshin partizanë, zhurmët e patkonjve të kafshëve u dukeshin si krisma pushkësh partizane, mushkat zbrazën municionet, samarët dhe me litar nëpër këmbë ulërinin rrugëve të Beratit. Vërtet lemeri thoshte. Ja ç’bën një popull, kur ka një ideal një zjarr dhe kur e di për kë lufton. Në këto beteja si ajo e Palikështit, Starovës, Velabishtit dhe e Sinjës armiku la në betejë 135 të vrarë e shumë të plagosur, shumë dëme luftarake. Sulmi fashist i kushtoi krahinës së Shpiragut afër 700 shtëpi të djegura dhe të gjithë të mbjellat dhe pasuritë e tjera”. Në këto luftime dhanë jetën në moshën më të re 55 trima, të cilët prehen në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në qytetin e Beratit siç janë: Xhezmi Saraçi, Xhemal Muharemi, Barjam Zylali, Fatmir Dudushi, Teme Gorica, Niko Peçi, Kadri Grëmshi, Muhamet Kosova, Shefit Dhija, Mino Xhindi, Hasan Ngjela, Xhemal Dalipi, Islam Skoroni e shumë të tjerë. Këta burra do të kujtohen e rikujtohen përherë në vatrat e popullit të zonës historike të krahinës së Shpiragut.